Raporti i sigurimit, ja ç’thonë të
burgosurit në Korçë,Shkodër,Durrës..

24 Qershor 2016, 08:11| Përditesimi:

  • Share
Gjendja e burgjeve dhe e të burgosurve në fund të viteve ‘40, duhet të ketë qenë një prej preokupimeve themelore për regjimin komunist, pasi kundërshtarët më të rreptë të tyre ishin arrestuar e dënuar pothuajse të gjithë. Tashmë në burgjet ku ata vuanin dënimin vëzhgoheshin rreptësisht nga angazhimi i tyre në punët e detyruara, deri tek opinionet që ata ndanin mes tyre.

Dokumneti i sotëm, një prej raporteve informative të janarit 1948 na sjell gjendjen e disa prej burgjeve, si ai i Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës, Durrësit dhe Burrelit. Po ashtu janë mbledhur e raportuar në imtësi nga bashkëpunëtorët e Sigurimit edhe opinionet e të burgosurve kryesisht për faje politike.
Duke parë mënyrën se si janë hartuar këto raporte dhe llojin e informacionit që raportohet, kuptojmë edhe vigjilencën e regjimit për të mos i shpëtuar asgjë informacion për këtë kategori, e vetmja që mund të rrezikonte të ardhmen e pushtetit që u mor me dhunë menjëherë pas Luftës. Më poshtë sjellim të plotë informacionin e raportuar për këto burgje me 24 janar 1948. 
Ad.Pe.

 
DEGA PËR ZBATIMIN E DËNIMEVE
D. 24.I.48
 
RELACION INFORMATIV MBI BURGJET

 
KORÇA: Pandeli Nova thotë se tani diçka do të kemi me formimin e qeverisë greke. Thotë se shtetet e Ballkanit do ta ndihmojnë qeverinë provizore kështu që vetvetiu do të niset një luftë, por neve paskemi qenë budallenj që blinim tokë dhe nuk bënim paratë florinj që t’i kishim pa të na mbanin në burg sa të donin. Unë kam hequr kohëra më të kritikshme dhe nuk jam bërë merak, dhe jo këtu. Po kështu dhe i burgosuri Nesim Nazarko kur erdhi një i burgosur nga ana e tij dhe e pyeti “Ç’kemi?”, ai i tha: “Ç’pyet ç’kemi, policia kontroll të njëpasnjëshëm po bën për armë dhe bereqet; ushtria është afruar afër kufirit afër tri-urave”. Në këto thënie të Baki Bektashit ka qenë dhe i burgosuri Xhevat Agolli dhe iu tha këtyre që neve po na mundojnë shumë, Nesim Nazarkoja tha:

“Le të na mundojnë sa të duan por emrat tanë do të vijë një ditë që do të shkruhen me shkronja t’arta”. Po kështu thonë dhe gjithë tregtarët që janë burgosur për mos pagimin e tatim-fitimit të jashtëzakonshëm. Këta të gjithë kanë para por thonë: “A paguhen të shkretat s’janë pak, janë florinj, a nxirret i shkreti; pa dhe sikur t’i paguash a të lënë rehat këta, gjene në burg të fusin”. Kulakët që dhe këta presin se mos bëhet ndonjë ndryshim thonë: “Gjithë ky kazan që zien diçka do të nxjerrë, atje ku ka rrjedhur do të pikojë. Vili Eqimi me profesion profesor ka thënë me shumë kufizim ndër elementët e kategorisë së tij, se paqja botërore nuk ka për t’u bërë, se Konferenca e Paqes u shkatërrua dhe se nuk do të mblidhen më Ministrat e Jashtëm.

