Rama:Ka ardhur koha, Shqipëri-
Maqedoni të nisin negociatat!

7 Dhjetor 2017, 15:04| Përditesimi:

  • Share
Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Bullgaria se Shqipëria dhe Maqedonia ka ardhur koha të nisin negociatat për integrimin në Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij në konferencën “Integrimi më i fuqishëm rajonal i Ballkanit, në Sofje, Rama tha se aspirata evropiane e qytetarëve tanë ka bërë bashkë gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor në këtë proces të jashtëzakonshëm të bërjes së bashku për integrimin evropian dhe ndërveprim për sfidat e qëllimet e përbashkëta.

Fjala e Ramës:
Dua të nis duke theksuar se nuk kanë kaluar 300 dhe as 30 vjet, por vetëm tre vite më parë kur ne nisëm këtë proces të bashkëpunimit rajonal në të cilin ne jemi të angazhuar sipas frymës, vizionit dhe modelit europian, dukej e pamundur. Ja ku jemi, si kurrë më parë. Aspirata Europiane e qytetareve tanë ka bërë bashkë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, në këtë proces jashtëzakonisht mësimdhënës të bërjes së bashku për integrim evropian dhe ndërveprim për sfidat e qëllimet e përbashkëta.

Procesi i Berlinit ka dhënë kontribut në ripajtim dhe në ecjen përpara, bazuar në potencialet tona që duhet të shfrytëzojmë. Unë mendoj se presidenca bullgare e BE-së vjen në momentin e duhur, si një koincidencë e mirëpritur për Ballkanin Perëndimor. Dhe unë besoj fuqimisht se Kryeministri bullgar ka të gjithë argumentet dhe të gjithë mbështetjen tonë. Por në të njëjtën kohë përditshmëritë tona janë për të nxitur përshpejtimin në rrugën aq shumë të domosdoshme të integrimit.

Ndërkohë që kemi shumë mbështetës të faktit që Serbia dhe Mali i Zi po negociojnë, ne besojmë fuqimisht që është koha që Shqipëria e Maqedonia të nisin negociata. Sepse sinqerisht, kjo eshte një kontradiktë, në mënyrën sesi e shoh unë, midis të qënit kaq shumë i përkushtuar ndaj procesit të integrimit, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, ka ardhur koha për palën Europiane që të ketë qartësi, se cila do të jetë perspektiva jonë.

Në të njëjtën kohë mos fillimi i bisedimeve duket se bëhet një ushtrim frustrues. Në të njëjtën kohë dua të falënderoj të gjithë të pranishmit në këtë tryezë nga Ballkani Perëndimor, por mbi të gjitha kryeministrin e Bullgarisë, për diçka që është shumë e rëndësishme për ne sot në Shqipëri e që nuk do të ishte as e imagjinueshme deri tre vite më parë.

Patëm disa përmbytje. Të gjithë njerëzit në këtë tavolinë, duke nisur nga miku ynë i çmuar Boyko Borisov, duke vazhduar me Serbinë, me Malin e Zi, Maqedoninë, padiskutim Kosovën, na ofruan ndihmë pa e kërkuar atë. Kështu që të gjithë dolën dhe thanë duhet të jemi atje dhe duhet të dërgojmë atje ekipet tona të emergjencës dhe gjithçka që mundemi për të qënë aty me ju.

Kjo ishte e jashtëzakonshme. Ky është një shembull i shkëlqyer i faktit jo vetëm sesi ne mund të ulemi lehtësisht së bashku dhe të flasim për objektivat dhe sfidat tona të ardhshme, por edhe të kuptojmë se si të gjithë ndihemi pjesë e të njëjtit fat. Sesi ndjejmë natyrshëm nevojën për të qënë krah për krah me njeri tjetrin edhe në momente të vështira.

Dua të përfundoj duke thënë se: PO, ne e kuptojmë shumë mirë që potenciali është këtu dhe mund të çlirojmë shumë nga ky potencial, nga c’ka Komisioneri Hahn dhe mikja jonë e dashur nga Banka Botërore, që e ritheksoi sot nevojën e lehtësimit të tregtisë dhe shkëmbimeve midis vendeve tona, e në të njëjtën kohë shpresojmë që Procesi i Berlinit, me investimet e parashikuar të infrastrukturës të bëhet realitet dhe më konkrete duke mos mbetur vetëm një listë joshëse dëshirash.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?