Rama mbledh kryebashkiakët të majtë e të Berishës në Shkodër! Ua thotë troç: S’ka fonde, pa performancë të mirë

9 Mars, 07:10| Përditesimi: 10 Mars, 03:08

  • Share

Shkoder- Për herë të parë që pas zgjedhjes së kryebashkiakëve të rinj, në garën e 14 majit, kryeministri Edi Rama mblodhi në Shkodër krerët e bashkive dhe kabinetin qeveritar për të kaluar në sitë financat e pushtetit vendor. Ftesa i shkoi edhe kryebashkiakëve të dalë nga sigla e koalicionit mes PL dhe Rithemelimit, të cilët treguan se kur vjen puna te financat dhe interesat e qytetarëve, politika kalon në plan të dytë.

Mbledhja me kryebashkiakët dhe ministriat e kabinetit e cila u mbajt sot (9 mars) me dyer të mbyllura në stadiumin "Loro Boriçi' u përqendrua në disa pika kryesore për zhvillimin dhe modernizimin e qeverisjes vendore dhe lokale, si lehtësimi për lejet e ndërtimeve në fshat, procesi i legalizimeve si dhe ringjallja e aseteve të vjetra.

"Një tjetër pikë e rëndësishme ka qenë ringjallja e aseteve të vjetra; shkolla të vjetra, godina të braktisura, qendrash të kahershme shëndetësore, repartesh ushtarake të mbetura nëpër zona të caktuara që s’kanë më asnjë përdorim për t’i futur në ekonomi, për t’i futur në punë përmes projekteve të pushtetit vendor"- tha kryeministri. 

Sa i takon financave, Rama u tregua i qartë me kryebashkiakët duke u shprehur se bashkitë me performancën më të mirë, do të përfitojnë mbështetje më të madhe nga ana e ministrisë së Financave.

“Kush performon më mirë do të  ketë mbështetje nga Ministria e Financave kur shpërndan grantin e pakushtëzuar"

Pas fjalës hapëse të Ramës në mbledhje, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku analizoi strukturën financiare, burimet njerëzore dhe treguesit e performancës për çdo bashki. Sa i takon mbështetjes që do marrin bashkitë për performancën e tyre, ministri për Pushtetin Lokal, Arbjan Mazniku tha se bëhet fjalë për 20% të grantit të caktuar për vitin 2025.

“20% e grantit në 2025 do të fokusohet si grant performance që do të fokusohet tek mënyra si bashkitë ia dalin për të mbledhur të ardhurat e tyre. Nëse performojnë mirë ne do i japim dhe një mbështetje tjetër përmes grantit”- u shpreh ministri në konferencën për median pas takimit me kryebashkiakët.

Mbledhja e taksës së pronës

Ai tha se mbetet sfidë performanca e bashkive në mbledhjen e taksave të pronës dhe të mjedisit, duke theksuar se ka bashki që nuk e kryejnë fare një detyrim të tillë.

“Kemi sfidën e një mbledhjeje  më uniforme të taksës së pronës. Në një numër të caktuar bashkish kjo ndodh me një rezultat progresivisht më pozitiv, në një numër të caktuar bashkish kjo thuajse nuk ndodh fare. Po ashtu, të një performance shumë më të mirë në mbledhjen  e tarifës së pastrimit. Ka bashki me rezultate shumë të mira, ka bashki me rezultate që lënë shumë për të dëshiruar”- tha Rama mes të tjerash.

Çfarë u diskutua tjetër?

Lehtësimi i lejeve të ndërtimit në fshat

Gjatë konferencës  me media pas takimit Rama zbuloi dhe disa nga temat që ishin disktuar në takim

"Kemi diskutuar për lehtësimin e domosdoshëm të procedurave të lejeve të ndërtimit në fshat, në mënyrë që njerëzit që ndërtojnë shtëpitë e tyre apo riparojnë shtëpitë e tyre të mos kenë të njëjta procedura si banorët e qytetit apo të zonave që kanë rëndësi, nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore apo nga pikëpamja e mbrojtjes së natyrës, që janë zona me kritere shumë të rrepta dhe patjetër edhe për një qasje të koordinuar me bashkitë për procesin e legalizimeve të mbetura" 

