Foto ilustruese

Administrata/ Pas ministrive, ristrukturim të gjitha drejtorive

10 Prill 2018, 07:29| Përditesimi: 10 Prill 2018, 09:43

  • Share

Departamenti i Administratës Publike ka një plan konkret për vijimin e reformës në administratë gjatë këtij viti, reformë e cila ka nisur që pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit 2017, kur shqiptarët i besuan Partisë Socialiste të qeverisë e vetme Shqipërinë.

Në raportin për veprimtarinë vjetore, depozituar për shqyrtim dhe miratim në Parlament, Departamenti i Administratës Publike i prezanton Kuvendit edhe një plan me 10 pika për reformës në administratë. Një nga pikat parashikon vijimin e ristrukturimit të degëve të administratës publike, duke e nënë theksin tek eliminimi i mbivendosjes funksionale midis strukturave ekzistuese, proces i cili pritet të prodhojë largime të punonjësve nga administrata.

Procesi i ristrukturimit do të konsistojë gjithashtu në bashkimin e institucioneve kur është e nevojshme si dhe në rishikimin e funksionit, rolit dhe të organizimit strukturor të institucioneve. Gjatë javëve dhe muajve në vijim, reforma do të fokusohet tek përshkimi i vendeve të punës si dhe në verifikimin e integritetit të kandidatëve për t’u punësuar në administratën publike. Në këtë kuadër, do të hartohet një grup pyetjesh për të vlerësuar integritetin e kandidatëve, sidomos të atyre që synojnë që të bëhen pjesë e trupit diplomatik.  

Plani i ri me 10 pika për vijimin e reformës në administratë

• Hartimi dhe miratimi i Planit te ri të aktiviteteve për t’u zbatuar për periudhën 2017 2020, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2015-2020, duke siguruar edhe nevojat financiare në kuadër të Programit Buxhetor Afatmesëm.

• Forcimi i kapaciteteve të DAP dhe njësive të burimeve njerëzore në institucionet e administratës shtetërore, për të çuar përpara reformën në shërbimin civil, nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme për kuptimin e politikave të menaxhimit të burimeve njerëzore, ndërlidhjen dhe efektet e tyre. Fokus i veçantë do t’i kushtohet unifikimit të praktikave për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe planifikimit të burimeve njerëzore në shërbimin civil.

• Ndërtimi i institucioneve të administratës shtetërore. Gjatë vitit 2018 do të kryhet rishikimi funksional strukturor i institucioneve të administratës shtetërore, në drejtim të:

(i) Përcaktimit të tipologjisë së institucioneve dhe metodologjisë së vlerësimit të perfomancës së tyre në vijim;

(ii) Identifikimit të rasteve ku ka nevojë që të eliminohen mbivendosjet funksionale midis strukturave ekzistuese;

(iii) Identifikimit të rasteve ku ka nevojë të rishikohet funksioni, roli dhe organizimi strukturor i institucioneve;

(iv) Shqyrtimit të rasteve ku shihet i nevojshëm bashkimi i dy apo më shumë institucioneve, apo krijimi i institucioneve të reja;

(v) Shqyrtimit të rasteve kur është e nevojshme që për institucionet të ndryshojë pozicionimi i tyre.

• Përmirësimi i cilësisë së përshkrimeve të punës, duke hartuar përshkrime të përgjithshme të punës të cilat do të shërbejnë si baza e hartimit të përshkrimeve specifike të punës, gjë që ndikon edhe në përcaktimin e kritereve të unifikuara për grupet e pozicioneve të ngjashme, e si rrjedhim edhe në rritjen e cilësisë së procesit të rekrutimit.

• Përmirësimi i procesit të përzgjedhjes dhe vlerësimit të kandidatëve që konkurrojnë për t’u bërë pjesë e administratës shtetërore, duke rritur kapacitetet vlerësuese të anëtarëve të komiteteve të pranimit, nëpërmjet trajnimit me metodat bashkëkohore të vlerësimit.

