Rama inspekton punimet në bulevardin kryesor të Shkodrës: Duhet projekt i unifikuar si në Korçë e Gjirokastër! Beci: Përfundon brenda 5 muajsh

5 Dhjetor 2023, 08:36| Përditesimi: 5 Dhjetor 2023, 11:54

  • Share

Pas inspektimeve të bëra ditën e djeshme në ballinën ujore në hyrje të qytetit, Rama inspektoi edhe projektin në bulevardin e qytetit.

Kryeministri Rama eci përgjatë Bulevardit kryesor të Shkodrës në një ditë të zakonshme pune, ku aktualisht po realizohet projekti për rigjenerimin e stokut të banesave. 55 pallate po vishen me sistemin kapot, termoizolim, që do të ndikojë veç anës estetike edhe në kursim energjie,  duke rritur gjithashtu edhe vlerën e pronës.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci informoi se projekti do të përfundojë në 4-5 muaj. Ndërsa Kryeministri Rama theksoi se kursimi i energjisë është një prej të mirave në këtë ndërhyrje që po bëhet.

“Janë me kursim energjie se fasadë është njëra anë dhe është shumë e rëndësishme, pavarësisht se disa vazhdojnë të mos e kuptojnë, por ajo që është përmbajtja e kësaj ndërhyrje është që këtyre i ulet shpenzimi i energjisë edhe në verë edhe në dimër.” – u shpreh ai, teksa sugjeroi që edhe dyqanet poshtë pallateve të bëhen pjesë e kësaj nisme.

“Duhet patjetër të bëhet edhe një unifikim i dyqaneve. Duhet një projekt i unifikuar, siç është bërë në Korçë e Gjirokastër.” – u shpreh kryeministri.

Ndërkohë ka nisur edhe rehabilitimi i rrugës "Kardinal Mikel Koliqi",  një segment rrugor që lidh zonën e Dugajve të Reja me kryqëzimin e spitaleve. Ndërhyrja në këtë rrugë pason edhe dy investimet në bulevardin “Mehmet Pashë Plaku” dhe “Bujar Bishanaku” në qytetin e Shkodrës.

“Kjo është një nga shumë ndërhyrjet që kemi bërë në Bulevardin kryesor me asfaltim, ku ka qenë plotësisht e dëmtuar shtresa e sipërme. Do të jetë vazhdim i një ndërhyrje rreth 5 km në Shkodër, rrugë asfaltike, që po bëhet aktualisht me vijëzime, me sinjalistikë dhe do të vazhdojmë edhe në akse të tjera. Pastaj do të vazhdojmë me pjesën e projektit për ndriçimin dhe me pjesën e projektit për trotuaret, por fillimisht kemi bërë disa ndërhyrje të domosdoshme për qytetin. – shpjegoi Kryetari i Bashkisë Beci, teksa evidentoi se Shkodra tanimë është në një nivel krejt tjetër në aspektin e pastërtisë së mjedisit.

Ora 11:42
VIDEO/'O Edi Rama njish. Shyqyr që ke fitu!' Shkodranët e mirëpresin dhe e ndalojnë në rrugë! Batutat e Rames: Shyqyr që erdhi dita!

 

Shkodër - Me shtrëngime duarsh, apo ftesa për kafe, shkodranët kanë ndaluar kryeministrin Edi Rama për ta falenderuar për ardhjen e tij në Shkodër dhe atë çfarë ka bërë deri tani.

Gjatë inspektimit përgjatë bulevardit kryesor të Shkodrës ku aktualisht po realizohet projekti për rikonstruksionin e fasadës së 55 pallate kanë qenë shumë qytetarë të cilët I kanë dalë para për ta takuar. Nuk kanë munguar as batutat e kryeministrit.

'O zotni kryetar na e sill pak kryeministrin ti qesim një kafe” tha një qytetar

Keni shumë kafe me më qit por tani jam I zënë” i tha Rama

Një grua tjetër e ndaloi dhe i tha:  Na keni shpëtuar me këtë (I referohet kryetarit të bashkisë, Benet Beci), për sytë e ballit.  Djali im në Holandë të adhuron”

“Se nuk më njeh mirë prandaj” tha Rama duke shkaktuar të qeshura.

O Edi Rama njish. Shyqyr që ke fitu.”

‘Jo shyqyr që kam fituar unë, shyqyr që keni fituar ju’ ia ktheu një qytetar

'A ban me ta dhanë dorën' i tha një shkodran tjetër

“Shyqyr që erdhi dita të më japësh dorën” I tha Rama një shkodrani.

Madje videoja e publikuar në facebook nga kryeministri Edi Rama mbyllet  me urimin e një shkodrani për kryeministrin “Të rujt Zoti!”

Ora 11:01
Projekti për rijetësimin e zonës historike 300 vjeçare të Zdrales në Shkodër, Rama: Të jetë jo vetëm tregtare por edhe kulturore

 

Zona historike e Zdrales është një nga më të mirënjohurat e Shkodrës, me një aktivitet të gjerë tregtar, e sjellë së fundmi në vëmendje si nevojë për transformim të domosdoshëm, përmes vitalizimit urban dhe rilindjes së traditave më të bukura që ajo ka mbartur ndër vite.

Kryeministri Edi Rama ndoqi prezantimin e bërë në bashkinë e Shkodrës të asaj çfarë ofron aktualisht kjo lagje, dhe perspektivës për zhvillimin e një projekti, që jo vetëm do ta zbukurojë atë, por do të lehtësojë ndjeshëm çdo lloj aktiviteti tregtar apo kulturor.

