Kryeministri Edi Rama në Athinë

Rama mes formës dhe nacionalizmit?!

17 Maj, 07:45| Përditesimi: 17 Maj, 07:47

  • Share

Pakkush mund të mëdyshojë për aspektin e kuruar estetik, që kryeministri shqiptar Rama, e ka rrethuar me sukses pamjen e jashtme të drejtimit të qeverisjes së tij. E kuruar imtësisht, shpesh me befasi dhe e përshtatshme jo vetëm për natyrat e organizimit, ajo ka marrë kurdoherë vlerësime. Gjithçka për të kulmuar idetë e tij dhe për t’u kthyer në vlerat e show me synimin qartësinë dhe pushtetin për çka do që e rrethon. Kjo vlen që nga samitet e Tiranës dhe risitë në to, por edhe pritjen e zyrtarëve të ndryshëm, shtuar me aktivitetet partiake dhe ato zgjedhore të formacionit të vet. Në fund kuptohet se kulmon gjithnjë ai: krijues, regjisor, organizator dhe zbatues.

Kjo natyrë e tij mori peshë dhe në takimin e fundit të Greqisë me emigrantët, qysh nga përkulja e tij nderuese dhe pastaj fjala e gjatë, ku u ndërthurën faktet historike dhe politike të marrëdhënieve me Greqinë, shndërrimi krenar i shqiptarëve, problematikat tona, Ligji i Luftës, cikja e problemit të Çamëve (pa i përmendur fare), miqësia, fëmijët dhe metamorfozën e qytetarëve shqiptarë e të tjera. Ashtu si nuk mundën të artikuloheshin edhe çështje të tjera, për të cilat publiku ishte bajagi i interesuar. Dalldia e flamujve kuqezi sfumoi çdo gjë: nga mendimi i ndonjë emigranti (kuptohet organizatorët “s’u kishte vajtur mendja”), që të tregonte dhe anën tjetër por edhe mungesën e flamujve grekë. Pa u zgjatur sepse shumë janë shprehur, atje ku artikulohet shqip dhe për të drejtat tona, duhet të jemi solidar dhe Rama diti të kapte me të drejtë këtë moment. Urojmë që precedentin, që krijoi kryeministri , të tjerët ta maturojnë dhe më këndshëm por qoftë edhe pa nevojën e autobusëve…dhe mbi të gjitha me klasin e duhur.

Në këtë pjesë kaq pak të zhvilluar të kontinentit evropian, siç është Ballkani, Perëndimit i është dashur të tregojë dhe të përcjellë prototipe juridike, administrative dhe politike, por shpesh përplasur me pretendimet nacionaliste dhe irredentiste të fqinjëve për njëri-tjetrin. Greqia ia ka bërë jo pak herë të vështirë jetën vendit tonë, ashtu si ka qenë një valvul ku është shkarkuar një masë e madhe e varfërisë sonë në vitet ‘90. Pas rënies së sistemit socialist, Shqipëria, si të gjitha vendet e tjera e Ballkanit, u mundua të krijonte identikitin e vet, mbështetur në parimet ndërkombëtare të demokracisë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe tregjeve të lira, brenda detyrimeve politike dhe ekonomike ofruar nga strukturat e njohura të BE-së, OSBE-së, NATO-s dhe OKB-së. Ndërsa ish-Jugosllavia u shkërmoq dhe u rindërtua e ndarë, Shqipëria ka pasur një përparim të jashtëzakonshëm, megjithëse në vitin 1997 gati shkoi në luftë civile!!!

Po pse vazhdon përdoret nacionalizmi atëherë, pikërisht ajo që desh e dërrmoi Ballkanin? Pse Rama u mbështet sërish tek kjo kategori ose derivatet e saj? Duket se është e vetmja komordare që të nxjerr në breg dhe të nderuar, ndërkohë që retorika nacionaliste midis elitave politike mbetet tipar i politikës në rajon. Dhe, Rama nuk i është shmangur në Greqi, duke ngazëllyer të pranishmit dhe duke lënë përballë si objekt Grekët. A e ka frymën e duhur ushqimi i nacionalizmit në Shqipëri? Vite më parë, ekzistonin lëvizje dhe platforma për “Shqipërinë natyrale” e më gjerë, të cilat nuk ndezën dhe, sidomos u shfrynë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sot, këtë domen, kuptohet të moderuar dhe sidomos kur duhet të shmanget vëmendja nga problematikat jo të pakta në vend, e merr shpesh kryeministri i vendit, Rama. Dhe, nacionalizmi e vajis shumë entuziazmin kallp, sepse në thelb problemet të lëbyrin para çdo gjëje. Jo vetëm të pranishmit në sallë, por shumica e atyre që janë në Greqi nuk votojnë dot atje dhe as në Shqipëri. Me pak fjalë, janë në një qerthull, ku nuk përfaqësohen, pikërisht nga një politikë, ku Rama është protagonist për gati 12 vite, po për këtë s’pati artikulim. Në ndërkohë, problemi i pasaportave dhe leje-qëndrimit nuk është zgjidhur, kurse po bëhet gati një dekadë që marrëdhëniet kanë mbetur në vend numëro. I lodhshëm është pak glorifikimi, që po i bëhet kultit të Ramës dhe që ai po e ushqen jo vetëm indirekt. Kuptohet se Shqipëria është larg asaj që konceptohet për nacionalizmin patologjik, por rikthimi në çfarëdo regjistri tregon problematika jo të vogla: Atë që shoqëritë tona, janë ende me probleme.

