Famuri i Shqipërisë dhe ai i BE-së

Rezoluta anti-korrupsion e PS, BE për Report Tv: Mirëpresim nismat për të çuar më tej arritjet e reformave! Procesi të jetë transparent dhe i bazuar në prova

13 Maj, 16:45| Përditesimi: 14 Maj, 08:01

  • Share

Rezoluta e Partisë Socialiste për një komision të posaçëm anti-korrupsion ka mbështetjen e BE në Tiranë, por kjo e fundit përmes një reagimi për Report Tv kërkon që procesi të jetë transparent dhe i bazuar në prova.  

Parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016, nënvizon Be ndërsa shton se e rëndësishme po ashtu është që rezoluta të ketë mbështetje nga të gjitha palët politike.

"Delegacioni i BE-së mirëpret çdo nismë për të çuar më tej proceset e arritjeve të reformave të Shqiperisë për qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës dhe antikorrupsionin, duke u mbështetur te reformat dhe arritjet e mëparshme, si dhe në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit. Ne theksojmë se është e rëndësishme të garantohet që kjo nismë do të zhvillohet në koherencë të plotë me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screeening) dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si udhërrëfyesit për shtetin ligjor dhe administratën publike.

Për sa i përket sektorit të drejtësisë, vërejmë se parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016. Theksojmë se është me rëndësi jetike që procesi i propozuar parlamentar të jetë i bazuar në prova, transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, përfshirë edhe shoqërinë civile. Në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, BE-ja po ofron ndërkaq asistencë të madhe për Shqipërinë në fushat e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, si dhe është e gatshme të rrisë mbështetjen e vet, sipas rastit", thuhet në reagim.

Në një mbledhje me grupin parlamentar të PS rama propozoi ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar përmes një rezolute të PS të titulluar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”. Rezoluta u prezantua nga ministrja e shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali dhe sugjeron se puna e komisionit të posaçëm parlamentar nuk do të prekë reformën në drejtësi të arritur në vitin 2016.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?