Real Madrid i ka treguar edhe njëherë Barcelonës se këtë sezon katalanasit nuk mund të maten me ta. ‘Galaktikët’ kanë fituar 2-1 edhe El Clasico-n e dytë, duke u ngjitur në krye të klasifikimit me 66 pikë, po aq sa Atletico Madrid që ka një ndeshje më pak.
Në ‘Alfredo di Stefano Stadium’ ndeshja u zhbllokua që në minutën e 13, me Benzema-n që ekzekutoi në mënyrë të përkryer me thembër. Në pjesën e parë dukej një Barcelonë e fikur dhe nga kjo përfitoi skuadra e Zidan, që me Toni Kros dyfishoi shifrat, falë edhe një devijimi.
Në pjesën e dytë Barcelona ndryshon skemë dhe lojtar. Për pasojë të presionit në rritje Mingueza shkurton shifrat në minutën e 60, duke rihapur sfidën. Deri në fund katalanasit tentuan në të gjithë mënyrat, por nuk e evituan humbjen. Për t’u veçuar një episd në minutën e 83 me Mendy-n që rrëzoi brenda zonës sulmuesin Braithëaite. Për arbitrin asgjë, madje edhe VAR nuk ndërhyri duke sjellë irritim të katalanasit. Gjithsesi po të mos kishte qenë për tranversën e sekondave të fundit ndeshja do ishte mbyllur në barazim.
Pavarësisht humbjes Barcelona mbetet në garë për titull, pasi në rastin më të keq shkon -4 pikë nga Atletico kur kanë mbetur edhe 8 javë kampionat.
Ndërkohë në Seria A Milan ka hedhur një hap të sigurtë drejt konsolidimit të vendit të dytë, pasi ka mposhtur 1-3 Parmën për llogari të javës së 30 të Seria A. Djalli shënoi që në minutën e tetë me Rebic, ndërsa në fundin e pjesës së parë dyfishoi me Kessie. Goli i vendave në pjesën e dytë ndikoi vetëm në ritmin e ndeshjes, pasi Leao në sekondat e fundit vulosi gjithçka. Për t’u veçuar edhe kartoni i kuq i Ibrahimovic, i cili u ndëshkua pasi ofendoi arbitrin.