REPORTAZH/ Prevalla, fshati përrallor në bjeshkët e Sharrit (VIDEO)

31 Janar 2021, 12:04| Përditesimi: 31 Janar 2021, 13:30

  • Share

Nuk ndodhemi në Dardhë dhe as në Voskopojë, por në fshatin turistik të Prevallës në Prizren të Kosovës, i cili të ofron një pamje magjepsëse. Nga të hedhësh sytë, dëbora ka shtruar petkun e saj.

Turistë nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe jo vetëm kanë populluar këtë fshat, që kohët e fundit është kthyer në një atraksion turistik mjaft të preferuar.  Nuk ka dallim moshe apo gjinie. Të gjithë luajnë me topa bore, slitë, ose bëjnë ski, gjë e cila ua kthen ditët e pushimit aq të bukura, sa i bën ato që të rikthehen sërish aty.

"Kushtet janë fantastike për sa i përket sporteve të dimrit. Falë publicitetit zgjodhëm Prevallën. Ndoshta kthehem sërish edhe një herë tjetër", tha një turist.

Turistët e vizitojnë fshatin e shtrirë mes maleve me makinat e tyre, por edhe me agjenci turistike, ku qëndrojnë një ditë ose dy ditë.

"Vij nga Vlora. Kam ardhur me nusen me një guidë dy ditore. Me qëndrim në Prizren. Dita e parë e guidës ishte Prevalla", tregoi turisti.

"Unë jetoj në Kanada, në Toronto. Kam ardhur me pushime. Me origjinë nga Tirana. Po i marr me radhë. Isha në Kolashinë javën e kaluar. Rrëshqitjet me slitën e lezetshme, luajta me dëborë. Kam ardhur me 3 kushërirat e mia dhe jemi kënaqur jashtëzakonisht shumë", tha një vizitore nga Tirana.

Prevalla ofron gjithçka, shprehet një drejtues guide. Dëborën, malet e mbushura me pemë, infrastrukturën, hotelet, bujtinat si dhe restorante që ofrojnë gatime tradicionale. Ndaj dhe kërkesat në periudhën e dimrit janë shumë të larta, por nuk mungojnë as stinën e verës, pasi terreni, peizazhet e mrekullueshme dhe ajri i freskët mes pishave, i cili thuhet se është shërues, e bëjnë një prej zonave më të jashtëzakonshme për hiking dhe ecje.

"Jemi agjenci nga Shqipëria. Vijmë çdo javë në Prevallë. Vijmë me makinat që variojnë nga 20 persona deri në 50. Për pjesën e aktiviteteve është pjesa e skisë, ka edhe për amator. Është pjesa e slitave. Argëtohen për dy orë dy orë e gjysmë. Restorantet janë të cilësisë së mirë. Funksionon dhe pjesa e hotelerisë shumë mirë. Ka shumë që kthehen me makinat individuale. Rezervojnë hotelet", rrëfen ai.

Kërkesat për të kaluar ditë relaksi dhe adrenaline në Prevallë, më së shumti i bëjnë të rinjtë, por nuk mungojnë as nga mosha më e madhe.

"Kërkesa ka plot nga Shqipëria. Moshat që e preferojnë më shumë janë moshat e reja, por ka kërkesa edhe nga mosha e tretë. Janë edhe grupet e punës që organizohen së bashku. Për pjesën e rezervimet ka edhe nga familjarë", tregoi drejtuesi i guidës.

Prevalla  shtrihet 1800 metra mbi nivelin e detit dhe ndodhet jug të Kosovës në Malet e Sharrit, në rrugën e cila shkon nga Prizreni nëpërmjet Prevallës në drejtim të Shtërpcës.

Fshati turistik nuk vizitohet vetëm gjatë dimrit, por edhe gjatë verës. Nga muaji mars deri në maj çelin pishat dhe është një ajër që ndihmon. Klima është shumë e mirë për mushkëritë dhe bëhet një kurë 21 ditë që është e vërtetuar edhe nga doktorë. "Shërben për pastrimin e  mushkërive dhe rruazave të gjakut", tha një drejtues guide.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?