• Zbatimi i mekanizmave ligjorë për të testuar dhe verifikuar paraprakisht integritetin e kandidatëve për vende pune dhe në vijimësi integritetin e punonjësve, në administratën publike, nëpërmjet:

(i) Përdorimit të pyetjeve që vlerësojnë integritetin e kandidatëve, duke bërë pjesë të procesit të përzgjedhjes testimin e elementëve që lidhen me ndershmërinë dhe integritetin e individëve, të cilët punësohen në sektorin publik si parakusht për parandalimin e korrupsionit;

(ii) Verifikimit paraprak të të gjithë punonjësve që emërohen në pozicione të shërbimit civil, trupin diplomatik, si dhe në çdo nivel drejtues në administratën publike, bazuar në ligjin 138/2015.

• Zbatimi i mëtejshëm i vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe rikthimi në detyrë i nëpunësve civilë gjyqfitues. Zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë vazhdon të mbetet një ndër çështjet që kërkon vëmendje të shtuar nga DAP dhe institucionet e administratës shtetërore. Në këtë aspekt fokusi vazhdon të mbetet:

(i) Rritja e cilësisë së administrimit të dokumentacionit të nevojshëm (dosjeve personale të nëpunësve të larguar), me qëllim zbatimin e saktë të detyrimeve ligjore që burojnë nga këto vendime;

(ii) Vlerësimi rast pas rasti i secilit vendim dhe detyrimeve që burojnë prej tij;

(iii) Detyrimi i institucioneve të administratës shtetërore për të përdorur sistemin online të raportimit të të dhënave gjyqësore.

• Zhvillimi i mëtejshëm i metodave inovative për të përmirësuar dhe lehtësuar komunikimin dhe ndërveprimin mes institucioneve publike dhe qytetarëve, nëpërmjet:

(i) Transformimit të faqes zyrtare të DAP në një portal për të gjithë administratën publike, ku informacioni të jetë i thjeshtë për t’u aksesuar dhe i lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë, qofshin këta qytetarë, nëpunës civilë apo kandidatë potencialë;

(ii) Modernizimi i mekanizmave raportues të institucioneve përmes përdorimit të një rrjeti informativ specifik për burimet njerëzore, me qëllim jo vetëm shkëmbimin e informacionit, por dhe bashkëpunimin me DAP për menaxhimin e burimeve njerëzore.

• Shtrirja në shkallë të gjerë dhe vënia në funksionim të plotë e Sistemit Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (SMIBNJ/HRMIS).

(i) Shtrirja e SMIBNJ/HRMIS në të gjitha institucionet e administratës shtetërore jo pjesë e shërbimit civil, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore;

(ii) Gjenerimi pagave nëpërmjet SIMBNJ/HRMIS për të gjitha institucionet e administratës shtetërore pjesë e shërbimit civil.

• Forcimi i vazhdueshëm i ASPA si ofrues i trajnimeve për shërbimin civil dhe kryerjen e studimeve dhe hulumtimeve në fushën e administratës publike:

(i) ASPA do të punojë për rritjen e cilësisë dhe sasisë së trajnimeve që ofron nëpërmjet:

(i/1) Zbatimit të programeve të trajnimit, veçanërisht për TND dhe nëpunësit në njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore;

(i/2) Rritjes njëkohësisht së cilësisë si në aspektin organizativ ashtu edhe të përmbajtjes dhe rritjes së volumit të trajnimeve për nëpunësit civilë;

(i/3) Realizimit të vlerësimeve 6-mujore mbi matjen e ndikimit të trajnimeve në performancën e nëpunësve civilë, për të përmirësuar dhe përshtatur programin e trajnimit.

(ii) Në aspektin e kontrollit të cilësisë, ASPA synon:

(ii/1)S e cilësisë në çdo aspekt të ciklit të trajnimit;

(ii/2) Prezantimin e sistemit të krediteve në programin e trajnimit, duke bërë të detyrueshëm një set trajnimesh të nevojshëm për nivele dhe pozicione të ndryshme në shërbimin civil.

(iii) Në aspektin e qasjes së zhvillimit të trajnimeve dhe logjistikës, ASPA synon:

(iii/1) Përmirësimin e kushteve të trajnimit në mjediset e ASPA (rikonstruksioni i sallave të trajnimit, sistem kondicionimi);

(iii/2) Vënia në dispozicion të nëpunësve civilë e librarisë online të materialeve të trajnimit, si dhe rritja e volumit të përdorimit të metodave inovative të trajnimit nëpërmjet e-learning dhe e-training.

Dokumenti i plotë i raportit të DAP

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?