Xhevit Sina ka thënë se pritet për së shpejti që vendi ynë do të shkelet nga grekët dhe nga anglo-amerikanët. Vasal Kondi me rastin e faljes të një pjese të burgosurish, ka thënë se këta po lirojnë gjithmonë të vobektit dhe fshatarët dhe për ne qytetarët është shumë zor lirimi. Pandeli Nova me rastin e lirimit të një pjese të burgosurish ka thënë: “Këta i marrin dhe i futin të pafajshëm në burg, dhe rrinë 5-6 muaj dhe i falin, për të fituar simpati nga të burgosurit dhe në popull”. Kristaq Faberi ka thënë që “mua s’më vjen keq se më kanë marrë në qoftë se kisha faj, por më kanë marrë të pafajshëm dhe nuk e gjykojnë fare çështjen”. Ibrahim Vashtemija tha se “kur nuk u liruam këtë radhë, kurrë për të liruar nuk kemi, por ç’do të na bëjnë, mish nuk do të na hanë, do të na vijë edhe neve dita”.
Kur mbante fjalën Gjeneral-Lejtnant Koçi Xoxe dhe kur zuri në gojë për tregtarët, bejlerët, hajdutët, Misto Lakoja tha se “keni të drejtë se po të mos kishim fituar neve që na i muart do t’ju shihnim”.

Këto ditë nuk kemi pasur të burgosur në punë, me përjashtim të 4-5 teknikëve, por me përmirësimin e konditave atmosferike do të nxjerrim të burgosurit në punë, forcat që do të sigurojnë të burgosurit në punë do të rrinë gjithë ditën në detyrë pa u ndërruar fare në mënyrë që u takon shërbim dhe natën, kështu që nuk do të kenë pushim. Prandaj meqë kërkesat nga entet e ndërmarrjeve të punës janë të shumta për të marrë të burgosur në punë, del i nevojshëm shtimi i forcave të rojeve për t’i plotësuar të gjitha nevojat e enteve.

Konferenca edukative e politike nuk janë zhvilluar, kurset kundra analfabetizmit nuk funksionojnë, gazeta e murit nuk ka dalë. Biblioteka e formuar rishtas frekuentohet nga një pjesë e mirë të burgosurish.
Lokalet e burgjeve nga ana e sigurimit janë në gjendje të mirë.
Personali i rojeve si të jashtmit dhe të brendshmit dhe të shoqërimit në punë, shërbimin e kryejnë me zell.
 
 
SHKODRA: Për arsye të motit të keq gjatë këtyre ditëve kanë marrë pjesë në punë një sasi e vogël prej 60 të burgosurish në ditë që kanë punuar ndër ndërmarrje të ndryshme.
Kurset kundër analfabetizmit këto ditë janë duke shkuar edhe më mirë për arsye të caktimit të tre mësuesve nga ana e Seksionit të Arsimit, për të drejtuar këto kurse. Kurset janë të ndara në katër kategori. Çdo mësues ka kategorinë e tij. Përfitimi i kursistëve gjatë këtyre ditëve ka qenë mjaft i mirë, kurset profesionale vazhdojnë të ndiqen në rregull, një pjesë e kursistëve pa përfituar mirë, kurse pjesa tjetër disi.

Marrëdhëniet me gjykatat nuk kanë qenë të mira nuk janë dërguar në rregull akt-vendimet me gjithë kërkesat tona të herë pas hershme.
Të burgosurit mbajnë qëndrim indiferent me përjashtim të disa elementëve që ndër biseda mundohen për të mbajtur lart moralin e të tjerëve, duke i mbajtur me shpresë në ndonjë ndërhyrje nga jashtë si: Nush Banda, Shaqir Meta, Ibrahim Sokoli, Ramadan Sokoli, Çesk Jakova dhe Maliq Bushati, por këto janë goditur në çast në dhomë në mes të burgosurve.