Legalizimi 

"Kemi një numër jo të vogël legalizimesh të mbetura që, për arsye jo dhe aq të pakuptueshme, janë si të thuash, në bllokun e fundit të këtij procesi, por duke angazhuar edhe bashkitë në këtë proces, besoj se do t’i japim një shtysë më të madhe procesit, pasi shikojmë që në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përmirësimet e ndjeshme që bëhen në mënyrë të vazhdueshme me sistemin  e shërbimit për hipotekën, nuk ecin paralelisht me përmirësimin që duhet të bëjmë në adresimin e legalizimeve sepse janë dy procese krejt të ndryshme, por edhe sepse mbase na duhet edhe ndihma e bashkive"

Përthithja e fondeve të BE-së

'Kemi diskutuar dhe për strukturën përkatëse në mbështetje të tyre për të shkruar dhe për të aplikuar me projekte që do të mund të sjellin të ardhura shtesë për bashkitë.

Digitalizimi dhe kalendari kulturor 

"Kemi folur për një program të madh të digjitalizimit të shërbimeve ne bashki ku do të financojmë rreth 50 milionë euro në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe jemi fokusuar në mënyrë të posaçme tek sezoni turistik... kemi diskutuar edhe për kalendarin e ri kulturor dhe artistik të këtij sezoni që do të jetë më i pasur"

Pasurite pyjore

"Kemi një plan që e kemi ndarë me kryetarët e bashkive për t’i mbështetur që të gjitha bashkitë që kanë pasuri pyjore të kenë në plane të mirëfillta mbarështimin e pyjeve. Sot janë 67% e bashkive që nuk kanë plane të tilla dhe kjo është një shifër alarmante"

Pagat ne bashki

"Kemi domosdoshmërinë e rivlerësimit të nivelit të pagave të bashkive sepse sot bashkitë e Shqipërisë janë të ndara në 5 nivele, duke u bazuar tek numri i banorëve dhe këtyre 5 niveleve u përkojnë edhe nivelet e pagave. Ne do të kalojmë në dy nivele dhe do të bëjmë një rritje të pagave për t’i përafruar mundësitë e shpërblimit të punonjësve në bashkitë e nivelit të dytë me ato të nivelit të parë, në mënyrë që ajo që sot po e përjetojnë një pjesë jo e vogël e bashkive, kryesisht ato që janë më të vogla, që nuk arrijnë dot të punësojnë specialistë në fusha të caktuara për shkak të pagës së ulët dhe të pozicionit të tyre gjeografik, të adresohet dhe kjo barrë të lehtësohet në mënyrë të arsyeshme."

Kryebashkiakët e Berishës që iu bashkuan Ramës
1- Hilë Curri - kreu i Bashkisë së Fushë Arrëzit, i koalicionit 'Bashkë Fitojmë'
2- Rrok Dodja, kreu i bashkisë Pukë
3- Fisnik Qosja, kreu i bashkisë Kavajë
4- Albert Melyshi, kreu i bashkisë Mirditë 
5- Albert Malaj, kreu i bashkisë Memaliaj
6- Miftar Dauti, kreu i bashkisë Has

Të dielën Rama do të jetë sërish në Shkodër, ku do të vijojë axhendën partiake me fushatën e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste.

Ora 16:41
Kryebashkiaku i Berishës në takim me Ramën në Shkodër! Fisnik Qosja: Na bashkojnë interesat e qytetarëve.

Shkoder- Kryetari i bashkisë së Kavajës u shpreh optimist pas takimit me kryeministrin Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar ku ndodheshin të 61 kryetarët e bashkive.

Fisnik Qosja: Bashkë me kolegët ishim në mbledhjen e përbashkët të 61 kryetarëve të bashkisë e qeverisë për të bashkërenduar punën. Nuk kemi ndasi politike kur vjen puna për interest e qytearëve.  Për arsye politike e kemi treguar më 14 maj se kush jemi. Nuk është çudi pse të ishim këtu për të mirën e qytetarëve që na kanë zgjedhur

 A u ndjetë i barabartë?

 Po. Secili prej nesh kishte kërkesat tona. Ato i shqyrtuan. Nuk e di sa qeveria do të reagojë. Garancia ishte e kryeministrit por veprat do e tregojnë. Kam besim" tha ai per gazetaret

Ora 16:29
Mbledhja me qeverinë në Shkodër, kryebashkiakët e opozitës: Ja garancia që morëm gjatë takimit me Ramën

 

Kryebashkiakët e opozitës dhanë një deklaratë për mediat pasi dolën nga mbledhja me kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e qeverisë duke u shprehur se paraqitja e tyre në një mbledhje të tillë nuk ka përse të nxisë reagime të koalicionin nën siglën e të cilit kanë garuar.

