Report Tv mes pelegrinëve të Shna Ndout, udhëtim me tren Shkodër-Laç! Bileta vajtje-ardhje 150 lekë, udhëtarët: Të bëhet çdo ditë, zgjidhje e mirë për popullin

23 Mars 2022, 11:00| Përditesimi: 23 Mars 2022, 11:03

  • Share

Janë pak në numër krahasuar me kohën kur treni ishte nga mundësitë e vetme për të udhëtuar, por ditët e fundit interesi shfaqet më i lartë.

Këtu në stacionin e Lezhës, i cili është po në atë vend ku ndodhej 40 vjet më parë, ka njerëz që presin trenin nga Shkodra për të udhëtuar drejt Laçit. Të shumtët janë pjesë e pelegrinazhit të 13 martave të Shna Ndout.

Report Tv u bë pjesë e udhëtimit të kësaj të marte, tre javë para Pashkëve Katolike. Të 10 vagonët ishin funksionalë, shumë udhëtarë kishin hipur në Shkodër. Ndaj me ardhjen edhe të atyre nga Lezha, disa qytetarë në tren deri në Laç u detyruan të qëndronin në këmbë.

Rritja e çmimit të karburantit ka rikthyer udhëtimin me tren pavarësisht se nuk plotëson kushtet.

Kushtet në tren nuk janë aspak të mira. Por çmimi i ulet i biletës, 70 lekë Lezhë- Lac, 150 lekë Shkodër – Laç, vajtje ardhje, i ka joshur njerëzit të udhëtojnë me trenin që deri një javë më parë transportonte mallra.

"Bileta nuk kushton shtrenjtë, është zgjidhje e mirë për popullin. Kushtet të këqija, ftohtë dhe pis. S'ka dritare, me xhama të thyer", thanë udhëtarët

Kosto e udhëtimit me automjetet e transportit publik apo me makinat e tyre private, është e shtrenjtë. Ndaj pasagjerët kërkojnë që rikthimin e linjave hekurudhore në çdo ditë të javës

"Treni duhet përditë se jemi të lodhur ekonomikisht. Një tren i mirë duhet të kalojë çdo ditë. Po shkojmë tek kisha me tren se s'kemi mundësi me autobus. Duhet të shtohen vagonët dhe të plotësohen kushtet", thanë ata.

Megjithatë treni i linjës Shkodër-Laç, çdo të martë në orën 06:00 dhe kthimi në orën 12:45 u vendos për t'u ardhur si alternativë ndihmë njerëzve në këto kohë krize e rritjes së çmimit të naftës. Dhe kushtet e sigurisë duken akoma larg. Për shkak të degradimit të hekurudhës, lëvizja nuk bëhet me më shumë së 5 deri në 20 km në orë

"Ka amortizim, janë pemë të paprera, por meqenëse është dita me shku në kishë, shumë mirë që u rikthye. U bënë 30 vite që nuk vë dorë njeri për riparime. Edhe rrogat tona janë shumë të ulëta, 30 mijë në muaj", tha marshinisti Kadri Hasanllari.

Hekurudha Shkodër-Vorë ishte një nga hekurudhat që ndërtoi regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1985. Ajo fillonte që nga stacioni hekurudhor në Vorë e përfundonte në Shkodër.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?