Rama: Pritet kurbë rritëse, do të shtohen edhe kufizimet! Askush nuk ka të drejtën të vrasë të tjerët, do sanksionohen!

10 Mars 2020, 16:30| Përditesimi: 10 Mars 2020, 16:32

  • Share

Kryeministri Edi Rama i bëri edhe një herë apel opozitës joparlamentare që në këtë betejë të luftës ndaj koronavirusit të jenë të bashkuar dhe akuzat t'i lënë kur gjithçka të ketë mbaruar. Kreu i qeverisë tha se kjo situatë do i shërbente vetëm panikut të qytetarëve dhe do të nxiste që ata të mos zbatonin rregullat bazike, qoftë ato më elementare të higjienës personale, por edhe më gjerë ato që do të mund të rrezikonin komunitetin. Në këtë linjë, shefi i mazhorancës tha se pritet që të ketë një kurbë rritëse të infeksionit në Shqipëri, duke paralajmëruar se edhe masat kufizuese mund të vijnë duke u përforcuar edhe më shumë. Duke mos e lënë të kuptuar drejtpërdrejt, Rama hodhi edhe hipotezën se mund të shkohet deri në burg për ata qytetarë që rrezikojnë të tjerët. Kryeministri dha shembullin e Izraelit që për personat që shkelnin rregullat e përbashkëta të parandalimit dhe të ruajtjes nga koronavirusi, shkohej deri në burg.

"Nëse ka akuza, ju lutem mblidhini të gjitha, dhe plasini kur të ketë ikur armiku nga këtu. Cfarë kontributi dhe çfarë ndihme është kjo? Kujt tjetër veçse armikut? Dekurajimit të njerëzve, panikut, pasigurisë, dhe sjelljes së papërshtatshme me rregullat që duhet të ndjekim të gjithë. Të mbarojë kjo, ka kohë për të gjitha, edhe për akuzat edhe për përgjigjet, të gjitha siç i meritojmë secila palë. Por duke mos u kthyer këtu në këtë pikë, dua ta ritheksoj domosdoshmërinë e madhe, që të mirëkuptohemi që të gjithë. Gjërat sipas skenarit do të shkojnë në një kurbë rritje, sipas llogarive nga OBSH që shohin si sillet virusi dhe cilat janë masat. Dhe gjatë kurbës rritëse do të rriten edhe kufizimet, por edhe goditja për ata që nuk duan të kuptojnë që nuk jemi në kushtet paguaj taksat, mos shkel vijat e bardha se do marrësh gjobë. Jemi në kushtet kur duhet të ruajmë ty dhe ti nuk ke të drejtën të vrasësh të tjerët. Pas kësaj do të ketë edhe sanksione", tha Rama.

Aktualisht nëse dikush rrezikon të tjerët qeveria ka parashikuar gjobë deri në 5 milionë lekë të vjetra, por pritet të shihet nëse masa ndëshkuese do të rritet në varësi se si do të shkojë situata, apo nëse do të arrihet deri në burg.


Lajmi kryesor:

Koronavirusi/ Rama: Jemi në luftë! Mbyllen disko e palestra, distancë 2 metër në lokale! Ftesë Metës e Bashës: Bashkojmë ekspertët (VIDEO)


G.M./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?