Sociale

Rikonstruksioni i shkollës s'mbaron në kohë, nxënësit në Babicë të Vlorës zhvillojnë mësimin në një lokal, mësuesi: Zgjidhje emergjente kur s'ka të tjera

7 Tetor 2021, 07:56| Përditesimi: 7 Tetor 2021, 09:13

  • Share

Për shkak të mos përfundimit në kohë të rikonstruksionit të godinës arsimore, nxënësit e shkollës 9 - vjeçare "Selam Musai" në Babicë të Vlorës e zhvillojnë mësimin në një lokal në qendër të fshatit. 

Fëmijët e 9-vjeçares shkojnë në shkollat e qytetit ndërsa fëmijët e klasës së parë dhe të dytë mësimin e zhvillojnë në një bar kafe . Mësuesi i klasës së parë tha se deri në qershor kanë bërë mësim me turne në shkollat e Vlorës, por prindërit kishin vështirësi për transportin dhe u gjet si zgjidhje provizore shkolla e improvizuar në lokal.

"Biseduam me prindërit dhe vendosëm t'i sillnim këtu fëmijët. Kjo është një zgjidhje emergjente kur nuk ke të tjera, jo se është tamam zgjidhje. Ata nuk donin t'i lëviznin fëmijët", tha mësuesi Ilir Deromema.

Edhe pse ky është një realitet, Drejtoresha Arsimore e Vlorës e mohon! Në një bisede telefonike, Alma Bakiu pretendon se nxënësit e shkollës "Selam Musai" zhvillojnë mësim me turne në shkollën "Teli Ndini".

Ndërkaq pronari i një tjetër subjekti në po të njëjtën godinë tha se mësueset i luteshin për të negociuar qiranë, ndërsa fajësoi bashkinë e Vlorës që nuk ka përfunduar në kohë rikonstruksionin e shkollës.

"Jam qiraxhi këtu dhe unë, këta më luten mua për t'i ulur qiranë, jo kaq po aq. Bashkua ku është, pse nuk del?", tha ai.

Prindërit dhe gjyshërit treguan peripecitë për të shkolluar fëmijët, pasi ende nuk ka përfunduar rikonstruksioni i shkollës. Ata thanë se nuk paguajnë qira për objektin e improvizuar për mësim.

"E kërkuam vetë, i bëmë kërkesë këtij që ka lokalin, ça të bëjmë ne, ku të shkojmë?", thotë një prind.

"Unë kam katër fëmijë, ata e prishën shkollë dhe nuk po e bëjnë, thanë me datë 15, vallë do hapet me 15? Tani si do mësojnë fëmijët këtu?", shprehet një tjetër.

Në një godinë të ngjashme zhvillojnë mësimin edhe fëmijët e kopshtit të Babicës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?