Rami Memushaj: Ndryshimet
prekin shkrimin e 5500 fjalëve

18 Prill 2013, 04:30| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave reaguan dje në takimin me studentët e Universitetit Europian për vendimet e Këshillit Akademik të Gjuhës. Kjo Akademi ka kryetar nderi të saj Ismail Kadarenë

Një takim tjetër për çështjen e ndryshimeve në gjuhë është zhvilluar dje me anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe studentët e Universitetit Europian të Tiranës. Takimi ka pasur synim reagimin ndaj përfundimeve të Këshillit Ndërakademik për ndryshimet në Drejtshkrim.

Mbledhja e Këshillit Ndërakademik, më 16 prill, ku u bënë propozime për disa çështje të tjera të Drejtshkrimit të zanoreve e të bashkëtingëlloreve në shqipen standarde, është pritur me kritika nga një pjesë e gjuhëtarëve dhe akademikëve të pranishëm ose jo në këtë mbledhje.

Ky këshill vendosi të ndryshohen disa fjalë që kanë zanore “ë” të patheksuar “a” të theksuar, togje zanoresh oo, ii, uu, bashkëtingëllore j/nj dhe zanore i, bashkëtingëllore r/rr, l/ll, bashkëtingëllore të shurdhëta a të zëshme, bashkëtingëllore dyshe dh, th, sh, xh, zh, nj, gj., si dhe disa çështje që lidhen me përdorimin e shkronjave të mëdha.

Por vendimet e marra në qershor 2012 dhe të tjera që po diskutohen këto ditë, sipas Anëtarëve të Akademisë Shqiptare të Arteve “po synojnë një përmbysje të drejtshkrimit”. Profesor Rami Memushaj ka përgatitur kumtesën mbi të cilën do të diskutohet në Takimin e Akademisë shqiptare të Arteve me studentët e UET.

Disa nga anëtarët e kësaj akademie janë Rami Memushaj, Xhevat Lloshi, Elena Kadare, Ismail kadare, që është edhe kryetar nderi i kësaj akademie, Isuf Kalo, Pëllumb Xhufi, etj. Kjo akademi ka 32 anëtarë. Gjuhëtari Rami Memushaj në intervistën për “Shqiptarja.com” rrëfen çështjet që u diskutuan dhe njëkohësisht shpreh reagimin e tij për ndryshimet gjuhësore që janë diskutuar nga Këshilli ndërakademik për gjuhën.

Zoti Memushaj, përse keni vendosur ta trajtoni në takimin me Anëtarët e Akademisë së arteve dhe Shkencave çështjen e ndryshimeve drejtshkrimore që u diskutuan më 16 prill?
–Çështja është kapur nga bishti: meqë bëhen shumë gabime në zbatimin e rregullave të drejtshkrimit, atëherë të ndryshojmë rregullat. Nuk e ka fajin drejtshkrimi, e keqja qëndron në zbatimin e tij. Jam shprehur kundër kësaj ndërhyrjeje jo vetëm për shkallën e lartë të ndryshimeve, po edhe për mënyrën e gabuar se si po diskutohet e po vendoset për këtë çështje.

Vetë Këshilli ka marrë prerogativat e një këshilli kombëtar, kur nuk është i tillë, sepse nuk ka përfaqësim të balancuar as gjeografikisht (asnjë përfaqësues nga universitetet e Jugut të vendit, të universiteteve shqiptare në Maqedoni, të universiteteve të diasporës), as profesionalisht. Që të pranohet një reformë e tillë, nuk mjafton miratimi i Këshillit.

Duhet pëlqimi i shumë faktorëve: i specialistëve të gjuhës, i lëvruesve (shkrimtarë, përkthyes, publicistë, gazetarë, redaktorë letrarë) dhe i konsumatorëve të gjuhës së shkruar (universitetet, shtëpitë botuese, redaksitë e gazetave, të revistave dhe të televizioneve etj.). Nuk jemi në diktaturë, ku mund të imponohen me dhunë gjërat.

Përkrahësit e tezës që gjuha të shkruhet siç shqiptohet janë shprehur se kjo “lehtëson përdoruesit e gjuhës shqipe”, pse jeni kundër?
-Po, mirë, shqiptimi i kujt do të merret si model për shkrimin? Në këto ndryshime si model është marrë shqiptimi i rrugës, kur në të vërtetë si model merret shqiptimi libror: ai i konferencave, i seancave të Kuvendit, i leksioneve universitare, i folësve televizivë, i aktorëve të teatrit. Prof. M. Domi, një nga bashkautorët e manualit të drejtshkrimit, ka vënë në dukje se zbatimi absolut i parimit fonetik, “kudo e kurdo, tërësisht dhe pa asnjë kufizim, s’është as i mundshëm, as i volitshëm, as i dëshirueshëm”.

Rrjedhimisht, shkrimi në asnjë mënyrë nuk mund ta ndjekë hap pas hapi shqiptimin. Duke marrë si model për ndërtimin e rregullave të drejtshkrimit shqiptimin e zakonshëm, gjuha standarde kthehet në një gjuhë letrare krahinore, p.sh. në një labërishte letrare, nëndialekt në të cilin nuk kanë shkruar as labë si Petro Markoja, Andrea Varfi, Shefqet Musaraj etj., të cilët veprat e tyre i kanë në toskërishten letrare.

Ju jeni larguar nga grupi i punës në formë proteste për ndryshimet. Pse nuk qëndruat që të ndihmonit edhe ju në debatet aty brenda?
-Unë u jam drejtuar me një promemorie që më 5 mars të dy akademive dhe Këshillit Ndërakademik. Pyetja që mund të më bëhet, është pse unë. Sepse i njoh thellë çështjet e normës drejtshkrimore dhe këtë njohje e kam dëshmuar me libra e shumë shkrime, që prej gati 40 vjetësh; jam edhe anëtar i grupit të drejtshkrimit të Tiranës pranë Këshillit Ndërakademik. Vendimet e marra në qershor 2012 dhe të tjera që po diskutohen këto ditë, po synojnë një përmbysje të drejtshkrimit.

Pse e quani përmbysje të drejtshkrimit dhe jo ndryshime që i kërkon koha?
-JO vetëm unë por edhe kolegë të mi e quajtëm përmbysje, sepse ndërhyrjet janë shumë të thella, pasi preken një numër i madh rregullash dhe zgjidhjesh, saqë, pa e tepruar, mund të themi se kemi një përmbysje të normës. Sidomos lidhur me ë-në e patheksuar, përjashtimet kthehen në rregulla dhe këto rregulla të reja që propozohen për të shmangur përjashtimet sërish prodhojnë përjashtime e sjellin homonimi fjalësh.

Rregullat prekin një numër të madh të fjalësh. Duke marrë si bazë fjalorin e 2006-s, që ka 42.200 fjalë (pa llogaritur format e pjesores dhe mbiemrat që përdoren edhe si emra e anasjelltas, që në këtë fjalor numërohen si fjalë më vete), më rezulton se preket shkrimi i 5500 fjalëve (dhe nuk kam arritur ende t’i shteroj ndryshimet e propozuara), dmth. do të ndryshojë shkrimi i 13% të fjalëve të fjalorit.

Kjo do të thotë që në 100 fjalë, 13 prej tyre të shkruhen ndryshe. Asnjë nga përkrahësit e këtyre ndryshimeve në Këshillin Ndërakademik nuk i ka hyrë një kontrolli të tillë të fjalorit për të parë se ç’po bëjnë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?