Reshje të dendura shiu, 40 fshatra pa drita në Korçë, përmbytet Bulevardi! Probleme te 'Rruga e Arbrit' dhe në aksin 'Librazhd-Përrenjas'

25 Shtator 2023, 16:05| Përditesimi: 25 Shtator 2023, 17:28

  • Share

Mjaftuan vetëm dy orë reshje shiu shoqëruar me breshër, që rrugët e qytetit të Korçës të përmbyten.

Ashtu siç shihet në pamjet e Report TV, bulevardi Gjergj Kastrioti, parku Rinia por edhe rrugicat e qytetit u mbushën me ujë. Për shkak të bllokimit te pusetave, uji vërshoi dhe ne rrugët e qytetit te Pogradecit.

Moti i keq me shi të dendur dhe erë u bë shkak për dëmtimin e linjave elektrike. 40 fshatra në Maliq, Pogradec Devoll dhe Kolonjës janë pa drita prej orëve të para të ditës së sotme. OSHEE tha se po punon për riparimin e defekteve.

Edhe në rrugën nacionale Librazhd-Përrenjas uji dhe inertet vërshuan në rrugë duke sjellë vështirësi në qarkullimin rrugor. Një aksident pa pasoja në njerëz u shënua në mesditë për shkak të përmbytjes së rrugës. Në Dibër, moti i keq shkaktoi problematika në Rrugën e Arbrit. Në Urën e Çerenecit pjese e aksit Bulqizë-Maqellarë prezenca e ujit dhe gurëve shkaktoi vështirësi në lëvizje.

Në Lezhë dhe Shkodër nuk raportohen problematika, por me nisjen e shirave mbetet evident rreziku për përmbytje. Kjo ka shqetësuar Drejtorinë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit për shkak të mjeteve të pakta në dispozicion.Aktualisht po punohet në pastrimin e Lumit Drin në afërsi të fshatit Balldre.

Ora 17:16
Reshjet në Lezhë/ Uji vërshon nëpër rrugët e Shëngjinit, vështirësi në lëvizje për këmbësorët dhe automjetet (Video)

 

Reshjet e dendura të shiut, kanë krijuar probleme në qytetin turistik të Shëngjinit. Kanalizimet nëntotokësore nuk e përballuan nivelin e lartë të prurjeve, duke bërë që uji të dalë në sipërfaqet e rrugëve. Kjo situatë ka krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve, pasi niveli i ujit në disa rrugë të kësaj zone turistike arriti deri në 40 centimetër.

Ora 13:02
Gurë dhe baltë prej shiut në aksin Elbasan-Librazhd, dëmtohen disa mjete nga rënia e inerteve

Si pasojë e reshjeve të shiut në Elbasan, janë dëmtuar edhe makina të tjera nga rënia e inerteve.

Reshjet e shiut kanë pushtuar Elbasanin dhe kanë shkaktuar  disa dëmtime të mjeteve që lëviznin në aksin rrugor Librazhd- Përrenjas, ku uji ka vërshuar në rrugë duke e bërë të vështirë qarkullimin e mjeteve.

Policia rrugore ndodhet në këtë aks rrugor dhe po bën monitorim të situatës.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?