Lokalet janë të siguruara mirë. Rojet kryejnë me koshiencë detyrën që u ngarkohet. Disiplina ka qenë e shëndoshë me përjashtim të policit Jonuz Agaçit të cilin në datën 8.I.1948 rreth orës 11 të mbrëmjes e gjen në gjumë në trupin e rojës tetari i rojës. Gjatë këtyre ditëve janë zënë 9 shishe me vaj-ulliri që ishin dërguar për tregtarët e tatuar nga familjet e tyre, në vend të vajit të peshkut, të cilët ndër shishe kishin vënë recetat e doktorit sikur gjoja të ishin me vaj peshku. Këtë sasi vaji seksioni i P. Brendshme i dha urdhër drejtorisë së burgut, që t’u bëhesh një ëmbëlsirë me rastin e përvjetorit të dytë të Republikës gjithë rojeve të burgut si shpërblim i vigjilencës së treguar.
Për mungesë fondesh, të burgosurit kanë mbetur 3-4 ditë pa zjarr.
 
 
GJIROKASTRA: Të burgosur të futur në punë për çdo ditë kanë qenë 42, rendimenti i tyre në punë për arsye të kohës së keqe nuk ka qenë dhe aq i mirë. Zdrukthëtaria ka nxjerrë 25 dollapë të arsimit dhe ka bërë meremetime të ndryshme. Rrobaqepësia ka nxjerrë 17 kostume të reja, 7 xhaketa, si dhe kthime e meremetime të ndryshme. Këpucëtaria ka nxjerrë 80 palë këpucë të riparuara, 15 palë të reja, 23 palë kapakë e riparime të ndryshme.
Kurset kundër analfabetizmit janë dy të cilët ndiqen nga 30 veta, nga mësimet kursistët venë mirë. Gazeta e murit ka dalë një herë.
Me rastin e faljes të një pjese të burgosurish, nga një pjesë janë dëgjuar fjalë të mira për pushtetin. Kanë thënë se pushteti faljet i bën me vend dhe në kohën kur i burgosuri jep prova përmirësimi lirohet, dhe neve po të përmirësohemi qind për qind pushteti do të na lirojë.

Pjesa intelektuale ka thënë se kjo falje ka liruar të gjithë ata të humburit po të ishte që sikundër thonë që të liroheshin të gjithë ata që janë përmirësuar këtu në burg ka shumë për t’u liruar, me këto fjalë duan të mbajnë afër disa të burgosur, që kur të hedhin parulla t’u zënë vend dhe të mos demaskohen nga të tjerat. Rojet e burgut si të brendshmit dhe të jashtmit detyrën e kanë kryer mirë.
 
 
DURRËSI: Gjatë këtyre ditëve kanë marrë pjesë në punë për çdo ditë 180 të burgosur ordiner dhe armiq populli.
Kurset kundra analfabetizmit vazhdojnë në rregull. Nga të burgosurit armiq populli që u liruan dhe që merrnin pjesë në këto kurse ishin 40, nga të cilët 32 dolën të mësuar shumë mirë, dhe 8 të tjerët disi.

Falja që u bë për një pjesë të burgosurish u prit me kënaqësi të madhe nga të gjithë. Të burgosurit armiq populli të dënuar me 30-20 vjet kanë thënë: “neve sa na mbajnë kot, më mirë të na vrasin, se për neve nuk ka falje, mbasi për neve nuk është bërë ndonjë zbritje nga dënimi i dhënë”.
Sigurimi i burgut ordiner si brenda dhe jashtë nuk është dhe aq i mirë, mbasi ky ka disa penxhere të pa ujdisura akoma, për arsye se nuk ka çimento, gjithashtu përbrenda do riparuar në disa vende që janë prishur. Sigurimi i burgut të armiqve të popullit është i mirë. Për sa i përket rojeve të burgjeve si të brendshmit dhe të jashtmit kanë kryer mirë detyrën që u është ngarkuar. Ndonjë familjaritet me të burgosurit nuk është konstatuar përkundrazi vihet re që rojet të shtojnë urrejtjen kundra tyre dhe të vigjilojnë çdo veprimtari të burgosurve.

