Rezervuari i Kurjanit në Roskovec po thahet, niveli i ujit në pikën kritike, 5 mijë hektarë tokë pa vaditje

8 Mars, 17:49| Përditesimi: 8 Mars, 18:10

  • Share

Mungesa e reshjeve ka çuar në tharjen e rezervuarit të Kurjanit, i cili shërben për vaditjen e 5 mijë hektarëve toke bujqësore në fshatrat e Roskovecit dhe Fierit. Është rezervuari më i madh në zonë me sipërfaqe 350 hektarë dhe kapacitet mbajtës 32 milion metra kub ujë.

Pamjet e Report Tv tregojnë qartë, rënien e nivelit të ujit dhe ngordhjen e peshqve në cekëtinën e rezervuarit.

Fermerët mund të dështojnë me mbjelljet e pranverës, nëse nuk merren masa të menjehershme.

“Kjo situatë s’ka ndodhur më parë. Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme pasi rrezikon bujqësinë”, tha fermer Pëllumb Toro, duke shtuar se "gjithe fermerët e kësaj zone, duke filluar nga Goricani deri në urën e Mbrostarit në Fier përdorin këtë rezervuar për vaditje”.

Problematika pranohet nga zyrtari i Bashkisë së Roskovecit, Viktor Kola i cili tha se rezervuari i Kurjanit është në pikën kritike për shkak të mungesës së reshjeve por mund të gjendet një zgjidhje mekanike, të cilën e ka në dorë Ministria e Bujqësisë. 

“E vetmja zgjidhje urgjente qe duhet ndermarrë është ngritja mekanike nëpërmjet stacionit të pompimit të Matkës siç ka qenë e projektuar me para . Kjo kërkon një investim madhor, i cili duhet mbuluar nga ministria e Bujqësisë. Ne si institucion e kemi ngritur zërin dhe kemi bërë kërkesë per investim. Jemi në pritje të marjes së konfirmimit”.

Edhe Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e kontaktuar me telefon tha se Ministria e Bujqësisë duhet të financojë ndërtimin e Stacionit të Pompimit për furnizimin me ujë të rezervuarit të Kurjanit.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?