Politikë

Raporti paralajmërues: Dyshimet e partive për tradhti nga komisionerët rreziku numër një për zgjedhjet e 25 prillit

13 Prill 2021, 16:09| Përditesimi: 13 Prill 2021, 16:13

  • Share

TIRANË- Dyshimet për tradhti dhe mosbesimi i madh i partive politike tek komisionerët dhe sidomos numëruesit tyre, duke pasjellë zëvendësimin e të dyshuarave në minutat e fundit, në çdo rast dhe në çdo kohë, konsiderohet si rreziku numër një për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në një raport që ka dërguar në Kuvend për veprimtarinë gjatë vitit 2020, thekson se zëvendësimi i anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve nga partitë politike, edhe në ditën e zgjedhjeve, kur KQZ ka përmbyllur kalendarin e trajnimeve, cenon rëndë procesin zgjedhor, për shkak se komisionerët e sapoemëruar nuk i njohin procedurat, pasi nuk janë të trajnuar.  

Në raport thuhet se “mosnjohja e procedurave përbën shkak për shkelje të ligjit, debate mes komisionerëve, vonesa në hapjen e qendrave të votimit, vonesa në fillimin e votimit, madje edhe në pezullim të votimit për të korrigjuar parregullsitë e shkaktuara në administrimin e materialit zgjedhor nga komisionerë të patrajtuar”. Pasoja edhe më serioze, sipas KQZ, sjell zëvendësimi i numëruesve nga partitë në minutat e fundit dhe gjatë procesit të numërimit, për shkak të dyshimeve të blerjes së numëruesve nga partia kundërshtare.

Gjatë gjashtë palë zgjedhjeve të fundit, zëvendësimi i komisionerëve nga partitë politike në mes të procesit ka arritur deri në 38 %. Pavarësisht se zëvendësimi i komisionerëve në çdo kohë nga partitë politike ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i KQZ dhe OSBE/ODIHR, mes partive politike ka pasur një konsensus të heshtur për të mos i dhënë fund këtij fenomeni. Edhe në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, partitë politike mund t’i zëvendësojnë në çdo kohë komisionerët e propozuar.  

Sipas Kodit të ndryshuar në vitin 2020, partia politike mund të zëvendësojë në çdo rast anëtarin e KZAZ-së, ndërsa për anëtarin e qendrës së votimit, është krijuar mundësia e dorëheqjes, çka detyron KZAZ-në ta zëvendësojë brenda dy orëve me propozim të partive përkatëse. Gjithashtu, në zgjedhjet e 25 prillit 2021, partitë kryesore politike mund të ndryshojnë numëruesit, tek të cilit dyshojnë për tradhti. 

Numri i zëvendësuar komisionerëve sipas zgjedhjeve 
28% në zgjedhjet për Kuvendin 2009
26% në zgjedhjet vendore 2011
36% në zgjedhjet për Kuvendin 2013
38% në zgjedhjet vendore 2015
18% në zgjedhjet për Kuvendin 2017
18% në zgjedhjet vendore 2019

Raporti i KQZ-së për Kuvendin

 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?