KUKËSI: Me përjashtim të dy të burgosurve që kanë punuar për nevojat e seksionit asnjë i burgosur tjetër nuk ka dalë në punë gjatë këtyre ditëve.
Kursi kundra analfabetizmit i kompletuar kohët e fundit me të gjitha mjetet e mësimit vazhdon rregullisht. Nuk është bërë ndonjë konferencë edukative gjatë këtyre ditëve.
 
BURRELI: Në lidhje me situatën është komentuar nga intelektualët në këtë mënyrë: Deri në muajin mars të këtij viti do të ndërrohet kabineti në Angli dhe do ta marrë kryesinë Çurçilli me Ministër të Jashtëm Edenin dhe mbasi të hyjnë këta në fuqi patjetër do të filloj lufta për kundra BS dhe me siguri që do të fitojnë këta mbasi gjithmonë kapitali fiton. Komentohet nga disa mbi largimin e Molotovit që ranë në mosmarrëveshje, se prapa do të vazhdojnë mbledhjen tre të mëdhenjtë, mirëpo disa e kundërshtojnë duke thënë se kjo nuk mund të ngjasë mbasi anglo-amerikanët u bënë vetë shkaktarët e prishjes që Molotovi u largua nga Konferenca. Është komentuar se fuqitë perëndimore kanë përkrah tyre 25 milion ushtarë japonezë, kanë përveç kësaj Kinën, Indinë, Gjermaninë dhe shumë vende të tjera që kanë urrejtje të madhe për komunizmin. Është komentuar se lufta më parë do të filloj në Bullgari se aty i pritet rruga Bashkimit Sovjetik dhe kështu të gjitha këto vende do të dorëzohen pa kusht.

Është komentuar mbi luftën që zhvillohet në Kinë nga ana e komunistëve, se kjo luftë e kryengritësve ndihmohet shumë nga ana e Bashkimit Sovjetik për të përgatitur një revolucion të përgjithshëm me rastin e një lufte të tretë që mund të bëhet midis BS dhe anglo-amerikanëve në Lindjen e largët. Është komentuar mbi formimin e qeverisë greke dhe mbi marrjen në dorëzim të fuqive ushtarake greke, nga ana e amerikanëve se kjo masë që merret është për zhdukjen e komunizmit në Greqi, dhe për forcimin e një blloku kundra BS dhe për shkarkimin që do të bëhet këtë vit në Bullgari-Jugosllavi dhe Shqipëri.

Është komentuar se posta që nuk vjen e përditshme, kuptohet se nuk i kanë punët mirë, mbasi makinat i kanë okupuar në lëvizje ushtarake, thonë se fjalimi që ka mbajt Komandanti në Kuvendin Popullor mbi traktatin me Bullgarinë është plot zemërim kundra anglo-amerikanëve, kjo tregon se gjendja dita ditës po keqësohet më tepër. Është komentuar mbi gjyqin që po zhvillohet në Tiranë mbi Islam Radovickën, Kostandin Boshnjakun e grupin e oficerëve se ky gjyq që po bëhet me dyer të mbyllura ka një rëndësi të madhe, dhe se në ushtri ka patjetër një disfatizëm prandaj nuk i lënë portat e hapura se u dalin lakrat sheshit, se aty do të dalin lidhjet që kanë pasur me të jashtmit në lidhje me të arratisurit, dhe këto s’duhet t’i dëgjojë populli, dhe si duket këtë herë do të fillojë kasaphanë në këtë gjyq.
Sigurimi i burgut është i mirë, si nga brenda dhe jashtë, shërbimet janë kryer në rregull. Rojet janë treguar të kujdesshëm në detyrë dhe nuk është dëgjuar ndonjë ngatërresë në shërbimet.
 
BERATI: Në punë gjatë këtyre ditëve kanë marrë pjesë 82 të burgosur për çdo ditë ndër vende pune të ndryshme.
Me rastin e faljes të një pjese të burgosurish disa të burgosur armiq populli si: Tefik Çepelja, Ali Rizai, Ceno Velmialte dhe Xhevahir Beshiri nuk e pritën mirë këtë falje. Ata thanë se lirohen vetëm të vdekurit, punëtorët dhe fshatarët e varfër. Në lidhje me gjyqin që po zhvillohet tani kohët e fundit thonë se këta nuk janë të drejtë dhe janë të pamëshirshëm etj.

