Raporti i AMP, 18 efektivë policie të arrestuar në korrik! Rasti më i bujshëm vënia në pranga e 14 policëve në Shkodër

5 Gusht 2022, 17:22| Përditesimi: 5 Gusht 2022, 20:27

  • Share

18 punonjës policie u arrestuan në muajin korrik nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pjesa më e madhe për shpërdorim detyre. Operacioni më i bujshëm ishte ai i arrestimit të 14 policëve në Shkodër për tenderin e rikonstruksionit të komisariatit. Në krye të ankesave të qytetarëve Policia e Rendit.

Ngjarja e Himarës, me autor një punonjës policie, ka rritur ndjeshëm zemërimin e opinionit publik kundrejt bluve, pasi është ngjarja e disatë ku efektivët janë protagonistë në situata të rënda kriminale gjatë muajve të fundit. 

Vetëm në muajin korrik, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi 18 punonjës policie, njëri prej tyre në flagrancë. Pjesa më e madhe të akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Rasti më i bujshëm ishte ai i arrestimit të 14 policëve në Drejtorinë Vendore të Policisë së Shkodrës.

Pasditen e 21 korrikut AMP vuri në pranga edhe ish-shefin e Rendit në Policinë e Shkodrës, Saimir Rustemi, i akuzuar për një tender për rregullimin e Komisariatit në vlerën e 200 mijë lekëve. Gjykata e Shkodrës nxori të gjithë të arrestuarit nga qelia, duke dhënë masa më të buta “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje”. Arrestimi i Rustemit nuk u prit mirë nga qytetarët e Shkodrës, të cilët protestuan për lirimin e tij.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore trajtoi gjatë muajit korrik 174 ankesa që kanë ardhur nga qytetarët për punonjësit e Policisë së Shtetit. Numri më i madh i tyre është për Policinë e Rendit, 67 të tilla, ndjekur nga Hetimi i Krimit me 48 ankesa dhe më pas Policia Rrugore me 46 të tilla.

Goditja me skaf e 7-vjeçares Jonada Avdia i përket muajit gusht, ndërsa konsiderohet ngjarja më e rëndë e viteve të fundit e shkaktuar nga një punonjës policie, së bashku me atë të vrasjes së Klodian Rashës në 8 dhjetor të vitit 2020 nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj dhe ekzekutimin e Çaush Saliasit nga kolegu Ludjan Zaimi, në ambientet e brendshme të Komisariatit. Nr 3 në Tiranë.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?