Rama: 800 kompani kryesore
gënjejnë mbi pagat e punonjësve

14 Nëntor 2017, 10:04| Përditesimi:

  • Share
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar kompanitë e mëdha në vend, teksa tha gjatë takimit me bankat se janë plot 800 kompani që deklarojnë shumicën e punonjësve me një pagë nën 300 mijë lekë, duke iu dhënë kështu gjysmën e parave në të zezë.

Rama tha se kjo rrezikon seriozisht të ardhmen dhe pensionin, si dhe shkakton një dëm të drejtpërdrejtë për shtetin, arkën e shtetit dhe shoqërinë në tërësi. Gjithashtu, kreu i qeverisë paralajmëroi kompanitë se duke nisur nga viti i ardhshëm administrata tatimore nuk do të njohë asnjë bilanc të dyfishtë, pra bilancet e kompanive që nuk përputhen me dilancet që disponojnë bankat.

Më tej, ai u fokusua te disa nga fushat që kërkojnë më shumë investim duke premtuar se buxheti i 2018 do përqendrohet pikërisht këtu, siç janë arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Duke filluar nga viti i ardhshëm qeveria shqiptare, administrata tatimore nuk do njohë asnjë bilanc të kompanive të papërputhur me bilancet që disponojnë bankat. Historia e dy bilanceve kur vinte banka kompania tregonte sa shumë kanë dhe kur vinte shteti tregonin sa keq janë, do marrë fund nga viti 2018. Të gjitha kompanitë, duhet ta kenë të qartë. Tatimet nuk do njohin asnjë bilanc tjetër vec bilancit që këto kompani i dorëzojnë bankave për të treguar sa shumë kanë.

Kemi 800 kompani më të mëdha të vendit, që deklarojnë se mbi 42% e punonjës të tyre paguhen nën 300 mijë lekë. Ju japin gjysmën e rrogës mbi dorë dhe gjysmën nën dorë, duke kompromentuar seriozisht të ardhmen dhe pensionin, si dhe shkaktuar një dëm të drejtpërdrejtë për shtetin, arkën e shtetit dhe shoqërinë si e tërë. Rritja ekonomike e 2018 do të vazhdojë të tregojë qëndrueshmëri. Ne jemi pothuajse në 4-fish nga dita kur kemi marrë detyrën. Do të ulim borxhin publik me të paktën 2.5%, si dhe do sigurojmë 26 miliardë lekë të ardhura shtesë në 2018 pa rritje taksash. Buxheti i 2018 nuk është ndërtuar mbi tejkalimin e forcës së dëshirës të realitetit ekonomik, por është ndërtuar për të konsoliduar më tutje shtetin, duke rritur hapësirat për zhvillim ekonomik, punësim real. Investimet janë përqendruar në fushat që kanë ndjeshmërinë më të madhe publike. Arsimi dhe shëndetësia kanë një fluks investimesh, po ashtu bujqësia ka një hop në financime. 42% më shumë do investohet për infrastrukturën, janë mbi 400 milionë euro që planifikohen në infrastrukturë.

Kemi shpenzuar miliarda për të ndërtuar rrugë kombëtare, por sot nuk kemi asnjë të certifikuar sipas standardeve evropiane. Qëllimi ynë është që rrugët të rindërtohen sipas këtyre standardeve dhe në katër vite të kemi rrugë me standarde evropiane. Në Shqipëri sa bie nata ka vetëm një aks kombëtar me drita Tiranë-Rinas, tjerat ec përpara dhe ‘sukses në jetë’, këtë ne do ta ndryshojmë patjetër. Ka filluar dhe zbatimi i ‘1 miliardë’, jemi në negociata për rrugën e Arbrit. Nëse ka një program ku nuk mund të diskutohet fare pastërtia e burimit të të ardhurave është ky program, që është i dizenjuar për të qenë program falë bashkëpunimit të kompanive me bankat. Në aspektin e luftës kundër pastrimit të parave Shqipëria është një vend me të gjitha standardet të BE dhe se nuk ka asnjë shans të mund të pastrohen para në Shqipëri përmes sistemit bankar”,
deklaroi shefi i qeverisë.

Rama e ka mbyllur fjalën e tij me një shprehje të Ismail Qemalit, kur në vitin 1912 nisi punën për krijimin e një banke qendrore të pavarur, duke e cilësuar këtë si pavarësinë e dytë në Shqipëri.

“Në fund dua ta mbyll me një shprehje të Ismail Qemalit, që tashmë është një dëshirë e realizuar e atit të shtetit shqiptar, i cili më 1912 nisi punën për krijimin e një Banke Qendrore: "Një sistem i pavarur në shërbim të vendit do të ishte pavarësia e dytë e Shqipërisë”. Pavarësia e dytë është një objektiv i realizuar, sepse sot kemi një sistem të pavarur dhe një BSH që mbetet model rrezatues për çdo institucion që kërkon të mbetet i pavarur”, përfundoi Rama. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?