Kurset kundra analfabetizmit vazhdojnë në rregull dhe mësuesit që dirigjojnë këto kanë ardhur rregullisht.
Gjatë këtyre ditëve në të dy burgjet është bërë nga një konferencë politike mbi situatën ndërkombëtare. Nga këto konferenca kanë dalë pyetje dhe diskutime nga të burgosurit. Shumë të burgosur kanë mbetur të kënaqur nga këto konferenca dhe kanë kërkuar që të tilla konferenca të bëhen më të shpeshta.
Qëndrimi i rojeve të burgjeve është shumë i mirë, dhe nga kontrollet që janë bërë nuk është konstatuar ndonjë neglizhencë në detyrë.
 
PESHKOPIA: Për arsye të motit të keq, nuk kemi pasur të burgosur në punë.
Falja e një pjese të burgosurish u prit shumë mirë, si nga ata që u falën dhe nga ata që mbetën në burg, këto e pritën faljen me duartrokitje të nxehta dhe duke hedhur parulla të ndryshme si “Rroftë Pushteti Popullor”, “Rrofshin udhëheqësit”, “Rroftë Partia” etj.
Kurset kundra analfabetizmit vazhdojnë në rregull. Me rastin e lirimit të një pjese të kursistëve, kurset janë përgjysmuar, jemi duke caktuar të burgosur të tjerë për të vazhduar kurset.

Biblioteka frekuentohet nga një pjesë e mirë e të burgosurve që dinë të këndojnë. Gazeta “Bashkimi” komentohet çdo mbrëmje nga të gjithë të burgosurit. Gazeta e murit ka dalë një herë.
Shërbimi rojeve gjatë këtyre ditëve ka qenë i mirë, çdo shërbim që u është ngarkuar e kanë kryer mirë. Kundrejt të burgosurve mbajnë qëndrimin e urrejtjes.
 
VLORA: Nga të burgosurit që punojnë në Llakatund: Hajredin Meta u ka thënë një ditë të burgosurve në punë e sipër që “punoni me ngadalë mbasi puna e shtetit nuk mbarohet kurrë”. Në lidhje me arratisjen e të burgosurve në muajin e kaluar ka thënë i burgosuri Gjolek Bala se në muajin shtator ka dëgjuar Besim Greshicën që i thoshte Safet Abazit se afër kufirit greko-shqiptar ishte një shtëpi ku regjistroheshin gjithë ata që donin të kalonin kufirin, këtë gjë ai thotë se ia ka njoftuar rreshter Ibrahimit, dhe ky nuk ka raportuar drejtorinë.

Përveç kësaj këto ditë i burgosuri Novruz Bulla, na dorëzoi një revolver me anën e gruas së tij, të cilin e kishte pasur të fshehur në shtëpi. Edhe ky thotë se i kishte pas thënë rreshter Ibrahimit që po të donte të shkonte ta merrte revolverin në shtëpinë e tij. edhe për këtë rreshteri nuk ka raportuar, mbasi gjatë kohës që ka qëndruar në Llakatund me të burgosurin Novruz Bullën, ka bërë miqësi duke i qethur fëmijën Novruzit, ku ka shkuar dhe në shtëpinë e tij sipas zakonit me dhurata dhe ka qëndruar 24 orë. Kur ka shkuar ka kërkuar leje se gjoja do të shkonte te një mik tjetër familjar.

