"S'dua të pikëllohet kush për fatin
tim"/ Rreshpja, legjendë për së gjalli

17 Shkurt 2016, 08:05| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Frederik Rreshpja, i lindun më 1940 âsht nji legjendë për së gjalli. Njohësit seriozë të poezisë ia nisin kuvendit të entuziazmuem sapo përmendet emni i Frederik Rreshpes. Në jetën publike dhe në skenën letrare të Shqipnisë, ai nuk âsht i pranishëm. Përmbledhjet e poezisë së tij nuk gjenden mâ në shitje. Kritika letrare në Shqipní, me sa ekziston, nuk e merr mâ në dijeni poetin Rreshpja.

Nga "Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501 – 2001" i Hasan Hasanit (Prishtinë, 2003) e mësojmë vendin e shkollimit dhe të studimeve si dhe vjetët e botimit të librave të tij, kurse nuk mësojmë me asnji fjalë qi Frederik Rreshpja ka kenë burgaxhi politik për 17 vjet, mu në moshën mâ produktive të çdo shkrimtari, mes moshës 30-vjeçe dhe 50-vjeçe, gjâ qi e mësojmë vetëm nga "Historia e Letërsisë Shqiptare" e Robert Elsie-t (Tiranë – Pejë, 2003). Rreshpja dhe as nuk âsht i përkëdheluni i botuesve dhe përkthyesve. Jo pak vepra të tij duket s'janë të botueme dhe myken në qese najlloni nëpër hotele dhe miq të tij. Prapëseprapë, ai figuron me disa poezi në "Anthologie de la poésie albanaise" të Aleksandër Zotos (Chambéry, 1998) dhe në "Antologjinë e poezisë shqipe.

Gjysmëshekulli i artë" të Ali Aliut (Tetovë, 2000) si dhe e rrumbullakson punimin e shkëlqyeshëm të Gazmend Krasniqit "Poezi. Sprovë antologjike" (Tiranë, 2003). Qysh prej do kohe pothuej nuk ke si me e takue personalisht Frederik Rreshpen mbasi nuk ka mâ ndonji vendbanim të përhershëm.
Në intervistë, dhanë revistës "Zëri i Rinisë" më 1992, hasim në shprehjen e tij "nuk e di se ka mbetë ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. Gjith ç’kam dashur e kam humbur. –Kur trishtohem shkruaj. Prandaj shkruaj shumë." Në po atë intervistë lajmroi se donte me hapë, se shpejti, nji gazetë të pamvarun për intelektualët. Kryesisht kulturë, art, jashtë politikës. Edhe të botonte libra.

Se çfarë u bâ mbasandej, e mësojmë nga artikulli i arkeologut dhe poetit Moikom Zeqo te "Koha Jonë" e 15 dhetorit 2003: Frederik Rreshpja punonte dhe botonte shkrime si kryeredaktor i gazetës "Ora". U bâ pronar i nji shtypshkronje, themeloi shtëpinë botuese "Evropa", botonte revista dhe gazeta aq të bujshme sa dhe jetëshkurta, fitonte pasuni, nuk mundte me bâ idare me paratë e bollshme dhe e humbi shpejt pasuninë e vet. Edhe njiherë e humbi gati gjithçka. Rreshpja filloi me rrnue paqetë dhe çrregullt, gjâ qi ia prishte gjithnji e mâ shumë shëndetin. Më 2001 pësoi nji hemorragji cerebrale ku për pak nuk shkoi në atë botë. Nuk kishte mâ se ku me ndêjtë. Shpesh ishte pa asnji lek. Moikom Zeqo dhe nji mik tjetër e vendosën Frederikun në nji azil privat në mes të gjelbërimit.

Ai  e mori veten dhe zu me shkrue pothuej pandërpré. Prapëseprapi, vetminë e azilit s'e duroi mâ shumë se 6 muej, e çuen te familja në Shkodër ku prapë thurte poezi me poezi, botonte në periodik deri sa nuk e duroi mâ jetën atje dhe shkoi përsëri në Tiranë. Endej hotel me hotel, paratë i bâte tym dhe u bâ trandëlinë. Disa ditë pa u botue artikulli i naltpërmendun, Moikom Zeqon e morën në telefon tue thanë qi Frederik Rreshpja qe në gjendje të randë shëndetsore, i rrezuem mbi nji tavolinë në nji lokal. Zeqoja shkoi atje dhe s'e gjeti mâ.

Nji mike ime, gazetarja e kulturës, Admirina Peçi zu me kërkue Frederik Rreshpen dhe i ra në gjurmë, mbas ca ditësh, në bar "Lux". Ai kishte gjetë strehim te nji mik. Përpara, prapë ka kenë në azil dhe prapë e paska marrë dheun ndër sy. Pse?! "Jam mësuar të arratisem, nga burgu, nga mërzia, nga njerëzit e padëshirueshëm, nga azili, dhe nga vajzat e bukura si Mona Liza e Da Vinçit" – i tha Admirina Peçit. Edhe te miku i tij nuk ndêjti shumë dhe iku prapë.

Frederik Rreshpen mundesh me e quejtë mjeshtër në artin e rrnesës pa u shqetësue për punëra materiale. Ndërsa dështueka me qëndrue në realitetin trivial dhe grotesk të përditshmënisë, ai e zotnon artin e të shkruemit sa rrallëkush tjetër. I mjafton nji inventar për çudi të vogël motivesh dhe fjalësh kyçe. Zog, stinë, hënë, det, shi, pikëllim, zemër, bregdet, rërë, qiell ... këto dhe disa pak shtylla të tjera leksikore të botës së tij poetike i kombinon për imazhe gjithnji të reja e të freskëta plot intensitet dhe bukuri. Togfjalëshe dhe imazhe poetike duket i shkrepen sa Mozartit meloditë dhe harmonitë. Ndryshe nga shumë poetë të tjerë, te ai nuk ke me hasë në imazhe dhe metafora të kërkueme e të pispillosuna. Me gjithë origjinalitetin e tyne, poezitë e tij të duken si shprehja e natyrshme dhe stringente e gjendjes së tij shpirtnore.

Poezitë e Frederik Rreshpes s'përmbajnë barra të panevojshme, fjalë të gzhollta. Çdo element teksti âsht me funksion. Tekstet, megjithatê, nuk të duken të turnueme dhe të mpira, por janë plot ngrohtësi dhe jetë. Sa e paqetë dhe e trazueme të jetë jeta e Frederik Rreshpes për së jashtmi, aq i përshkon poezitë e tij nji frymë e qetë dhe e rregullt, ku rregullsia dhe qetësia e vjershave të tij aspak nuk të bâhen sikur kapak artificial mbi nji vulkan vlues.

Rreshpja s'âsht poet i gazëllimit himnik, pa lëre ekzaltimin kombëtar. Temat e tij janë humbja, dhimbja, vetmia, qi i derdh në vargje të nji individualiteti dhe bukurie prekëse. Larg gjitha toposeve avazesh albanocentrike, poezia e Frederik Rreshpes âsht letërsi e dorës së parë të kalibrit europian.
 02 mars 2004


Redaksia Online

(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?