Kryeministri Edi Rama

Replikë me Fatos Lubonjën: Pse hapja e negociatave ndëshkon Ramën

6 Qershor 2018, 10:51| Përditesimi: 6 Qershor 2018, 10:54

  • Share

Ka disa kohë që publicisti Fatos Lubonja artikulon tezën se, Bashkimi Europian nuk duhet t’i hapë negociatat me Shqipërinë. Këtë gjë e ka shprehur edhe dje në një intervistë dhënë për News24, “Nëse BE merr një vendim pozitiv për integrimin e vendit tonë, kjo do të ishte në të mirë të kryeministrit. Ndaj gjykoj që BE duhet të ndjekë politikë bllokuese për Tiranën zyrtare deri në largimin e shefit të qeverisë”.

Fatos Lubonja, ndoshta, me të drejtë është i shqetësuar për akumulimin e pushtetit në dorën e Kryeministrit, dhe vendimin e moshapjes së negociatave e shikon si të vetmen mënyrë për mos të legjitimuar një kryeministër të tillë, në të kundërt, pushteti i tij do të legjitimohej edhe më shumë. Në fakt, ky është një arsyetim totalisht i gabuar për dy arsye thelbësore.

Në radhë të parë, hapja e negociatave ose jo, nuk ndikon aspak në ndryshimin e politikës në Shqipëri. Ai vendim ka impakt deri në një farë pike, por nuk ndikon në largimin e Kryeministrit ose jo. Nëse një Kryeministër qëndron në pushtet ose jo, varet gjithmonë nga vota popullore. Edi Rama, nuk ka mbushur as edhe një vit nga zgjedhjet e fundit ku është votuar për të qeverisur. Po qeveris keq apo mirë, ky është një diskutim tjetër. Në këtë kuptim, kjo çështje do të rishqyrtohet nga elektorati shqiptar në zgjedhjet e ardhshme.

Aq më tepër që, suksesi i një qeverie nuk varet aspak nga ky vendim. Politika ka komplet një logjikë tjetër. Nëse do të ishte kështu, atëherë, Sali Berisha do të fitonte mandatin e tretë, pasi u liberalizuan vizat me Shqipërinë.

Në radhë të dytë, vendimi negativ për hapjen e negociatave, është një vendim i cili do të jetë një katastrofë për shqetësimin që Lubonja ngre, atë të një kryeministri të gjithëpushtetshëm. E vetmja mënyrë për të kufizuar pushtetin e kryeministrit është hapja e negociatave. Në të kundërt, nëse Shqipëria do të ngelet e izoluar nga procesi i integrimit, mund të imagjinohet fare kollaj, dhe faktet e kanë treguar, që gjithmonë e më shumë pushteti politik do të përqendrohej në dorën e Kryeministrit.

Procesi i integrimit europian dhe ecja në këtë drejtim, është e vetmja shpresë që politika shqiptare të monitorohet dhe të kufizohet. Sepse, politikëbërja do të futej në një procedurë të mirëpërcaktuar, ku hapësirat e politikës shqiptare do të jenë të kufizuara, po ashtu dhe pushteti i Kryeministrit.

Prandaj, një diskutim tjetër është nëse i meritojmë negociatat ose jo, dhe tjetër është nëse çelja e tyre e ndihmon Shqipërinë apo jo. Është fare e qartë, se hapja e negociatave vetëm sa e përparon politikën dhe shoqërinë shqiptare. Këtë gjë na e ka treguar historia me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Askush nuk mendon se Shqipëria e meritonte anëtarësimin në NATO për standardet që kishte ushtria jonë. Mirëpo, tanimë që jemi vend anëtar i saj, ushtria dhe siguria shqiptare është futur në një dimension tjetër, totalisht në favor të vendit.

Ka një kontradiktë tjetër në logjikën e Fatos Lubonjës. Nga një anë, mendon se e gjithë politika shqiptare është e kapur nga bandat dhe e korruptuar; nga ana tjetër, shpreson se Shqipëria mund të vetërregullohet. Si mund të bëhet e mundur një gjë e tillë, kur çdo qelizë e politikës shqiptare është e kapur sipas mendimit të Lubonjës?!

Kështu që, nuk ka rrugë tjetër, që politika shqiptare të rregullohet përveçse imponimit dhe shtrëngimit që vjen si pasojë e të qenit pjesë e Bashkimit Europian. Misioni i BE dhe ai ndërkombëtar në Shqipëri, mund të ketë 100 mëkate, por nëse gjatë tranzicionit do të mungonte prezenca e tyre, as që dua ta imagjinoj se çfarë mund të ndodhte me këtë vend, duke parë klasën politike që kemi pasur.

Komento

Komente

  • Iliri: 13/06/2018 21:37

    Po na e ça b**en ky lubonja e leshit.

    Përgjigju
  • redi: 06/06/2018 11:23

    Hapja negociatave eshte event dhe ndihme e madhe per shqiptaret ,dhe jo per antishqiptaret . Lubonja eshte ne vazhden e nje cmire per Ramen ( qe ta kete) duke hedhur deshiren per mos miratim ,te hapjes se negociatave vetem qe mos i rritet prestigji Rames . Ky kodosh analist me trauma psiqike ,nuk kupton se demin me te nadh ja ben vet popullit te tij . Eshte mekat qe qenie te tilla jane anetar te nje shoqerie qe vet e urrejne. BE do hapi negociatat jo per politikanet ( te gjithe njesoj) por per popullin e jeq trajtuar 27 vjet rresht ne demokrature

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?