“Nuk e pamë në aspektin politik sepse problemet e qytetarëve janë më të rëndësishme. Diskutuam shumë, sepse bashkitë e vogla kanë paga më të ulëta, kanë shpërndarjen e buxhetit në bazë të numrit të popullsisë, që nuk i favorizon.Ne jemi përfaqësues të qytetarëve, duhet të jemi kur kryeministri dhe ministrat na kërkojnë për takime”—tha kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri i cili u shpreh gjithashtu se kishte marrë garanci nga Rama se nëse do të ndiheshin të pareskeptuar, do të mund të ankoheshin në kancelaritë e BE. 

Më tej, i pyetur për porosinë e kryeministrit mbi shpërblimet që do kenë bashkitë me performancën më të mirë, tha se një rezultat i tillë mund të arrihet nga bashkitë e mëdha dhe jo të voglat.

Sipas tij, në bashkitë e vogla që drejtojnë kryebashkiakët e opozitës, ka mungesa të buxhetit, ndërsa të mëdhatë, kanë teprica.

“Performancën më të mirë do ta ketë një bashki e madhe. Nëse shpërndarja do jetë ndryshe me anë të riskut që ka një bashki, do të ndryshojë treguesi i performancës. Ka bashki që kanë teprica në buxheti, kurse ne jemi me mungesa”- përfundoi Curri.

Ora 15:10
‘Kush performon më mirë, do ketë mbështetje nga ministria e Financave për grante’, zbardhen porositë e Ramës drejtuar kryebashkiakëve

1709993573_edirama.JPG

Detaje të reja janë mësuar nga mbledhja që kryeministri Edi Rama zhvilloi sot me kryebashkiakët dhe ministrat në Shkodër ku u diskutuan problemet me financimet e pushtetit lokal.

Rama ua ka bërë të qartë kryebashkiakëve se bashkitë që do kenë performancën më të mirë, do të kenë edhe mbështetjen nga ministria e Financave për grantin e pakushtëzuar.

“Kush performon më mirë do të  ketë mbështetje nga Ministria e Financave kur shpërndan grantin e pakushtëzuar. Pra do ketë një dallim  ndryshe për  ato bashki që kanë performancë  më mirë krahasuar me ato me probleme dhe ta zhytura në borxhe ndaj palëve të treta”- mësohet të ketë thënë Rama.

Ndërsa më tej, kryeministri është ndalur edhe në çështjen e punonjësve në të gjitha bashkitë e vendit, ku theksoi se do të ketë rishikim pagash me ato që punojnë në qeverisjen qendrore pasi ka një disnivel shumë të madh.

“Synimi ynë është unifikimi pagave të pushtetit vendor me ato në pushtetin qëndror. Ky disnivel  pagash shikohet edhe po të krahasohet mes të punësuarve nga njëra bashki në tjetrën. Përshembull nëse një inxhinjer i punësuar në Bashkinë Durrës paguhet me 80.000 lekë, një inxhinier i punësuar  në Bashkinë Fushë Krujë paguhet 40.000 lekë. Ky nivel pagash po krijon boshllëqe dhe pamundësi rekrutimi punonjësish në të gjitha bashkitë e vendit”- ka shtuar Rama më tej në fjalën drejtuar kryebashkiakëve.

Ora 12:44
Rama në Shkodër, inspekton mjediset e jashtme të stadiumit me kreun e bashkisë dhe presidentin e Vllaznisë

 

Shkodra dhe zonat e saj historike të mirënjohura, mes të cilave edhe zona e Zdrales janë tashmë në rrugën e transformimit urban të shumëpritur prej kohësh.

Pjesë e projekteve për vitalizimin urban dhe rilindjen e kësaj zone është edhe Stadiumi “Loro Boriçi” ku ka rinisur puna për ta rikthyer në jetë si një qendër aktivitetesh të ndryshme në shtatë ditë të javës.

Kryeministri Rama, i cili ndodhet sot në Shkodër, pa nga afër mjediset e stadiumit, si dhe zonën përreth tij, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci.

