‘Qytetet dhe qytezat ilire dhe në Iliri’, Apollon Baçe i bën ‘katharsis’ historisë nga deformimi i të huajve: Monumentet nuk gënjejnë, dëshmi e një kulture të lartë

29 Prill 2022, 21:18| Përditesimi: 29 Prill 2022, 21:38

  • Share

“Mjerë ai popull që historinë e tij ia shkruajnë të tjerët”

Nga Istria në Drin, e prej Karaburunit në Tomor, akademiku Apollon Baçe përshkon “Qytetet dhe qytezat ilire dhe në Iliri” në dy vëllime.

“Është një seri me katër vëllime, një katalog që kap të gjithë pasurinë e qytetit ilir dhe qytezat ilire. Titulli ‘ilirët dhe në Iliri’ , së pari është përdorur në kuptimin që këto janë koloni e nuk janë ilire dhe e dyta përfshin edhe  Epokën e Bronxit, në të cilën nuk flitej ende për Ilirinë”, thotë akademiku Apollon Baçe.

Secili vëllim ka më shumë se 500 faqe, e 1200 skica e fotografi. Autori nuk sjell thjesht një vështrim arkeologjik e të arkitektonikës, por autori bën një analizë interdisiplinare.

‘Jam nisur nga një thënie që thotë se nëse e shikon një monument një herë, se ke parë asnjëherë, po e pe njëmijë herë e ke parë një herë. Dhe unë jam munduar ti shoh sa më tepër. Edhe ekspeditat i kam bërë jo vetëm në vendin tonë por edhe jashtë. Përshembull që tju ilustroj kam gjetur dy qytete komplet të panjohura në Bosnje dhe në Kroaci . Pra në dy vende që kanë një arkeologji tepër të avancuar dhe komikja është që janë gjetur në fshatin Paravoslavni, që do të thotë Islami Ortodoks. Diçka paradoksale!’- thotë Baçe.

Është puna e një jete në terren e mes shfletimit të  literaturës, e Baçe vetëm  në dy vëllimet e para citon mbi 3 mijë referenca burimore.

 “Unë them që burimet heshtin ose që historianët mund të deformojnë ose të sjellin gjëra të paqëna. Ndërkohë që këto monumentet, gurët nuk i mësojnë këto zanate për të gënjyer. Këto janë dëshmi mëse bindëse! Në rast se ti shikon një shëtitore si e Dimalit, që është nga më të bukura të botës, kjo është një dëshmi që këtu ka pasur një kulturë të lartë. Edhe kulturën unë e shikoj si një refleks, si një marrëdhënie që kapet nga shqisat e pastaj përpunohet. Dmth është produkt i nivelit ekonomik, i nivelit social e estetik të një vendi... Unë jam dëshmimtar mëse bindës i këtyre.”, tregon më tej akademiku.

Prioritar, ka qenë për të gjatë procesit të punës edhe zbardhja e fakteve, në lidhje me këtë pjesë të historisë që siç thotë ka pësuar edhe deformime nga historianët e huaj.

 “Unë tentoj të bëj edhe një lloj pastrimi që kanë bërë të huajt për vendin tonë, duke filluar që nga koha e lashtësisë”, shprehet Baçe

Vëllimet e para, të përuruara në Akademinë e Shkencave, do të pasohen edhe nga dy botime të tjera, për të plotësuar katalogun e kësaj serie.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?