Java e OKB/ Krerët e shtetit në New York! Rama takon ministrin e Jashtëm britanik dhe arab! Begaj në Forumin e Nivelit të Lartë! Presidenti i Emirateve së shpejti vizitë në Tiranë

19 Shtator 2023, 12:26| Përditesimi: 19 Shtator 2023, 21:41

  • Share

Kryeministri Edi Rama prej ditësh ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, i sapoemëruari Ilgi Hasani, dhe një delegacion zyrtar. Në Nju Jork, kreu i qeverisë, pritet të prezantojë në Këshillin e Sigurimit në OKB, dy nismat e rëndësishme që Shqipëria ndërmerr tashmë që prej 1 shtatorit mori për herë të dytë presidencën e këtij këshilli.

Gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri Rama takoi Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Bin Sultan Al Nahyan. Në një status në rrjetet sociale njoftoi se është drejt finalizimit të paketës së investimeve në Shqipëri. Aty konfirmoi se presidenti i Emirateve të Bashkuara Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nayan, do të vizitojë së shpejti Shqipërinë, e para e këtij niveli në vendin tonë.

“Me Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, mikun e çmuar Sheikh Abdullah Bin Zayed Bin Sultan Al Nahyan, folëm për finalizimin e paketës së investimeve në Shqipëri, si edhe për vizitën në Tiranë të Presidentit të EBA, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nayan, e para e këtij niveli në vendin tonë”, shkruan Rama.

Ndërkohë, Rama ka takuar edhe ministrin e Jashtëm britanik James Cleverly. Në fokus të takimit besohet të ketë qenë çështja e emigrantëve ilegalë, për të cilën të dyja shtet kanë arritur një marrëveshje zbatimi më herët.

Më 20 shtator, kreu i qeverisë mund të drejtojë një debat të hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit në OKB, ku në fokus do të jenë pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, por dhe adresimi i nevojave aktuale dhe të ardhshme humanitare.

Presidenti Bajram Begaj, nga ana tjetër, ndodhet gjithashtu në Nju Jork. Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, kreu i shtetit Begaj, mori pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm në OKB.

“Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyesi ynë universal, i pandashëm dhe i integruar, duke udhëhequr vizionin dhe aspiratat tona për vitet në vijim”, tha Begaj.

Më datë 21 shtator, pritet të jetë fjala në Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, forum i cili bën bashkë krerët më të lartë të të gjithë globit, ku një vit më parë, siç protokolli e deshi, këtë fjalim e mbajti kryeministri Edi Rama.

Por teksa këto takime të rëndësishme të kryeministrit dhe presidentit Begaj ishin njoftuar kohë më parë publikisht, vendin e ka lënë edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, e cila ka udhëtuar drejt Gjermanisë në takim me homologen e landit të Bremenit, Antje Grotheer. Protokolli Shtetëror e specifikon qartësisht se titullarët e tre institucioneve kryesore nuk duhet të largohen nga Shqipëria në të njëjtën kohë.

Ora 21:38
Begaj takohet me Borrell: Perspektiva e qartë evropiane e rajonit, garanci për sigurinë dhe të ardhmen

Në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, zhvilloi një takim me Përfaqësuesin e Lartë & Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Josep Borrell.
 
Presidenti i Republikës e falenderoi Borrel për mbështetjen dhe vëmendjen që ai ka treguar gjithmonë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe proceseve integruese te tij dhe veçanërisht, për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

"Presidenti Begaj shprehu vlerësimin për përkushtimin e Përfaqësuesit të Lartë dhe Komisionit, për të mbajtur në fokus integrimin e rajonit, pavarësisht debateve dhe diskutimeve brenda BE-së. Në këtë kontekst ai theksoi se një përspektivë e qartë evropiane e rajonit, është garanci për sigurinë dhe të ardhmen e tij. Presidenti Begaj u shpreh shpresëplotë për pasjen sa më shpejt, të rezultateve të prekshme dhe konkrete në proceset integruese në hapjen e grup-kapitujve themelorë nëpërmjet konferencës së dytë ndërqeveritare dhe siguroi se Shqipëria do të vijojë me vendosmëri procesin e reformave të brendshme", njofton presidenca.

Në takim, Presidenti i Republikës dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së diskutuan edhe mbi situatën në Kosovë duke ritheksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe të mbështetur nga SHBA, është e vetmja rrugë për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu është gjithashtu rruga e domosdoshme për integrimin e Kosovës në BE. Bashkëbiseduesit vlerësuan me rëndësi që palët të punojnë së bashku për hapat e tjerë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur mes dy vendeve në shkurt dhe mars 2023, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në takimet e ardhshme për dialogun.

Ora 21:31
Presidenti Begaj takon Vjosa Osmanin në New York: Bashkë!

1695152034_3804841172819618979429211461527960235186366n.jpg

Presidenti i Republikës Bajram Begaj është takuar me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në New York, ku ndodhet me delegacionin shtetëror të Republikës së Shqipërisë për javën e punimeve të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Begaj ka publikuar një foto me Osmanin në të cilën shkruan “Bashkë”.

Ora 09:55
Rama takon në New York ministrin e Jashtëm britanik, James Cleverly

Në New York ku ndodhet në kuadër të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pasi Shqipëria kryeson Këshillin e Sigurisë në OKB, kryeministri Edi Rama ka takuar ministrin e Jashtëm britanik James Cleverly.

Kreu i qeverisë shqiptare ishte i shoqëruar nga ministri i Jashtëm Igli Hasani si dhe ambasadori i Shqipërisë në OKB-së, Ferit Hoxha.

‘Me Ministrin e Jashtëm britanik, James Cleverly’- shkruan Rama pa dhënë detaje, teksa ka shpërndarë edhe disa foto nga takimi mes tyre.

Emigrantët shqiptarë të cilët nisen drejt Britanisë së Madhe me gomone shkaktuan debat në distancë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Kreu i qeverisë, shqiptare Edi Rama, zhvilloi për herë të parë një vizitë zyrtare në Downing Street për këtë çështe, ku u takua me kryeministrin britanik Rishi Sunak.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Era: 19/09/2023 14:21

    Fale kryeministrit tone kemi mardhenie te mire me cdo shtet te botes

    Përgjigju
  • Dea: 19/09/2023 14:19

    Investime qe do i sjellin nje zhvillim te madh shqiperise

    Përgjigju
  • dona: 19/09/2023 14:08

    ndihme per zhvilli ekonomik dhe investime te metejshme ne Shqiperi

    Përgjigju
  • Xhesi: 19/09/2023 14:00

    Per tu vlersuar cfare marrdheniesh diplomatike te shkelqyera zoti Rama me vendet e tjera.

    Përgjigju
  • Ledio: 19/09/2023 14:00

    Kemim besim se do kete shume gjera pozitive per Shqiperine nga ky takim

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?