Raportimi etik mbi fëmijët, Hysi për Report Tv: Duhet ndërgjegjësim i institucioneve dhe gazetarëve

12 Korrik 2019, 17:37| Përditesimi: 12 Korrik 2019, 17:48

  • Share

Në kryesinë e kuvendit u mblodh gjatë ditës së sotme, tryeza e diskutimit me temë "Fëmijët në Median Audiovizive". Kjo mbledhje u bë në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe Grupit të deputetëve "Miqtë e fëmijëve", nën kujdesin e zv/kryetares së Kuvendit Vasilika Hysi. Temë kryesore në këtë tryezë diskutimi ishte aspekti i mbulimit të mediave audiovizive dhe problematikat që lidhen me fëmijët. Po ashtu, u prezantua edhe studimi i realizuar nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve në partneritet me UNICEF, mbi “Portretizimin e fëmijëve në media: Raportimi etik mbi fëmijët”.

Ndër cështjet kryesore që u diskutuan ishin dhe rastet e identifikimit të drejtë dhe të padrejtë të fëmijëve në lajm, pra mbrojtja apo jo e tyre. Zv/kryetarja e kuvendit, Vasilika Hysi, u shpreh për Report Tv, se problemi nuk qëndron tek ligji, por tek zbatimi i tij dhe ndërgjegjësimi i institucioneve dhe gazetarëve. “Nuk është problemi i ligjit, ligji është mirë në lidhje me këtë cështje, parimet standarde janë shumë mirë, problemi është zbatimi i ligjit dhe rritja e sensibilizimit të të gjithë institucioneve por dhe te gazetareve. Unë personalisht mendoj që me brezin e ri të gazetarëve që punojnë në shumë media, dhe me informimin e vazhdueshëm të tyre dhe trajnimin, rritjen e kapaciteteve të tyre për parimet dhe standardet e trajtimit të fëmijëve, programet dhe mënyra se si do të transmetojnë problematikat që kanë familjet dhe fëmijët mund të përmirësohen”-u shpreh Hysi

Ndërsa Milva Ekonomi, zv/kryetare e Komisionit të Edukimit dhe Mediave të Informimit Publik, tha se ndër konkluzionet kryesore që u arritën nga ky diskutim, ishte dhe nevoja e bashkëpunimit me disa institucione si shkolla, shoqatat e prindërve, policia e gjykata. “Bashkëpunimi me disa institucione sikur është për shembull shkolla, siç është shoqata e prindërve, siç janë për shembull policia apo gjykata, siç është për shembull autoriteti shtetëror i mbrojtjes së fëmijëve, kanë nevojë që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Tjetër gjë shumë e rëndësishme që doli si konkluzion ishte që në këto kushte që jemi në sot në shoqërinë shqiptare ka nevojë për të pasur një portret të adoleshentit të sotëm dhe fëmijës së sotëm”-u shpreh Ekonomi. Tryeza të tilla diskutimi do të vijojnë të zhvillohen,por me tematika të ndryshme, pasi detyra e kuvendit është monitorimi i vazhdueshëm i zbatueshmërisë së ligjeve.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?