Raporti i SPAK: Biznesmenët lokalë bëjnë lidhjet e policëve me bandat e krimit

5 Prill, 15:46| Përditesimi: 5 Prill, 16:13

  • Share

TIRANE- “Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta.” Kjo deklaratë e kreut të SPAK, Altin Dumani, në raportimin vjetor para Këshilli të Lartë të Prokurorisë të enjten, paralajmëron se goditja e efektivëve të Policisë së Shtetit tregon distancimin që dy organizatat kanë ndaj njëra-tjetrës në rastet kur hetohen grupet kriminale të drogës, apo të vrasjeve. SPAK, në raportin vjetor të vitit 2023 ngre shqetësimin e bashkëpunimit të krimit me policinë.

“Vërehet një bashkëpunim i grupeve kriminale me oficerët e Policisë së Shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë luajtur role të ndryshme, duke filluar që nga dekonspirimi i operacioneve policore, njoftimi për personat kundërshtar të vënë në shënjestër nga grupet kriminale, dhënie informacioni për individë të ndryshëm, dhe aktivitetet të tjera në pengimin e drejtësisë”, thuhet në raportin e SPAK.

Sipas SPAK, ndërlidhja e policisë me anëtarë të grupeve kriminale është bërë me bekimin e biznesmenëve, kryesisht lokal, të cilët përveçse bëjnë biznes me ta, i ndihmojnë edhe në raport me organet e drejtësisë, siç në fakt e tregoi qartë dosja “Metamorfoza” e korrikut të vitit të shkuar.

 

“Një veçori tjetër, është edhe përfshirja e biznesmenëve të fuqishëm kryesisht në nivel lokal të cilët luajnë rolin e ndërmjetësit kyç, ku përveç marrëdhënieve tregtare, ju kanë ofruar këtyre grupeve lidhjet e tyre në Policinë e Shtetit, organet e drejtësisë dhe administratës publike, kryesisht në dhënien e informacioneve ose kontakteve me të tretët”, thuhet në raportin e SPAK.

Prokuroria e Posaçme ngre shqetësim edhe për një tjetër kategori zyrtarësh, të cilët shpesh herë janë në anën e krimit.

“Një karakteristikë shqetësuese është dhe përfshirja e personave kyç në jetën komunitare, siç janë edhe Kryetarët e Fshatrave (kryepleqtë), të cilat janë përfshirë qoftë drejtpërdrejt në aktivitete kriminale ose në mënyrë indirekte duke shpërdoruar detyrën ose duke mos kallëzuar krimin”, thuhet në raportin e SPAK.

Gjatë vitit 2023, SPAK përmbylli disa dosje të rëndësishme, përmes së cilave pas hekurave përfunduan emra të njohur të bluve, deri në rangjet më të larta drejtuese. Nga kontaktet e shefave me anëtarë të grupeve kriminale për t’u krijuar favore, deri tek përfshirja e tyre direkt për të dërguar drejt plumbit individ të veçantë.

Rasti më bujshëm i vitit të shkuar ishte arrestimi i shefit të Operacionales, Oltion Bistri, i cili po hetohen në masë “arrest në burg” në dosjen “Metamorfoza”. Bistri, i cili u shfaq në komunikimet e aplikacionit “SkyECC” rezultoi me komunikime të vazhdueshme me biznesmenin Pëllumb Gjoka, të cilit jo vetëm i garantonte se do i mbante të paprekur kazinonë, por raportonte edhe për operacionet dhe kontrollet e befasishme që kryente policia.

Fraksioni i dytë i dosjes “Metamorfoza” çoi në pranga Dedan Gjonin, ish-shefin kundër krimeve, i cili zgjodhi skenar filmash për eliminimin e Xhevdet Plakut pranë Komisariatit të Shijakut, aty ku e nxori në pritë dhe po vetë e largoi prej frikës së dekonspirimit. Jo më pak i rëndësishëm ishte arrestimi i shefit të Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, i arrestuar në operacionin “Flakë në Det”, i cili ishte kthyer në “gardianin” mbrojtës të kriminelëve të Fushë Kuqes, kryesuar nga Gëzim Çela.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?