"Pse me intereson të studioj
diktaturën komuniste në Shqipëri"

9 Mars 2016, 16:08| Përditesimi:

  • Share
Një rrëfim i veçantë, ishte ai me antropologun dhe historianin çek Přemysl Vinš, i dashuruar me Shqipërinë, natyrën, gjuhën dhe historinë e vendit tonë… Intervistën e tij, realizuar nga Fiona Kopali, e ndamë në dy pjesë, dhe dje në Shqiptarja.com sollëm pjesën e parë të këtij rrëfimi, ku ai zbuloi disa detaje mjaft grishëse mbi njohjen e tij me Shqipërinë, më gjuhën shqipe, historitë e veçanta dhe interesat që e lidhin me vendin tonë.

Ndërsa sot rrëfimi i tij përqendrohet tek thelbi i studimit të tij, komunizmi shqiptar, si e sheh ai atë, çfarë gjykimi ka për letërsinë shqipe, veprat e Kadaresë, etj…
Më poshtë sjellim pjesën e dytë të intervistës së Přemysl Vinš.
 
(…vijon nga dje)
 
Si është komunizmi shqiptar, parë me sytë e një të huaji?
 
Kjo është periudha e historisë shqiptare, që më intereson më shumë. Ndoshta nga arsyeja se edhe vendi im ka përjetuar një periudhë të tillë. Në Çeki tani ka mjaft studime, që krahasojnë regjime të ndryshme komuniste në Evropë nga shumë pikëpamje. Por për Shqipërinë nuk shkruhet shumë, nuk dihet shumë. Dhe ky fakt më duket i pabesueshëm sepse diktatura komuniste në Shqipëri ishte kaq specifike dhe kaq e ashpër në krahasim me vende të tjera evropiane.

Përveç studimeve të mirëfillta historike, nevojitet të sqarohen shumë çështje akoma të paqarta nga e kaluara, duhet të punohet aktivisht në mënyrë që të njihet më shumë si dukej jeta e përditshme e njerëzve, që të ruhen kujtimet e aktorëve të atëhershëm, interpretimet e tyre. Kjo ka rëndësi për brezat e ardhshëm. Këtu ndoshta dallohet pikëpamja ime historiko-antropologjike; pra, interesohem të trajtoj një temë të tillë nga këndvështrimi i njerëzve të thjeshtë dhe nga burime që, në shikim të parë, nuk kanë rëndësi kaq të madhe si ato arkivore. Është pa dyshim e rëndësishme, që të njihet botërisht rasti ekstrem shqiptar i eksperimentit komunist. Mendoj se kur çekët me përvojën e tyre me diktaturën komuniste lexojnë p. sh. tregimet e Aliçkajt, nuk besojnë se disa fenomene (ndërtimi i parullave mbi kodrat, burgosje për dëgjimin e muzikës së huaj) bazohen në realitetin.
 
Tema e diplomës suaj ka në thelb propagandën e shtetit komunist ndaj fesë. Për raportin e shqiptarëve me fenë dhe besimin janë shkruar jo pak libra e shkrime, nga studiues shqiptarë e të huaj. Sa i njihni ata? Po ju, ç’mendim keni për këtë raport? Jeni dakord me mendimin e studiuesve se shqiptarët kanë një marrëdhënie sui generis me fenë?
Kur shkrova punën e diplomës, pata mundësi të lexoja mjaft studime shqiptare dhe të huaja për këtë çështje. Më shumë më bënë përshtypje kujtime konkrete të njerëzve, p. sh. të At Zef Pllumit, ose pastaj manipulimi djallëzor me faktet gjatë proceseve gjyqësore kundër klerikëve.
Për sa i përket çështjes së raportit të shqiptarëve me fenë, jam dakord se sidomos në Shqipëri dallohet një bashkëjetesë midis feve, që mund të jetë shembull, jo vetëm për vendet e tjera të Ballkanit.

Shqiptarët gjithmonë kanë jetuar në kryqëzimin kulturor dhe fetar. Edhe para periudhës osmane, Shqipëria e sotme u bë kryqëzimi i katolicizmit dhe ortodoksisë. Jeta në një kryqëzim të tillë, që me ardhjen e islamit u theksua akoma më shumë, dhe fakti se fuqitë e ndryshme politike gjithmonë donin të përdornin fenë për të përforcuar pushtetin e tyre, i ka treguar mirë popullatës vendëse sa e rrezikshme mund të jetë keqpërdorimi i fesë për arsye politike. Prandaj, ndoshta edhe për këtë shkak, shqiptarët ishin më të rezervuar ndaj një dogmatizmi fetar, dhe në kohën e Rilindjes kapërcimi i dallimeve fetare u bë pika kyçe e programit të intelektualëve shqiptarë.

Edhe pse jam dakord me ekzistencën e harmonisë fetare në përgjithësi, nuk mendoj se në të kaluarën lidhjet midis komuniteteve fetare në Shqipëri gjithmonë ishin pa probleme. Kjo akoma më shumë vlen për Kosovën dhe Maqedoninë ku, fatkeqësisht, përkatësia fetare pjesërisht lidhet edhe me përkatësinë etnike.
 
Besoj, keni dëgjuar e lexuar për bashkëjetesën fetare e etnike të shqiptarëve. Cili është mendimi juaj?
Mendoj se bashkëjetesa harmonike etnike nuk ka traditë të gjatë në kontinentin tonë, pra, as në Ballkan, ku lidhjet midis kombeve janë akoma mjaft të brishta, dhe ku edhe sot shohim shembujt e nacionalizmit të skajshëm. Pra, mendoj se për të arritur nivelin e respektit fetar, në fushën e lidhjeve etnike ka akoma shumë për të bërë, por jo vetëm në anën e shqiptarëve. 
 