“Zona e Zdralës është një zonë shumë e madhe dhe qendrore në qytet. Është pjesë e një rrethi 5 minutësh i qarkullimit nga qendra e qytetit, por ama është e degraduar në krahasim me zonën tjetër tjetër historike. E kemi sjellë në vëmendje si një zonë që meriton patjetër vitalizim urban por edhe një zhvillim nga pikëpamja  e karakterit të pazarit që ka dhe më gjerë. Është një zonë historike. Ka 300 vite si lagje që është formuar, me elemente interesant të trashëgimisë kulturore, por sot është degraduar po themi dhe nga zhvillimi urban dhe nga mungesa e infrastrukturës.” –u shpreh prezantuesja e projektit, teksa shpjegoi në detaje përbërjen e kësaj zone.

“Është zonë më e rëndësishme përsa i përket aktivitetit tregtar në qytet me mbi 400 njësi shërbimi të ndryshme. Ka një energji, ka një shpirt shumë të bukur të aktivitetit të përditshëm. Ka 75% lëvizje këmbësorësh dhe biçikleta, ka mbi 60 tregtarë me prodhime të gjithë rajonit verior, ka 30 shitës ambulantë. Ka dy struktura të mëdha artikuj industrial që janë sot si bunker. Pasdite nuk ka, mbyllen të gjitha shërbimet prandaj ka një karakter më utilitar dhe tranzit. Ndërkohë që, ngjitur me të është dhe stadium, i cili sot për sot është i pashfrytëzuar për qytetin. Në këtë zonë gjendet dhe Muzeu Historik i Shkodrës, gjendet Çinari 200 vjeçar që është monument natyre, 12 monumente kulture dhe 2200 nxënës dhe studentë nga të cilët 650 janë profesionalë hoteleri-turizëm, kuzhinë dhe tekstil konfeksioni. Kemi një potencial të madh për ta riparë tërësisht si zonë dhe jo vetëm duke i dhënë karakterin e pazarit, por edhe duke përfshirë gastronominë që e ngre në një nivel më identitar për Shkodrën, ashtu dhe trashëgimia. Ndërkohë që elementi edukativ gjen vend në të gjitha këto pika. Duke përfshirë funksione që janë marzhe të gjithë këtyre karaktereve Zdralja do bëhet vendi ku shpirti i pazarit dhe shijet autentike të veriut shkrihen me vlerat e trashëgimisë. E gjithë lagja merr një karakter inkubatori për shkak të studentëve që janë pjesë dhe jetojnë çdo ditë.” – detajoi ajo.

 

Nga ana e tij, kryeministri Rama theksoi se me rigjenerimin e zonës, do të marrë një tjetër energji edhe aktiviteti tregtar, i cili për momentin nuk ofron më të mirën e tij.

“Në momentin që rigjenerohet hapësira dhe privatët marrin tjetër mesazh dhe tjetër energji dhe ia vlen. Tani aty në atë lloj situate ashtu s’ka çfarë të ketë bare të mira, s’ka çfarë të ketë dyqane të mira, kështu që edhe kjo është efekti zinxhir që sjell rikualifikimi.” – u shpreh kryeministri, Rama teksa sugjeroi futjen e koncepteve të reja në projektim, në mënyrë që të dalin më në pah vlerat e vërteta historike.

“Mund të bëhet një si muze që krijohet në një pikë, por mund të lidhet me disa figura kryesore të historisë së zonës dhe ti konceptosh ato aty si kulla, po themi kulla e Lekë Dukagjinit, kulla e Migjenit dhe ndërkohë aty brenda ka një aktivitet X dhe pastaj pjesa tjetër bare, restorante apo bujtina kanë elementë të këtyre figurave dhe plus mund të përdoret për të ekspozuar gjithë këto veshjet. Mund të jetë një koncept i ri. Duhen shfrytëzuar katet e para të atyre, si një muze që pjesët e jashtme i sheh nëpërmjet hapësirash, mund të jenë si dritare që fut sytë dhe sheh, janë si në vitrinë por një vitrinë gjysmë e fshehur që ti i sheh, pastaj futesh brenda i sheh më shumë. Mund të jetë një gjë shumë unikale. Duhet studiuar dhe të kombinohet me aktivitet, por të jetë dhe kulturore të jetë dhe tregtare. Të jetë jo vetëm tregtare po dhe jo vetëm kulturore, por bashkë dhe mund të shfrytëzohen pastaj dhe pjesa e dhomave për këto, dizajnin, arredimin dhe me fotografitë, të shfrytëzohen si tip reference dhe me librat që ka aty për figurat e zonës.” – sugjeroi Kryeministri.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dori: 05/12/2023 11:51

    Bulevardi kryesor po transformohet me fasadat e pallateve por dyqanet kan zaptuar trotuaret dhe esht nje katrahure.Duhet te prishen shtesat e dyqaneve qe kan dal ne trotuare ndryshe do ishte nje investim gjysmak aspak i bukur.

    Përgjigju
  • Emigranti: 05/12/2023 09:34

    Shum me vones, shkodra u boshatis iken nerzite 34 vite tu prite dhe ala sjena kurkuni

    Përgjigju
  • Ndergjegja: 05/12/2023 08:48

    Ti kryeminister bashke me salehun jini mallkima dhe fatkeqsia e Shqiperise

    Përgjigju
    • Kola: 05/12/2023 12:32

      Ndergjegja! Pse është i mallkuar kryeministri?

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?