Riciklimi, krijohet Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, synohet nxitja e ekonomisë qarkulluese

14 Mars, 15:29| Përditesimi: 14 Mars, 15:39

  • Share

Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri pritet të marrë një tjetër drejtim. Nga inceneratorët, menaxhimi i tyre duket se do të kthehet tek riciklimi, me qëllim që trajtimi i mbetjeve të krijojë ekonomi qarkulluese.

Qeveria ka vendosur të krijojë Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, e cila është strukturë që do të mbështetet me fonde të buxhetit të shtetit dhe do të jetë në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se agjencia ka si mision të sigurojë: “Promovimin dhe nxitjen e zbatimit të hierarkisë së mbetjeve për zhvillimin gradual të grumbullimit përmes ndarjes në burim e riciklimit në shkallë të gjerë dhe monitorimin e implementimit të standardeve dhe edukimin mjedisor, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në këtë vendim dhe dispozitat në ligjin përkatës për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Përmes kësaj strategjie, synohet që të përhapet riciklimi i mbetjeve, ndërkohë që aktualisht trajtimi i integruar i mbetjeve ka qenë i fokusuar drejt incenerimit (djegies) me qëllim që të prodhohet energji.

Kjo agjenci do të koordinojë punën në bashkëpunim me bashkitë, institucionet e tjera dhe partnerët ndërkombëtar për të realizuar menaxhimin e integruar të mbetjeve, me qëllim kalimin e këtij sektori në ekonomi qarkulluese.

Po ashtu në vendim thuhet se agjencia do të organizojë punën për edukimin mjedisor, promovimin dhe nxitjen e zbatimit të hierarkisë së mbetjeve për zhvillimin gradual të grumbullimit përmes ndarjes në burim e riciklimit në shkallë të gjerë.

Riciklimi është përpunimi i mbetjeve për të krijuar produkte të reja me qëllim që të parandalohet krijimi i mbeturinave nga materialet të cilët mund të ripërdoren. Kjo gjë sjellë më pak përdorim të lëndëve të reja të para, redukton ndotjen e mjedisit si dhe zvogëlohet përdorimi i energjisë,

Riciklimi është aktivitet kyç i  mënyrës bashkëkohore të zvogëlimit të sasisë së mbeturinave dhe aktiviteti i tretë në hierarkinë “Redukto, Ripërdor, Riciklo”.

Për të realizuar një proces efikas të riciklimit, është domosdoshmëri ndërgjegjësimi i popullatës për të pasur ndarje në burim të mbetjeve, pra të ndahet plastika, nga kartoni apo nga metali apo plehra të tjera.

Më pas mbetjet merren dhe dërgohen në qendrën e riciklimit, ku nis procesi i seleksionimit të llojeve të mbeturinave me qëllim që të fitohet lënda e parë nga e cila mund të bëhen produkte të ndryshme ose mjete të cilat mund të përdoren në jetën e përditshme. 

Agjencia do të asistojë në të gjitha hallkat e trajtimit të mbetjeve, deri tek stacionet e riciklimit dhe deri tek kompostimi. Në këtë vendim nuk përmendet në asnjë pikë incenerimi i mbetjeve që shkalla e fundit e hierarkisë së mbetjeve.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?