Qytetarët festojnë fitoren

Zgjedhjet në Turqi, Erdogan përballet me humbje! Stambolli, Ankaraja dhe qytete të tjera të mëdha i fiton opozita

31 Mars, 19:03| Përditesimi: 31 Mars, 23:45

  • Share

Rezultatat e parë dolën gjatë darkës së iftarit, kur edhe mbyllet dita e agjërimit!

Ankaraja, Stambolli, pastaj Izmiri. Një njollë e kuqe, Republikane, e cila i jep presidentit Erdogan dhe partisë së tij islamike-konservatore, AKP-së, një humbje dërrmuese për Ramazan në zgjedhjet komunale të së dielës, ndoshta më e dhimbshmja në më shumë se 20 vitet e tij në pushtet.

Ndërsa qendrat e vogla dhe të mesme të Anadollit qendror, tradicionalisht një çiflig konservatorësh, kanë përsëritur mbështetjen e tyre për AKP-në, qytetet e mëdha të Turqisë - pesë të parat, kryeqyteti Ankaraja, Stambolli, Izmiri, Bursa dhe Adana – zgjodhën kandidatët e CHP, partia kryesore opozitare.

Vitin e kaluar presidenti Erdogan fitoi ngushtë zgjedhjet kombëtare në një Turqi të ndarë në gjysmë. Një vit më vonë, AKP-ja e tij po bie në të gjithë vendin. Nuk është fundi i Erdoganizmit, por lidershipi i presidentit tani është i diskutueshëm.

“Sot votuesit tanë kanë marrë një vendim shumë të rëndësishëm, të vendosin një politikë të re në Turqi”, tha i emocionuar në TV Ozgur Ozel, presidenti i CHP-së, duke dërguar mesazhin e unitetit: “Nuk ka asnjë humbës në këtë fitore. Suksesi ynë nuk do të jetë humbja e askujt. Ne nuk duam që askush të ndihet i humbur, për cilëndo parti që ka votuar”.

Në Ankara kryebashkiaku në largim Mansur Yavas kryeson rivalin e tij, me më shumë se 10 pikë, në Izmir, Cemil Tugay kryeson garën me një diferencë të madhe.

Por në Bosfor ndodh disfata më e zjarrtë. “Kushdo qeveris Stambollin, qeveris Turqinë”, ka thënë gjithmonë Erdogani, i cili ka lindur në megalopolin prej 16 milionë banorësh dhe filloi ngritjen e tij politike në vitet 1990.

Kryetari në largim, Ekrem Imamoglu, ia doli të rimotivonte një opozitë që ishte e frikësuar dhe e zhgënjyer pas disfatës në zgjedhjet e fundit presidenciale. Dyzet e tre vjeç, një mysliman praktikues, një liberal, në 2019-ën ai ia mori Stambollin konservatorëve pas 25 vjetësh qeverisje të AKP-së, duke u paraqitur si një njeri i popullit: i qetë me njerëzit në tregje, pranë amvisave që veshin shaminë dhe njëkohësisht kampion i lirive shoqërore e civile, mik i punëtorëve dhe i industrialistëve.

Të dielën ai fitoi ndaj kandidatit të presidentit, teknokratin Murat Kurum, pavarësisht se Erdogan u fut personalisht në fushatën elektorale dhe me një opozitë të fragmentuar, duke mos pasur më pas koalicionin me kurdët dhe nacionalistët që i kishte garantuar zgjedhjet pesë vjet më parë.

Krahasuar me zgjedhjet bashkiake të vitit 2019, pjesëmarrja ra nga 85% në 76%. Votuesit e opozitës shkuan për të votuar në një klimë që analistja politike Seda Demiralp e përcakton si një "apati politike dhe tjetërsim". Edhe pse ishin zemërthyer, ata panë mundësinë për të rifituar besimin te kandidatët në Stamboll dhe Ankara.”

Fitorja u jep sërish shpresë dhe e projekton Imamoglun si kandidatin më të fortë të CHP-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, por kryebashkiaku do të duhet të tregojë se është i aftë të bashkojë shpirtrat e ndryshëm të opozitës turke.

Në kampin tjetër, abstenimi duket se ka penalizuar mbi të gjitha qeverinë dhe i dërgon një mesazh të qartë Erdoganit dhe grupit të tij të pushtetit në një vend ku inflacioni është në 67% dhe lira ka rënë kundrejt dollarit.

Në nivel të brendshëm, ka të ngjarë që humbja do ta shtyjë Erdoganin të rishikojë ekipin e tij qeveritar, sigurisht duke frenuar tundimin për të ndryshuar sërish Kushtetutën për të lënë të hapur derën e një mandati të tretë, edhe nëse ai vazhdon të përsërisë se këto ishin zgjedhjet e tij të fundit.

Në nivel ndërkombëtar, rezultati i zgjedhjeve administrative nuk do të ndryshojë linjën politike të Ankarasë dhe as nuk do të ngadalësojë ambiciet e Erdoganit për t'u pozicionuar si lider i botës muslimane dhe ndërmjetës në konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Por imazhi i një njeriu të vetëm në komandë është njollosur dhe udhëheqësit e botës do ta marrin parasysh këtë në negociatat me të.

*Marrë nga La Repubblica

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?