Rama inspekton punimet për vendosjen e Urës së Re të Kukësit

Rama inspekton Urën e Re të Kukësit: Super! E ndërtuar me material që përdoret në arkitekturën moderne

12 Mars, 17:38| Përditesimi: 12 Mars, 17:49

  • Share

KUKËS- Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot punimet e fundit që po kryhen për vendosjen e Urës së Re të Kukësit që do të lidhë 2 anët e liqenit me Rrugën e Kombit.

Inxhinierët bënë me dije punimet për vendosjen e urës me detaje të veçanta inxhinerike janë drejt fundit dhe pritet të ketë edhe një lëvizje prej 20 metrash drejt bazamenteve ku do të vendoset përfundimisht.

Sa i përket materialit me të cilin është ndërtuar ura, kryeministri u shpreh se nuk bëhet fjalë për hekur të ndryshkur, por ‘korten’ që përdoret në të gjithë arkitekturën moderne.

“Ky nuk është hekur i ndryshkur por korten. Material shumë i vyer që përdoret për arkitekturën moderne. Super është, rrugë e varur nuk ka kolonë”- tha kryeministri.

Ura pritej të vendosej ditën e djeshme por punimet u ndërprenë për shkak të motit të keq me rrebeshe shiu dhe erë të fortë që përfshiu disa qytete të vendit. 

Në disa intervista të kryera më herët nga Report Tv, qytetarët u shprehën se kishin dëshirë që emërtimi i urës të simbolizonte bashkimin e kombit. 

Ura është strukture hark me celik Corten dhe ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra dhe peshon rreth 5000 ton. Ky projekt i madh financohet nga konçesionari i rrugës së kombit dhe konsiderohet si një nga urat me hapësirën më të madhe në Ballkan në tipologjinë e saj.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?