Rama: Investime masive
rilindja urbane përtej qyteteve
'Vjeshta histerike e politikës s'na pengon'

12 Nëntor 2017, 17:01| Përditesimi:

  • Share
Kryeministri Edi Rama, në komunikimin javor të kësaj të diele, i ka kushtuar vëmendje Rrugës së Arbrit dhe investimeve në zonat rurale. Qeveria vijoi në Qarkun e Dibrës mbledhjen mujore të ekzekutivit përgjatë dy ditëve, ku edhe u prezantua projekti i shumëpërfolur, ai i rrugës që lidh Dibrën me Tiranën përmes një segmenti vetëm 60 km. 

"Ne nuk e harruam ardhjen për Rrugën ne Arbrit, ne kemi bërë shumë pak gjëra dhe jemi në linjë për të bërë edhe gjëra të tjera për këtë vend"- thotë kryeministri. "Ne kemi folur për reformën e ujit, reformën shëndetësore, bujqësinë. Shqipëria që duam nuk është një slogan, por është një program që do të synojë të përmirësojmë të gjithë infrastrukturën nga Veriu në jug të vendit. U deshën shumë hapa të vegjël për të arritur më në fund vetëm një hap larg nga nisja e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Plot katër vjet për të ardhur deri këtu, ama erdhëm, erdhëm, jo si të tjerët që u nisën dhe u harruan rrugës, duke kthyer rrugën e Arbrit në një nga premtimet më të përsëritura dhe më të pambajtuar të histirisë së politikës shqiptare" - shprehet ai.

Kreu i qeverisë premtoi gjithashtu investime masive gjatë katër viteve në vijim, për të shtrirë sipas tij, rilindjen urbane përtej qyteteve. "Në buxhetin e ri do të financojmë edhe një program masiv ndërhyrjesh për ta çuar rilindjen urbane përtej qendrave të qyteteve që tanimë janë pothuajse të gjitha të rindërtuara, me përparësi zonat rurale ku ka nisur pak nga pak por mund të zhvillohet shumë më tepër turizmi", tha Rama duke shtuar se fokusi do jetë edhe te promovimi i turizmit malor duke ndërtuar rrugën për në Theth, Kurvelesh, Lurë dhe Frashër. 

VIDEO/ Komunikimi i plotë i Kryeministrit, Rama

Fjala e plotë e Kryeministrit Rama:

Është vërtet për të ardhur keq kur sheh kazanin e politikës të ziejë në vorbullën e llafeve pa mbarim dhe gënjeshtrave pa asnjë kursim. Ndërkohë që shqiptarëve politika u duhet për të bërë shtetin, për të rritur punësimin dhe garantuar mirëqënien e familjeve të tyre. Kjo vjeshtë histerike e politikës dhe as politika histerike tradicionale e kacafytjes për karriget e humbura dhe jo për idetë e pasura nuk mund të na pengojë dhe nuk do të na pengojë të bëjmë detyrën tonë, të mbajmë të plotë përgjegjësinë

U deshën shumë hapa të vegjël për të arritur vetëm një hap larg nga nisja e ndërtimit të Rrugës së Arbrit, plot katër vjet për të ardhur deri këtu ama erdhëm jo si të tjerët që u nisën dhe u harruan gjithnjë rrugës duke e kthyer Rrugën e Arbrit në një nga premtimet më të përsëritura dhe më të pambajtura të historisë së politikës shqiptare.Ndryshimet e vërteta bëhen me punë, duan durim, kohë dhe kanë vështirësi të panumërta.

Kemi një program masiv investimesh që do të fillojë me Rrugën e Arbrit dhe do të vazhdojë për ti kthyer rrugët kombëtare në rrugë europiane, siguri dhe lëvizshmëri të garantuar, me standarte të certifikuara dhe natyrisht me hijeshi ditën dhe ndriçim si duhet natën. Merreni me mend, 27 vjet në gjithë Shqipërinë ndriçohet vetëm aksi Rinas-Tiranë, sa shumë akoma kemi për të bërë.Do krijojmë shumë më tepër mundësi zhvillimi ekonomik, punësimi dhe integrimi social për gjithë shqiptarët nga veriu në jug.

Në buxhetin e ri do të financojmë edhe një program masiv ndërhyrjesh për ta çuar rilindjen urbane përtej qendrave të qyteteve që tanimë janë pothuajse të gjitha të rindërtuara, me përparësi zonat rurale ku ka nisur pak nga pak por mund të zhvillohet shumë më tepër turizmi. Duam të nxisim jo vetëm turizmin në bregdet por edhe atë malor prandaj duam të ndërhyjmë për të çuar rrugët e rilindjes urbane në Theth dhe Kurvelesh, në Lurë dhe Frashër e me rradhë në çdo destinacion ku bukuritë e jashtëzakonshme të natyrës dhe talenti i sipërmarrjes së njerëzve të zakonshëm mund dhe do të bëjnë diferencën mes të shkuarës pa shtet dhe të nesërmes me shtetin në krah.

Gjatë dy ditëve të punës në komunitetin në qarkun e Dibrës jemi ulur së bashku me kryebashkiakët e bashkive të qarkut pa dallime partiake dhe kemi folur për jetën reale, infrastrukturën e rrugëve dhe reformën jetike të ujit, për mbështetjen për bujqësinë dhe shërbimet shëndetësore, arsimore e sociale që duhen përmirësuar patjetër.

Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?