Rama t'i thotë Berishës rrofsh sa malet e Sali!

25 Shtator 2023, 12:07| Përditesimi: 25 Shtator 2023, 12:11

  • Share

Neveria ndaj opozitës aktuale është edhe më e madhe se neveria e videoskandalit të ish kryebashkiakut socialist Safet Gjici. Zgjedhjet ne Kukës për kryetarin e ri të bashkisë rikonfirmojnë dukshëm fitoren e socialistëve me një epërsi te madhe vote. Ky nuk është tanimë një lajm. Edhe që opozita është një humbëse recidiviste nuk është më lajm dhe fakt, përtej të gjitha pretendimeve, aludimeve, akuzave te saj për të justifikuar dështimet në seri me abuzime apo manipulime zgjedhjesh. Pra nuk është më momenti të flitet për faktet, as për dyshime rreth fakteve. Është momenti i nje analize me një konkluzion të thjeshtë.

Kjo opozitë nuk ndez besim, nuk ndez shpresë. Kjo po vërtetohet rast pas rasti në zgjedhje të përgjithshme e të pjesshme, në zgjedhje lokale e parlamentare. Me atë skandal ku zyra e kryebashkiakut ishte shndërruar si një studio filmash pornografikë, fitorja e opozitës duhet të ishte e padiskutueshme, duke patur parasysh edhe historikun politik të Kukësit si nje bastion i demokratëve. Por jo më. Duket se asnjë akt korruptiv apo moral sado i madh apo skandaloz qoftë, nuk e tejkalon dot neverinë që kanë krijuar në popull xhaketat e lodhura, të vjetra dhe pa ide e frymëzim të lidershipit opozitar.

Nuk është çështje e kandidatit, as e kandidatëve që opozita nxjerr në zgjedhje me primare apo primare. Madje mund të thuhet pa hezitim edhe pse apriori se ata mund të jenë njerëz me vlera, kapacitete e virtyte edhe më të forta e të mira se kandidatët socialistë, që shpesh po i plasin Ramës si "granata elektorale" pas krahëve duke i shtuar e krijuar kosto të panevojshme politike e publike. Çështja është që njerëzit sa herë shkojnë në votim dhe në çdo lloj votimi, po vazhdojnë me vendosmëri t'i thonë jo lidershipit të opozitës, për shkak të kalbëzimit politik, apo pabesueshëmërisë së tij.

Me vulë e pa vulë kjo opozitë e ka mbyllur misionin, nuk ka më as forcë, as mendësi e as ide sesi të krijojë një strategji fituese qoftë edhe të rreme për njerëzit. Pra nuk prodhon më dot as gënjeshtra dhe demagogji deri në këtë pikë ka arritur shterpësia e saj politike. Dhe kjo është pika fundore që tregon se nuk ka më as mundësi dhe as as fuqi për të barazuar e jo më për të mundur apo larguar Edi Ramën nga pushteti. Me inceneratorë, pa inceneratorë, me pallë e pa pallë në dorë, Berisha&co e kanë shndërruar me ose pa dëshirën e tyre Edi Ramën në një perandor.

Nëse do të vazhdojnë kështu nuk duhet pritur fitorja e opozitës, por dita kur perandori të abdikojë vetë nga froni. Për këtë opozitë e për këta hallexhinj që mban ajo brenda saj, Rama do "mumifikohet" në pushtet çfarë do që të ndodhë në oborrin politik të partisë dhe qeverisë se vet. Dikur social/komunistët e Enver Hoxhës thonin "rrofsh sa malet moj parti". Sot Edi Ramës i takon të thotë "Rrofsh sa malet o Sali"!

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?