“Nacionalizmi nuk e përfaqëson zgjimin… e vetëdijes së kombeve; nacionalizmi shpik kombe aty ku nuk ekzistojnë”, shkruante dikur Ernest Gellner, teoricien i njohur i nacionalizmit.

E çuditshme është se sot edhe pse dihet mirë ky fakt dhe jo vetëm, në studime provohet se: ka më shumë sot nacionalistë se dikur dhe ata i gjen në të gjitha strukturat shoqërore, që nga intelektualët, pseudot për të cilët shoqëritë tona nuk vuajnë dhe deri te njerëzit fare të thjeshtë. E kthyer gati në fe, në kohën kur kjo e fundit ka humbur shumë, nacionalizmi merret nga shumë liderë, qeveritarë, studiues, njerëz të zakonshëm dhe gati mendohet si mënyra nga ku mund të organizohemi në marrëdhënie, por edhe të ndërtohet në narracionet e ndryshme. Çuditërisht,  akoma nuk po merr ushqim nacionalizmi i personazheve të tjerë nga fakti se: Shqipëria dhe Serbia kanë shpallur kandidaturën e tyre të përbashkët për organizimin e Evropianit të 21-vjeçarëve, apo kur u tregojmë vendin grekëve në Athinë e serbëve në Beograd. Këtu politika, sidomos e opozitës ka harruar t’i tregojë meritat Ramës. Indikacionet ekonomike dhe korrupsioni na e ul kokën, kurse politikanëve ua bën këtë narracion shumë arkaik. Por, sërish forma e shpëton Ramën dhe sot e tutje do vazhdohet e flitet për impaktin e “Greqisë-12 Maj”.

Nacionalizimi di ta ushqejë populizmin, që është pjesë e politikave dhe mënyrës për të fituar vota dhe fakti që Rama po përgatitet realisht për zgjedhjet ’25 duke i ndezur fort motorrat. Anipse, demokracia jonë po mbetet në vend (shiko indekset që matin demokracinë), kurse Rama dhe pushteti i tij e kanë një përgjigje. Ajo i identifikohet ndryshimit social që me Perandorinë Osmane (!) dhe patjetër me qeverisjen paraardhëse të Berishës (11 vite më parë), por njëkohësisht edhe me faktin real që opozita vazhdon të jetë e përçarë frikshëm. Ndërkohë nacionalizimi nuk jep përgjigje dot për pensionet dhe çmimet, punësimet, shëndetësinë dhe korrupsionin e njerëzve të tij.

Edhe këtu ka një “ngushëllim” për njerëzit, pasi i gjithë Ballkani është hapësirë, ku demokracia ka mbetur, kurse rritja e populizmit është bërë e frikshme, bashkë me retorikën nacionaliste. “Anti-politika” tashmë është e dukshme, ose si e shpjegon  me të drejtë Moises Naim në librin e tij “The Revenge of Power: How Autocrats Are Reinventing Politics for the 21st Century” (“Hakmarrja e pushtetit: Si po rishpikin autokratët politikën për shekullin e 21-të”). “Ky është nocioni që asgjë nuk funksionon, gjithçka është më keq. Udhëheqësit janë të tmerrshëm, të korruptuar dhe pa asnjë kapacitet për të përmirësuar shumë njerëz. Ngado përshkon ajo ndjenjë e nihilizmit politik, se gjithçka është e keqe. Është një emërues i përbashkët në shumë shoqëri”.

Këto lexon pak ditë më vonë nga takimi vërtetë lëbyrës dhe tejet entuziast i Ramës në Athinë, që të kënaq me ngazëllimin e shqiptarëve të Greqisë por edhe të vë në pikëpyetje se ky populizëm nacionalist nuk të çon larg. Njeriu që kumton gjithçka nuk tregon dot shumë problematika të tjera, por i mjafton flamuri i nacionalizmit për t’i treguar fqinjëve (me të drejtë) se nuk jemi më ata të ’90-s. Në fakt, Rama e bëri mirë, por grekëve s’ka nevojë t’u thuhet është mirë ta ndjejnë. Dhe, Shqipëria ka ende shumë rrugë për t’ua treguar këtë, mbase dhe me formë, mbase dhe me nota nacionaliste, por më shumë me indikatorët e saj të ekonomisë dhe mbi të gjitha të demokracisë, që nuk na bëjnë aq krenarë. 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kristo: 18/05/2024 09:24

    ... Vlerësim i drejtë dhe me mendje të ftohtë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Kroacisë sfida e dytë në Euro 2024, kush fiton?