Rafael Nadal

Rafa Nadal tërhiqet nga tre turne: Dua të luaj, por trupi nuk më lejon

4 Prill, 21:21| Përditesimi: 4 Prill, 21:28

  • Share

Një nga tenistët më të mirë spanjoll në histori, Rafael Nadal pritej të merrte pjesë në Mastersin e ardhshëm në Monte Carlo, teksa kjo nuk do të ndodhë. Spanjolli anuloi performancën, së bashku me turnetë në Barcelonë dhe Madrid.

Përmes rrjeteve sociale ai ka treguar se trupi i tij nuk është në nivel të mjaftueshëm për të konkurruar dhe se këto janë disa nga momentet më të vështira të karrierës së tij sportive.

"Këto janë momente shumë të vështira për mua në aspektin sportiv. Fatkeqësisht, nuk do të luaj në Monte Carlo, trupi im nuk më lejon ta bëj. Edhe pse punoj shumë çdo ditë dhe vendos të gjithë vullnetin tim për të luajtur e për të garuar sërish në turne, të cilat janë shumë të rëndësishme për mua, e vërteta është se nuk mund të luaj. Nuk e keni idenë se sa e vështirë është për mua që nuk do të luaj në këto turne”, ka shkruar Nadal.

Tenisti spanjoll shtoi se shpreson që në një moment të kthehet më në fund në fushë dhe falenderoi tifozët për mbështetjen e tyre.

“E vetmja gjë që mund të bëj është të pranoj situatën dhe të shikoj të ardhmen me emocion dhe vullnet për të luajtur dhe shpresoj se gjërat do të përmirësohen. Faleminderit të gjithëve, si gjithmonë, për të gjitha mesazhet e mbështetjes dhe urimeve”, përfundoi 37-vjeçari.

Kjo do të thotë se spanjolli do të përdorë javët e ardhshme për rikuperim dhe stërvitje, për të qenë në gjendje të garojë në turneun e tij më të preferuar, Roland Garros, i cili luhet në fund të majit dhe në fillim të qershorit.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?