Ambasada saudite në Teheran (Foto arkiv)

Rihapet Ambasada saudite në Iran pas shtatë vitesh

9 Gusht 2023, 20:37| Përditesimi: 9 Gusht 2023, 20:39

  • Share

Ambasada e Arabisë Saudite në Teheran e ka rifilluar punën të mërkurën, pas rregullimit të marrëdhënieve mes dy vendeve plot shtatë vjet pasi ishte mbyllur, raportojnë mediat iraniane. Irani, i mbizotëruar nga shiitët, dhe Arabia Saudite, e mbizotëruar nga sunitët, u pajtuan për t’i ndrequr lidhjet diplomatike dhe për t’i rihapur ambasadat e veta përkatëse, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kina në mars. Rivalët e moçëm rajonalë i prishën marrëdhëniet në vitin 2016, pasi misionet diplomatike saudite në Iran u sulmuan gjatë protestave kundër ekzekutimit të klerikut shiit, Nimr al-Nimr, nga Riadi.

“Ambasada e Arabisë Saudite në Republikën Islamike të Iranit i ka filluar zyrtarisht aktivitetet e vet dhe është duke punuar që nga e diela”, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, IRNA, e cila e citoi një “burim të informuar” në Ministrinë e Jashtme të Iranit.

Riadi nuk ka konfirmuar zyrtarisht për rihapjen e Ambasadës së vet në Iran. Në qershor, Irani shënoi hapjen e Ambasadës së vet në Riad me një ceremoni të ngritjes së flamurit. Mediat iranian ia kishin lënë fajin kushteve të këqija të ndërtesës për vonesat në rihapjen e Ambasadës saudite, e cila ishte dëmtuar gjatë protestave të vitit 2016. Sipas agjencisë së lajmeve, diplomatët sauditë do të punojnë nga një hotel luksoz në kryeqytetin iranian deri në përfundimin e punimeve në ndërtesën e Ambasadës.

Që nga marrëveshja e marsit, Arabia Saudite i ka rregulluar marrëdhëniet edhe me aleatin e Iranit, Sirinë, dhe ka bërë trysni për paqe në Jemen, ku tash e shumë vite e udhëheq një koalicion ushtarak kundër forcave të mbështetura nga Irani, Huthi. Irani dhe Arabia Saudite i kanë mbështetur anët e kundërta në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme për shumë vite./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?