Nga ana tjetër kur rreshteri u arrestua, në kontrollin që iu bë në valixhe iu gjetën më se 60 tefter letër-cigare, afër 30 paketa cigare dhe 3-4 kg duhan të grirë. Siç kuptohet këto ishin nga ato që u jepte drejtoria e fermës për t’ua shpërndarë herë pas here të burgosurve, megjithëse ai deklaron që gjoja ka dërguar e i ka blerë në Tiranë me anën e personelit të fermës, por që nuk ka të ngjarë dhe nuk është e vërtetë. I burgosuri ordiner Adem Ceka ka biseduar me të burgosurin Skënder Çelo duke thënë se “Unë kur ishja në fermën e Mifolit kam patur qëllim që t’arratisesha, por n’ato ditë më ka ardhur vëllaj me gruan dhe më thanë mos ik, nga ana tjetër nuk gjej rast dhe nga rojet”.

Dhe i burgosuri Hekuran Bushi ka pasur qëllim për të ikur, dhe një ditë është bërë i sëmurë prej dhëmballës, ku me këtë rast i ka kërkuar tetarit që ta shpinte në Fier për të nxjerrë dhëmballën. Tetari me një polic e nisi për në Fier, porsa kaluar urën e Mifolit i burgosuri i ka thënë policit: “të shkojnë nga shtëpia ime dhe të hamë drekën”, mirëpo roja e kuptoi qëllimin e të burgosurit dhe e kthen prapë në fermë. Meçan Qazimi i ka thënë Skëndo Çelës se “ti je spiuni dhe mos u bën dallaveraxhi se për ata që bëjnë këto punë nga neve i pret plumbi, pse neve sado që jemi brenda në burg kemi njerz që punojnë për neve jashtë”. Rushit Grabova i ka thënë Skëndo Çelës se “neve e kemi hequr shpresën e lirimit nga Pushteti; vetëm se me punën tonë që do të bëjmë do të mund të lirohemi, por ti mos u trondit se neve aq më tepër forcohemi, dhe për këtë duhet të qëndrosh i fortë”.

Me rastin e faljes prifti Kozma Billa ka thënë që “u falën të gjithë muhamedanët, vetëm 4 kristianë u falën”. Nga shumica e të burgosurve është dëgjuar që të thonë se “kjo falje me të vërtetë na dha të kuptojmë se Pushteti paska mëshirë edhe për neve”. I burgosuri ordiner Ilia Papa i ka thënë Rushit Grabovës dhe Aristidh Ruçit se “unë pranoj të jem një xhandar i fashizmit se sa të jem nën kët regjim”, mirëpo kjo parullë është kundërshtuar nga vetë bashkëfolësit duke i thënë se “këta janë shqiptarë dhe nuk duhet t’i barazojmë me italianët”. Me rastin e lirimit është parë ndër të burgosurit në përgjithësi të përsërisin për disa të burgosur që u liruan, të cilët nuk mbanin qëndrim të mirë politik si p.sh. Rushid Grabova dhe Azis Sadedini të cilët janë demaskuar para të burgosurve për qëndrimin e keq që mbanin në burg. Lirimi i këtyre të burgosurve u ka bërë përshtypje të burgosurve, për arsye të qëndrimit të keq që këta kanë mbajtur në burg.
Kurset kundër analfabetizmit vazhdojnë në rregull. Konferenca gjatë kësaj jave nuk janë bërë. Rojet e burgjeve shikohen që të kryejnë shërbimet e tyre.
 
TIRANA: Çështja e faljes që u bë komentohet në shumë mënyra. Një pjesë e komenton kështu: Kur panë në gazetën “Bashkimi” se Hungaria kishte bërë një falje të burgosurish dhe Bullgaria bëri një falje pas disa ditësh, thanë se edhe Shqipëria do të bëjë një falje se këto si një bllok demokratik që janë kanë një vijë të përbashkët. Kjo bisedë ka qenë para se të bëhej falja. Falja u bë tani. Nga fshatarët është pritur mirë, kurse pjesa tjetër e komenton kështu: Hysen Çoçoli thotë: “Qeverija po mban mbrenda të gjithë intelektualët, tregtarët dhe bejlerët që janë dënuar me nga pak vjet, dhe lëshojnë fshatarët që janë dënuar me 30 vjet e 101 vjet, dhe tregtarët i quajnë kriminela lufte, dhe lirojnë ato që kanë qenë milica, kanë vjedhur dhe grabitur familjet dhe kanë luftuar kundra partizanve”.

