Porti i Barit, Itali

Rikthehen grabitjet në portin e Barit, Konsullata apel shqiptarëve: Kujdes, mos lini para dhe dokumente të rëndësishme në makina

6 Gusht 2020, 20:24| Përditesimi: 6 Gusht 2020, 20:27

  • Share

Rikthimi i grabitjeve në portin e Barit në Itali, kryesisht ndaj shtetasve shqiptarë, të cilët kthehen në Shqipëri është kthyer sërish në një problematikë dhe vëmendjen e autoritete policore.

Disa persona që veprojnë në port duke mashtruar dhe grabitur paratë apo objektet, që shqiptarët apo shtetas të tjerë, kanë brenda në automjet ka sjellë reagimin e Konsullatës në Bari duke apeluar që shtetasit shqiptarë të tregohen të kujdesshëm.

Kjo situatë ka qenë problematike edhe më parë dhe duket se është rikthyer sërish ku në tre ditë janë raportuar 3 vjedhje të shtetasve shqiptarë. Çështja është bërë shqetësuese aq sa Konsullata e Barit ka thirrur në takim policinë italiane për të raportuar rastet dhe shqetësimin e saj, ndërsa u ka bërë thirrje me një status në facebook të gjithë shqiptarëve që të mbyllin makinat dhe të mos lenë brenda tyre paratë dhe dokumentet e rëndësishme.

Oficeri kontaktit dhe Konsullata e Barit u kërkojnë qytetarëve të rrisin vëmendjen nga njëra anë dhe autoriteteve italiane të rrisin numrin e forcave të sigurisë. Konsullata e Barit ka kërkuar nga policia italiane të zhvillojnë më shumë patrullime në Portin e Barit, për të parandaluar rastet e tilla.

 "Lutem, njoftoni të gjithë të afërmit tuaj që kanë ndërmend të udhëtojnë drejt Shqipërisë! Ka disa ditë që në afërsi të portit të Barit kanë filluar të godasin me vjedhje në automjete. Pikasen ato që janë për udhëtim jashtë Italisë dhe për rrjedhojë edhe ato që shkojnë në Shqipëri. Duhet kujdes për të mos e lënë automjetin pa ruajtje dhe të mos lihen në brendësi të tij dokumente dhe para. Mos ndaloni në parkingjet e supermarketeve dhe lini mjetet tuaja të paruajtura. Shpërndajeni në mënyrë që të shmangni probleme të renda si për paratë ashtu edhe për dokumentet e udhëtimit", thuhet në njoftimin e Konsullatës shqiptare në Bari.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?