Rama: 95% e shërbimeve janë online, 7 vite më parë ishin 1%! Kemi tkurrur korrupsionin! Shqipëria lider në rajon në qeverisjen digjitale (VIDEO)

19 Mars 2021, 10:22| Përditesimi: 19 Mars 2021, 12:50

  • Share

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit “Rruga drejt 25 prillit-Shërbimet për Qytetarët dhe Biznesin”, ka deklaruar se 95% e shërbimeve që bëjnë zyrat e shtetit për dokumenta janë online ndërsa sipas tij para 7 vitesh ishin vetëm 1%.

“Kujtohuni se në sa shumë radhë iu është dashur të qëndroni, pavarësisht moshës që nga nxënësit e maturës për të shkuar në universitet, tek pensionistët në moshën më të thyer për të marrë një vërtetim pensioni. Sa shumë radhë keni bërë për çdo copë letër dhe sa herë, sa shpesh në ato radhët e bëra iu është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, me fytyrën fyese, poshtëruese të shtetit kur iu është thënë: “ik, hajde nesër”, “ik s’kam mundësi sot”. “Ik, ik, kthehu, kthehu”.

Dhe në sa shumë raste ju është dashur të paguani për të kaluar radhën, të paguani për të gjetur një rrugë më të shkurtër që ajo e shkretë copë letër që iu takon me ligj dhe me zakon t’ju vijë në dorë.

A ju kujtohet, se mirë dritat venin e vinin sipas humoreve të perëndisë apo natyrës ose sipas këputje - shkëputjeve të një kompanie të kthyer në një makth për ju, por edhe kur duhet të paguanit ato fatura afrofe, jo sipas asaj që kishit konsumuar, por sipas asaj që iu caktonin të paguanit, duhet të rrinit në radhë.

Duhet të rrinit në radhë shpesh herë në rrugë, në shi, në diell. Për çfarë? Për të paguar.  A ju kujtohet se në sa shumë raste, në sa shumë raste, sidomos ata që kanë patur shpesh nevojën për të marrë dokumente iu është dashur të kërkoni një mik, të kërkoni një emër, një mbiemër të njohur, të kërkonit një krushk, një fqinj për t’iu ardhur në dorë ajo e shkretë copë letër.

Këto ishin sportelet tuaja, ky ishte shteti juaj, shteti ynë, deri përpara 7 vitesh.

Kjo ishte e gjithë çka ndodhej pas sporteleve, pas atyre sporteleve të zymtë ku një dorë zgjatej e tërhiqej, zgjatej e tërhiqej për të marrë sa dhjetëra nganjëherë dokumente që ju vetë duhet të grumbullonit për një vërtetim të vetëm.

Shko atje, ik atje, shko andej, dil andej, ik prapë, kthehu dhe sa shpesh ajo dorë që merrte dosjet tuaja zgjatej drejt jush me një zë krejt indiferent që iu thoshte: ik plotësoje, ik, shko.

E pra deri 7 vjet më parë. Po sot?

Natyrisht ka ende sot, jo pak njerëz që duan të shkojnë në sportele, por faktikisht, kush nuk do të shkojë në sportel, nuk ka nevojë të shkojë sepse janë 1207 shërbime nga 3 a 4 që ishin deri para 7 vjetësh, ose e thënë ndryshe 95% e shërbimeve që bëjnë zyrat e shtetit për dokumente për qytetarët, janë në xhepin tuaj, në iphone-in tuaj ose në kompjuterin e shtëpisë tuaj. Natyrisht që e gjithë kjo, përveç të tjerave ka lidhje dhe me atë famëkeqin dhe torturuesin; korrupsionin.

Ka lidhje me ato fjalë që janë bërë makthi i shoqërisë sonë për vite e vite; ryshfet, bakshish. Nëse shohim sesa shumë prej jush janë spostuar tanimë nga sportelet te ndërveprimet me shtetin online, llogaria është shumë e thjeshtë. Po aq ka rënë edhe korrupsioni, po aq ka rënë dhe fuqia e ryshfetit që ekziston patjetër, por që sot është tkurrur masivisht së paku në atë nivel ku ishte masivisht i përhapur, niveli i marrëdhënies së drejtpërdrejtë qytetar-shtet në një sportel.

1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh.  95% janë sot, por shikoni çfarë ndryshimi. Kur ne e kemi filluar revolucionin digjital kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime. Çfarë janë 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud në krahasim me 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë”, tha Rama.

Rama tha se para 7 vitesh qytetarët rrinin në radhë për vërtetime, pensionet, për të paguar dritat apo qoftë edhe çmimet afrofe. Kreu i qeverisë e cilësoi Shqipërinë, lider në rajon sa i takon qeverisjes digjitale

"Janë 7.7 mln aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë. 50 mijë shqiptarë ishin të regjistruar, sot janë 1 000 087 shqiptarë. Deri në 2013 numri total i transaksioneve ishin 680 000, sot janë 145 000 000. Që mund të shtohen dhe do të shtohen sa më shumë të rritet pjesëmarrja dhe sa më pak njerëzit në vend që të ankohen për vonesën të përdorin platformën. Është shumë e thjeshtë. Dhe më e rëndësishme për një shumë të madhe dokumentesh që shteti lëshon duhej një numër dokumentesh të tjerë për të bërë aplikimin. Revolucioni nuk mund të bëhej pa e çuar tepsinë për skrap.

Vazhdon dhe do e transformojë këtë vend në një vend ku shteti është në xhepin e qytetarit për të marrë nga telefoni kërkesën për ta kthyer në një dokument të plotësuar. Për qytetarin dhe biznesin për të voglin dhe të madhin, të riun dhe të moshuarin. Shqipëria lider në qeverisjen digjitale në rajonin tonë ndërkohë që ishte bishti i kavallit deri 7 vite më parë,

Vazhdon dhe do e transformojë këtë vend në një vend ku shteti është në xhepin e qytetarit për të marrë nga telefoni kërkesën për ta kthyer në një dokument të plotësuar. Për qytetarin dhe biznesin për të voglin dhe të madhin, të riun dhe të moshuarin. Shqipëria lider në qeverisjen digjitale në rajonin tonë ndërkohë që ishte bishti i kavallit deri 7 vite më parë”, tha ai.


Lajmi kryesor:

'Shqipëria lider në rajon në qeverisjen digjitale', Rama: Bëmë revolucion pasi hoqëm nga prehri LSI, 95% e shërbimeve online! Kemi tkurrur korrupsionin


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?