Rama: Nuk kërkoj dënim, por hetim për Sali Berishën! Të zbardhet e vërteta për 21 janarin, Gërdecin dhe skandalet financiare e korruptive

11 Maj 2022, 10:19| Përditesimi: 11 Maj 2022, 11:37

  • Share

 

Kryeministri Edi Rama i ka bërë sërish thirrje SPAK që të hetojë për Sali Berishën, por jo ta dënojë. Rama thotë se kërkon të zbardhet e vërteta për 21 janarin, çështjen e Gërdecit dhe disa skandale financiare e korruptive, ndërsa thekson se nuk ka presion apo ngutje.

"Presion mbi drejtësinë? Çfarë duhet të thonim për deklaratat e BE dhe SHBA ku është kërkuar ndëshkimi i politikanëve apo gjykatësve të korruptuar? Sipas meje jo, nuk ka presion mbi drejtësinë. Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e një ish presidenti dhe një ish kryeministri të shpallur non grata nga SHBA me akuzat më të rënda të mundshme që lidhen me veprimtarinë e institucioneve të këtij vendi? Sekretari amerikan i shtetit ka kërkuar publikisht se institucionet e këtij vendi duhet të bëjnë punën e tyre. Që të jemi të qartë, juve mund të provoni të kundërtën. Unë nuk kam kërkuar dënim, por hetim. Dënimin nuk e vendosim ne, por të hetohet një çështje që është gur në qafë për të gjithë Shqipërinë dhe nuk është çështje e një personi, është domosdoshmëri.

Të zbardhet e vërteta nga një drejtësi e drejtë dhe e pavarur. Që janë të pavarur nuk ka pikë diskutimi, prandaj duhet të clirohet nga çdo frikë e të kaluarës dhe më në fund të hetohen 21 janari, krimi shtetëror nuk ekziston, të hetohet nëse është apo nuk është krim shtetëror, i cili nuk parashkruhet. Këtë ta tregojë hetimi i drejtë dhe i pavarur. Të hetohet Gërdeci. Janë dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur. Të hetohen disa skandale të mëdha financiare e korruptive. Çfarë presioni e ngutje është kjo? Nuk është ngutje se jemi në fund të vitit 3 dhe nuk kemi folur. Të gjithë baltën për këtë ngurrim të pajustifikueshëm e kam mbajtur unë personalisht", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: Të kërkosh më shumë nga drejtësia s'është presion! Ne nuk mund të presim parashkrimin e krimeve e të shpëtojnë ata që i vodhën miliarda shqiptarëve


A.M./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?