Rama: Fund hajdutëve të energjisë
si dhe gjykatave 5 mijë lekëshe!

23 Tetor 2014, 12:53| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Në senacën plenare, kryeministri Edi Rama i është rikthyer edhe një herë aksionit që pritet të nisë së shpejti në të gjithë vendin ndaj personave që vjedhin energjinë elektrike.

Shefi i qeverisë, paralajmëroi se të gjithë hajdutët e energjisë do të vihen para përgjegjësisë dhe do të arrestohen. Rama nënvizoi se kolapsit energjitik drejt të cilit po shkon vendi duhet t’i jepet fund, duke e krahasuar atë me një bombë që pritet të shpërthejë nga momenti në moment.

“Ne do ta bëjmë këtë transparencë të plotë, kjo do të fillojë ditën kur do të shpallet plani i operacionit tonë dhe do të vazhdojë, dhe shpresoj shumë me ndihmën e deputetëve për ta përçuar në dritën e fakteve, në sytë e çdo qytetari arsyen se pse kemi ardhur në këtë gjendje, se çdo familje që paguan energjinë elektrike dhe është e interesuar për të mos vazhduar me një barrë borxhesh që mund të kthehet në bombë dhe të shpërthejë në mënyrë të pakontrolluar, se çdo hajdut të përballet me ligjin dhe të shkojë prapa hekurave dhe të gjithë së bashku të bëhemi pjesë e reformës për të ndryshuar gjithë modelin e tregut tonë energjitik. Me shumë neveri dhe nuk mund ta redaktoj këtë ndjesi, i kam ndjekur të gjitha përpjekjet se ata që e sollën vendin në këtë situatë, e kanë kot t’i shmangen kësaj reforme. Kur vjen puna tek faktet objektive se sektori është në agoni dhe nga kjo agoni mund të dilet me një reformë.” tha kryeministri

Rama: Hajdutët e energjisë lihen të lirë nga gjykatat 5 mijë lekëshe
Por për Kreun e Ekzekutivit, përgjegjësi për këtë krim ka edhe sistemi i drejtësisë. Sipas tij, gjykata në vend, më konkretisht Gjykata Administrative është kthyer në gjykata 5 mijë lekësh. Sipas Ramës, hajdutët janë lënë të lirë, dhe madje korporata energjitike është detyruar të rilidhë energjinë për këta vjedhës të energjisë në bazë të vendimit të gjykatave. Kryeministri nënvizoi se këto vendime të marra, janë shkelje e hapur e ligjit, dhe pjesë e sistemit korruptiv në drejtësi.

“Gjykata Administrative e këtij vendi po kthehet në atë që ne e kishim frikë kur ngurronim të votonim krijimin e Gjykatave, në një korporatë fitimprurëse si zgjatim i sistemit të drejtësisë. Një gjykatë 5 mijë lekshësh, që nuk dënon hajdutët. Si mundet që për një hajdut që kapet duke futur dorën në xhepin e tjetrit të ketë burg, dhe për tjetrin që kapetr duke futur telin në energjinë e tjetrit lihet i lirë. Si ka mundësi që kur vjen puna tek bizneset e mëdha që kanë borxhe ndaj kompanisë, jo vetëm që nuk dënohen, por detyrojnë kompaninë që t’i rilidhi energjinë. Në cilin vend të botës, mund të lejohet që të japë produktet që prodhon pa marrë lekë. E vërteta është e provuar me fatura katërcipërisht. Vetëm në Shqipëri ndodh kjo me një sistem drejtësie të tillë. Mijëra të arrestuar për krimin e ndërtimit pa leje, lihet në gjendje të lirë.” tha kryeministri

Rama: PD qesharake, nuk luftoi këtë fenomen
Megjithatë, sipas kryeministrit Rama, fajtor është edhe opozita e sotme, e cila sipas tij ka lejuar këtë krim të përhapet në të gjithë vendin. Por Rama theksoi se pas reformës që qeveria do të ndërmarrë në arrestimin e hajdutëve të energjisë, akuzat e PD do të ngjajnë qesharake. Sipas Ramës, të gjitha akzuat e bëra deri më tani nga PD kanë rezultuar të pavërteta dhe qesharake.

