Shëndeti

Gjysma e popullsisë në jug të vendit e pa vaksinuar, drejtori Llapi: Të interesuar vetëm mosha e tretë, personat që kanë kaluar Covid-19 refuzojnë

13 Nëntor 2021, 12:03| Përditesimi: 13 Nëntor 2021, 15:30

  • Share

Duket se fushata e vaksinimit nuk ka ecur si duhet në rajonin e jugut. Drejtori i Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Kujtim Llapi shprehet se në gjithë rajonin e jugut nga Lushnja deri në Sarandë janë vaksinuar vetëm 53 për qind e popullsisë të moshës 18 vjeç e lart.

Llapi thekson se ndër të gjitha bashkitë e rajonit të jugut, fushata e vaksinimit ka ecur më mirë në rrethin e Vlorës ku numri i vaksinimeve ka shkuar në 67 për qind.

Më shumë interes për vaksinimin ka mosha e tretë 60+, ndërsa interes të ulët ka nga të rinjtë, sidomos ata që e kanë kaluar Covid-19.

Intervista e plotë me drejtorin e OSHKSH  Vlorë, Kujtim Llapi

Si është situata aktuale, numri i infektimeve?

Panorama e tanishme e rrethit të Vlorës është në një trend në rënie të rasteve të reja. Numri i testimeve është i njëjtë, por pozitiviteti është ulur, sot që flasim janë 251 raste aktivë me Covid-19.

A mund të preket Shqipëria nga vala e 4-t e infektimeve siç ka paralajmëruar OBSH-ja?

Sa i përket valës së 4 nuk mund të them sepse e përcakton OBSH, në bazë të shifrave që shohim në rang lokal dhe kombëtar numri është në rënie, si për infektimit apo dhe shtrimet në spital.

A ka filluar vaksinimi i fëmijëve dhe nëse po sa të vaksinuar janë deri tani të grupmoshës 16+?

Në rrethin e Vlorës ka filluar vaksinimi i fëmijëve në bazë të protokollit të ISHP-së, vetëm dje janë vaksinuar 31 fëmijë në gjithë rrethin e Vlorës, kryesisht ata që janë me sëmundje kronike.

Po për dozën e tretë të vaksinës a ka interes?

Për vaksinimit me dozën e tretë, mosha 60+ ka interes. Por të mos harrojmë se është dhe një pjesë 10-15 për qind e popullsisë të cilët janë persona që e kanë kaluar covid-19 dhe protokolli nuk të lejon të vaksinohen, sidomos ata që e kanë kaluar covid-19 kohët e fundit. Sipas protokollit, vaksina bëhet 6 muaj pasi personi e ka kaluar Covid-19.

Nëse do të flasim me shifra, në gjithë rajonin e jugut sa është numri i të vaksinuarve?

67 për qind e popullsisë (mosha 18+) janë vaksinuar në  Rrethin e Vlorës, ndërsa në gjithë rajonin e jugut, nga Lushnja e deri në Sarandë, kjo shifër është më e ulët. Vetëm 53 për qind e popullsisë është vaksinuar në rajonin e jugut. Këto janë shifra të INSTAT.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?