Radogoshi i vjen Shqipërisë me poezi, rrëfen vargjet e luftës: Në ato rrethana s'ish vetëm art, sot Kosova e anashkaluar me Ballkanin e Hapur

12 Korrik 2022, 16:50| Përditesimi: 12 Korrik 2022, 16:59

  • Share

“Unë pendohem, publikisht pendohem

Për krimet e kryera”

Janë vargje të librit “Liria ishte thjesht një ëndërr”, që poeti Kadrush Radogoshi e sjell në anglisht. Promovohet bashkë me botimin në shqip të “Këmishë prej zjarri” në Muzeun Historik.

Vargjet në anglisht janë të shkruara mbi Luftën e gjatë saj... kur për poetin në atë “Anatomi dhune”,  që e burgosi, siç shkruan, “të bëhej një koleksionist lulesh në metafora, ishte e ndaluar”.

“Në ato rrethana poezia nuk është vetëm art, sado që të jetë i formuar të jetë artisti poeti, sepse në atë kohë unë isha profesor. Por sado të jesh profesionist në rrethana të tilla robërie është e pamundur që poezia të mos ketë mision. Dhe poezia ime është poezi e misionit. Po e dy misioneve, edhe mision estetik, edhe atdhetar, politik, njerëzor”, rrëfen poeti Kadrush Radogoshi.

Si ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Kosovë e autor i mbi 20 veprave, e njeh mirë situatën letrare në kombin tonë. I dhemb atmosfera jofavorizuese, në kontrast me politikat nxitëse në Kanada ku jeton.

“Rrethanat shoqërore dhe pozita e shkrimtarëve edhe poetëve është shumë e vështirë në shoqërinë shqiptare, sepse gjendja e rënduar ekonomike bëhet që të mos investohet në kulturë, sidomos në letërsi”, shton ai.

E shqetëson klima politike në rajon, veçmas krisjet që mund të pasojnë marrëdhëniet pas Ballkanit të Hapur.

“Sot kërkesa për Ballkan të Hapur, është një kundërvënie e iniciativës së Berlinit për një parapërgatitje për në Bashkimin Evropian. Dhe kjo kundërvënie motivin kryesor e ka për ta anashkaluar Kosovën dhe për të ikur Serbia ka njohja e pavarësisë së Kosovës”, thotë më tej.

Këto ditë poeti Radogoshi i vjen Shqipërisë me poezi, por thotë se ëndërron të krijohen më shumë ura lidhëse mes dy vendeve, qoftë edhe një muze për të kujtuar krimet e luftës në Kosovë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?