Petraq Katrua dhe Beso Gega që pritnin shumë nga kjo falje, atë ditë e komentonin në këtë mënyrë: “Qeverija po fal hajdutët dhe kriminelët dhe po mban politikanët që nga 3 vjet, kurse në të gjithë vendet e botës bëhet e kundërta, ordinerët dënohen shumë rëndë dhe nuk kanë falje, dhe politikanët kanë privilegje, por edhe trajtohen më mirë se ordinerët”. Mehdin Kamberi, Asllan Ypi dhe të tjerët thonë se “Pushteti sotmë liron gjithë ata elementa që nuk i ka njeri në hesap d.m.th. të gjithë njerëzit e shtresës s’ulët”. Zija Çausholli nuk e quan falje këtë. Ai thotë: “Në burgun e Tiranës janë 500 veta dhe po bëjnë nga 4-5 vjet dhe u falën vetëm 27 veta”. Sherif Maçi dhe Mikel Kilica faljen që u bë e quajnë si “të imponuar nga jashtë gjoja nga anglo-amerikanët, se qeveria e sotme nuk bënte falje por dhe ata që u liruan ishin të gjithë të hurit dhe të litarit”.
Ferit Prenjasi, zbulimin e atomit nga anglo-amerikanët thotë se “tani u zbulua atomi i erdhi vdekja Bashkimit Sovjetik dhe nga prilli 1948 do të shohin këta se ç’kanë për të bërë anglo-amerikanët”.

Mbledhjen e 9 partive komuniste në Pragë e komentojnë në këtë mënyrë: “Bashkimi Sovjetik e pa rrezikun dhe prandaj ngriti Byron informative për të luftuar imperializmin, por anglo-amerikanët nuk tremben nga byroja informative, se kanë atomin”. Patër Meshkalla, para se të shpihej në Burrel u kish thënë: “Katolikë mbroni njëri-tjetrin, shtoni radhët tuaja se për së shpejti do të kemi një ndryshim situate”. Baballarët dhe hafëzllarët u thonë tarafit të tyre se “në Kuranin tonë thotë do të vijë një ditë një muharebe nga i madhi Allah, se Allahu nuk e thotë të bënën njësoj si i pasuri dhe evgjiti”.

Ndarja e fundit që bëmë ka ngjallur një kënaqësi të madhe në pjesën fshatare. Këta thonë se pushteti me të vërtetë i përkrah fshatarët, kurse pjesa tjetër e quan të padrejtë kategorizimin e ri që u bë. Asllan Ypi e quan të padrejtë futjen e tij në burg, “proceset janë të rënda, njeriu nuk mund t’i duronte torturat dhe duhesh të pranonte të gjithë ato për sa akuzohesh, si në hetuesi ashtu edhe në gjyq”. Medin Kamberi thotë se “oficerat e sotmë nuk janë shokë të mirë në mes të tyre, p.sh. një aspirant nuk shoqërohet me një oficer madhor të gjezdisë nëpër vende publike megjithëse këta janë shokë lufte dhe shokë që nga jeta civile”, por kjo lë të kuptosh se dhe në radhët e ushtrisë nuk ka demokraci, se edhe komunistët qenkan njësoj si të tjerët.

Shërbimi nga ana e rojeve është bërë në rregull si në shoqërimet ashtu dhe në trupat, por në disa raste kemi konstatuar dhe gabime duke gjetur disa policë në gjumë. Për këta që kemi gjetur në gjumë u është tërhequr vërejtja në mes të shokëve njëkohësisht u morën masa nga ana e Komandës. Këto gabime me sa kuptohet nuk janë bërë me qëllim por vetëm nga shërbimi i shumtë që ishte kur kishim të dy burgjet dhe e dyta nga personeli i pakët që kishim.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?