“Me projektin e Zdrales që fillon këtu, kësaj zone duhet t’i jepet jetë” – u shpreh Kryeministri teksa u njoh edhe me ecurinë e deritanishme të disa prej projekteve të tjera.

Zona historike e Zdrales është një nga më të mirënjohurat e Shkodrës, me një aktivitet të gjerë tregtar, e sjellë së fundmi në vëmendje si nevojë për transformim të domosdoshëm, përmes vitalizimit urban dhe rilindjes së traditave më të bukura që ajo ka mbartur ndër vite.

Ora 12:05
Takimi i Ramës me kryebashkiakët në Shkodër, borxhet e bashkive 4.8 mld lekë, 60% më pak se në 2015

1709981020_finalprojekt.00361623.Still152.jpg

Që prej orës 10:00, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor ka analizuar në mbledhjen e përbashkët të qeverisë dhe kryetarëve të bashkive, strukturën financiare, të burimeve njerëzore dhe të treguesve të performancës.

Në mbledhjen ku merr pjesë kryeministri Edi Rama, janë prezentë edhe 6 kryetarët e bashkive të Partisë Demokratike. Për sa i përket Burimeve njerëzore, është analizuar numri inpunonjësve për 1000 banorë për të gjitha bashkitë, në aparatet e tyre dhe shërbimet që ofrojnë.

Sa i përket anës financiare, bashkitë janë futur në sitë kapacitetet e bashkive për të mbledhur të ardhurat e tyre, si dhe cilat janë bashkitë që performojnë më mirë. Po ashtu bashkitë janë analizuar edhe sa i përket aftësisë për të shkruar projekte dhe për të thithur fonde nga Bashkimi Europian.

Te ardhurat vendore

2023 u rriten me 271% krahasuar me 2015

Nga 13 miliardë në 31 miliardë.

Shpenzimet vendore

102 % më të larta se në 2015.

14 bashki janë të varura 85% nga grantet dhe transfertat e qeverisë, ndërsa 10 bashki (me mbi 100 mijë banorë janë të varura në masën 55%

Bashkitë më të mëdha e kanë të balancuar këtë raport në 55%.

Detyrimet e njësive vendore jane ulur me 60% nga 12 miliard në 4.8 miliard lek.

Borxhet e bashkive janë 4.8 mld lekë, 60% më pak se në 2015, Kavaja dhe Vora janë bashkitë me më shumë borxhe

Ora 09:55
VIDEO/ Takimi në Shkodër, kryebashkiakët e Berishës i bashkohen Ramës

Në takimin që kryeministri Edi Rama po zhvillon në Shkodër, janë ftuar edhe kryetarë të bashkive që drejtohen nga e djathta.

Report Tv ka siguruar pamjet kur ka mbërritur Hilë Curri kreu i Bashkisë së Fushë Arrëzit, i koalicionit Bashkë Fitojmë.

Po ashtu kanë mbërritur edhe Rrok Dodja, kreu i bashkisë Pukë, Fisnik Qosja, kreu i bashkisë Kavajë, kreu i bashkisë Mirditë Albert Melyshi, Albert Malaj, kreu i bashkisë Memaliaj dhe Miftar Dauti, kreu i bashkisë Has.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Parajsë për taksa: 10/03/2024 08:16

    Të ka ik fuqia punëtore me gjithë specialist o Ram, tani duhet me i marr prej jashtë shtetit ku kan shku e me i pague si Europian e Amerikan, jo si Durrsak e Tirons.

    Përgjigju
  • Or tej: 09/03/2024 17:53

    Me "s'ka fonde" nenkuptojme qe sdo kene cfare te vjedhin kryehajdutet e radhes apo cfare or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Timi: 09/03/2024 16:29

    Inskenim amatoresk. Model erdoganist. Kercenon ata a thua se vuajne per buken e gojes po nuk u shkuan fonde. Populli e ha gjithmone si te vjedhin si te mos vjedhin.

    Përgjigju
  • Arben: 09/03/2024 12:31

    Pak bashki i kane mbetur opozites. Ti gezoje se ne 2027 nuk do kete asnje. PS do fitoje te gjitha bashkite dhe me ne fund Shqiperia do te dale perfundimisht nga vorbulla ku e futi Saliu qe ne vitet 90.

    Përgjigju
  • Xhepisti gjate: 09/03/2024 10:38

    Xhige xhepistat ne nje vend

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?