Rama:Integrimi s'shtyhet më,ja si
do i zgjidhim problemet me fqinjët

14 Janar 2018, 13:55| Përditesimi:

  • Share
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të shtyhet më procesi i hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Gjatë një aktiviteti në përvjetorin e FRESSH, Rama deklaroi se PS është partia e vetme që nuk e ka tradhtuar interesin kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Duke folur për problemet me fqinjët, i pari i qeverisë theksoi se do të zgjidhen me dialog të gjitha problemet, dhe se nuk është strategjike që Shqipëria të bëhet pjesë e BE, por që Shqipëria dhe rajoni të jenë Evropa e Bashkuar.

“Ne sot jemi në një moment historik, hapja e negociatave nuk shtyhet më. Le të thonë ç’të duan të gjithë, PS është e vetmja parti e krijuar pas rënies së diktaturës, që kurrë nuk e ka tradhtuar interesin kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo parti nuk ka lëvizur dhe as lëviz në asnjë fije nga boshti i interesit kombëtar. U krijuan disa probleme me fqinjët, sepse nuk duam zero probleme duke mbyllur sqepin para fqinjëve, siç e mbyllin ata para nesh, ne duam zero probleme duke pasur realisht zero probleme dhe duke trajtuar me dialog problemet e mbartura. Për ne nuk është strategjike që Shqipëria të bëhet pjesë e BE, por që Shqipëria dhe rajoni të jenë Evropë e bashkuar.

Maqedonia kaloi një ligj që as mund të imagjinohej, unë ju them sot me krenari që duhet të jeni krenarë, duhet të jenë krenarë që e kanë votuar dhe mbështetur këtë parti. Pa këtë parti nuk do të kishte sot gjuhë shqipe në Maqedoni të miratuar me ligj.

Marrëveshja e Ohrit- E kishte në majë të gjuhës  çdo qeveri shqiptare, por është dashur qasja e re, politika e re në marrëdhëniet me fqinjët dhe krijimi i bindjes reale se nuk e duam me llafe, por me fakte një Maqedoni të fortë, të zhvilluar, në mirëqenie dhe harmonie mes dy popujve që e formojnë atë për të ardhur te kjo ditë.

Keni dëgjuar nga lloj-lloj kanakarësh të politikës së mbledhur te firma e ‘çizmeve’, që ne qenkemi shkaktar që u prishën marrëdhëniet me Greqinë. Jo, ne jemi protagonistë që marrëdhëniet me Greqinë do t’i çojmë në një marrëdhënie të re, ku të dy fqinjët do të jenë në tavolinë dhe respektojnë të drejtën për të qenë të barabartë. Ne duam zero probleme edhe me Greqinë, por duhen zgjidhur të gjitha problemet dhe ne do t’i zgjidhim. 

Hapja e negociatave për Shqipërinë nuk është vetëm fillimi i fundit për realizimin e një ëndrre shekullore, por dhe fundi i të gjitha iluzioneve të kujtdo tjetër, të çdo fuqie tjetër, se Shqipëria mund të shkojë në një drejtim tjetër, përveçse në drejtimin se dielli lind aty ku perëndon. T’i dalësh sot përballë si barrikadë këtij stacioni historik të shqiptarëve, me pretendimin se po bën luftë opozitare nuk do të thotë të jesh antishqiptar, por qorr, i padobishëm dhe i papërdorshëm për interesat e shqiptarëve”, deklaroi kryeministri. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?