"Është për të ardhur keq se ata që ishin në pushtet deri dje sillen me një papërgjegjshmëri të madhe. Kanë predikuar që kanë dalë të pavërteta dhe për të cilat janë bërë qesharakë. Predikuan se do të bëhej nami se u rrit 10 lekë nafta, apo akciza e cigareve, se u rrit tatim fitimi për kompanitë. Jo vetëm nuk u bë nami por sot jemi në kushtet kur nga situata që e morëm ekonominë, dhe që institucionet e përcaktonin ekonominë të paqëndrueshme, kemi kaluar në të qëndrueshme, dhe më pas pozitive. Shumë shpejt presim raportin e Doing Bussiness dhe jam kurioz për rezultatin e reformave që kemi bërë. Sidoqoftë besoj se do të jemi në një pozicion ku Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në 24 vite." tha kryeministri Rama

Rama: Çmimi i energjisë nuk do të rritet!
Rama u ndal edhe në akuzat e opozitës për rritje të energjisë, ku ripërsëriti se çmimi nuk do të preket, por do të hiqet fasha mbrojtëse, e cila sipas kryeministrit mbronte vetëm hajdutët e energjisë. Edi Rama theksoi se dëmi i shkaktuar nga vjedhja e energjisë, arrin në shumën e 150 milionë eurove, ose siç e krahasoi ai me ndërtimin e 150 shkollave, 6 spitaleve, 100 km rrugë në vit, apo edhe tatim-fitimi i kompanive në buxhetin e shtetit.

Për Ramën hajdutët më të mëdhenj janë bizneset, dhe siç nënvizoi ai, reforma në sistemin energjitik, do të fillojë pikërisht nga këto biznese.

“Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë, si nistrument reforme. Se pse ajo çka e ka sjellë vendin në këtë situatë, ka qenë paaftësia e plotë për ta parë sektorin në kompleks dhe për të ndërtuar një treg funksional të energjisë, dhe nga ana tjetër, fatura që u është lënë qytetarëve në siglen e reformës. Ne do ta heqim fashën që sot e përdorin jo familjet në nevojë, por hajdutët. Vetëm heqja e fashës do të sjellë një reduktim të vjedhjeve në energji. Ne nuk do ta heqim fashëm duke ua lënë barrën pensionistëve, por duke e marrë përsipër jo me fjalë, duke paguar atë pjesë që vjen nga heqja e fashës. Dhe do ta shohim në këtë kuvend se si do të bëhet kjo dhe opozita do të rikonfirmojë se sa qesharake është. Ata qytetarë që paguajnë energjinë kërkojnë investime. Me vjedhjet e energjive ne i heqim vetes 150 shkolla, 100 kilometra rrugë kombëtare në vit, 6 spitale rajonale, dhe parafytyroni që të qëndrojmë në këtë situatë të bashkëjetojmë me hajdutët energjisë me fashën me demek mbrojtëse, dhe ti heqim vetes tatmi fitimin e të gjitha ndërmarrjeve në buxhetin e shtetit.  Askush të mos guxojë ta vjedhë energjinë si mall pa zot. Kjo është një sfidë e përbashkët kombëtare. Kjo është një sfidë e Prokurorisë, e Gjykatave. Nuk janë llampat e familjeve në nëvojë që sjellin këtë krizë, por bizneset e mëdha në Tiranë-Durrës, që paguajnë energjinë me sahat familjar. Nga ata do të fillojë operacioni. Është e pamundur të vazhdohet kështu. Nëse sot ne nuk e bëjmë këtë reformë do të jenë më të vështira për tu përballur me kolapsin energjitik. ” u shpreh Rama

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?