Ç’mendim keni për letërsinë shqipe? Cilët autorë ju pëlqejnë dhe përse? A ka ndikuar letërsia shqipe të njihni Shqipërinë, shqiptarët, dhe etnotipin shqiptar, në veçanti?
Mbaj mend, kur, fëmijë, zbulova në bibliotekën e Pragës romanin e famshëm të Kadaresë, Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, të cilin e lexova disa herë. E lexova, gjithashtu, fshehurazi gjatë mësimit në shkollë. Ky roman thelloi pasionin tim për shqiptarët, për traditat dhe historinë e tyre. Letërsia shqipe më intereson edhe sot. Përveç autorëve bashkëkohorë, më pëlqejnë shumë veprat e autorëve klasikë shqiptarë. Kam lexuar me pasion një pjesë të madhe të veprës së Naim Frashërit, manifestin politik Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet nga Sami Frashëri, por poeti im më i preferuar shqiptar mbetet Çajupi. Në poezitë e tij ndiej një ironi të dukshme dhe prirjen për humor. Përveç kësaj, desha të njihja më thellë poezinë e bejtexhinjve, por leximi i saj nuk është i lehtë për mua. Mund të them se lexova vetëm poemën e njohur Erveheja nga Muhamet Kyçyku. Vlerësoj gjithashtu poezinë dhe tregime të shkurtra kritike të Migjenit.

Si diçka e rrallë në letërsinë shqipe më duket romani Pse i Sterjo Spasses. Ky roman, sipas mendimit tim, tregon një talent të mirë dhe është interesante ç’lloj romanesh shkruan Spasse pas luftës. Përveç Kadaresë, vlerësoj shumë veprën e shkrimtarëve Petro Marko (lexova Qytetin e fundit), Dritëro Agolli (sidomos romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo) ose tregimet e Ylljet Aliçkajt. Kohën e fundit, gjithashtu, më ka tërhequr romani Ku je nga Flutura Açka ose Gropas 67 i Teodor Laços. Në shtëpi kam një bibliotekë të pasur me letërsinë bashkëkohore shqipe, vetëm koha për ta lexuar më mungon.
 
Veçanërisht, për letërsinë e Kadaresë, do të desha mendimin tuaj. Sa dhe si e njihni këtë letërsi, të përkthyer në 46 gjuhë të botës, edhe në çekisht. Si është pritur nga lexuesi çek?
Natyrisht, e njoh mirë, se e kam lexuar shumicën e romaneve të Kadaresë. Duhet të them se vlerësoj, sidomos, veprat e vjetra të Kadaresë, të cilat kanë një atmosferë të veçantë. Përveç Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, më pëlqejnë shumë Kronikë në gur, Kështjella, Prilli i thyer ose Pallati i ëndrrave. Mënyra se si ai përpunon temën e historisë dhe psikologjisë së shqiptarëve është mjaft tërheqëse për lexuesit e huaj, ndonëse, me kalimin e kohës, kuptova se këto romane duhen shikuar si vepra letrare dhe jo historike.

Ndoshta, dikush mund të habitet, por me interes të thellë lexova edhe Dimrin e vetmisë së madhe dhe Koncertin në fund të dimrit. Admiroj se Kadareja arriti të përpunonte një temë ideologjikisht kaq të politizuar, siç ishin prishjet e marrëdhënieve të Shqipërisë me aleatët e saj, në mënyrë artistikisht tërheqëse. Në këto romane, më pëlqen fakti që autori e shtjellon këtë temë nga perspektiva e shtresave të ndryshme si p.sh. ajo e një pastruesi të rrugëve etj.

Në gjuhën çeke kemi vetëm disa romane të Kadaresë - Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, Prillin e thyer dhe Kush e solli Doruntinën. Sigurisht, edhe në Çeki Kadareja konsiderohet si autori më i madh shqiptar, por, sinqerisht, duhet pranuar se nuk është kaq i njohur si p.sh. në Francë ose në Gjermani. Nuk e di pse. Ndoshta, romanet e tij nuk u botuan me tirazh të madh, por as transmetimi i romanit Prilli i thyer në radion publike çeke nuk kishte ndonjë ndikim të madh në rritjen e leximit të Kadaresë.

E vlerësoj mjaft veprën e tij, por, nga ana tjetër, nuk do të doja ta kufizoja letërsinë shqipe vetëm me të. Ka plot autorë të tjerë shqiptarë, që do të ishin mjaft interesantë për lexuesit çekë.
 
Nga letërsia çeke në shqip kemi të përkthyera disa vepra të mëdha, do të thosha. Përshembull, lexuesi shqiptar është njohur që në vitet 1960 me kryeveprën e Jarosllav Hashekut Ushtari i mirë Shvejk, e më vonë disa autorë të tjerë, si Milan Kundera. Po në çekisht, cilët autorë janë përkthyer? Ju, konkretisht, keni në plan të përktheni autorë shqiptarë?
 
Keni të drejtë, pashë mjaft përkthime të letërsisë çeke në gjuhën shqipe. Anasjelltas, fatkeqësisht, nuk kemi një rezultat të mirë. Përveç tri romaneve të lartpërmendura të Kadaresë, janë përkthyer në çekisht vetëm disa tregime nga koha e komunizmit dhe vitin e kaluar arritëm që të botoheshin tregimet e Aliçkajt. Si një perlë midis përkthimeve çeke të letërsisë shqipe e konsideroj përmbledhjen e poezisë shqipe të përthyer në vitin 1911. Para disa vitesh, mora pjesë në hartimin e numrit të veçantë të një reviste letrare, që iu kushtua letërsisë shqipe dhe bashkë me një albanologe çeke sot përpiqemi të promovojmë letërsinë shqipe në faqet e një reviste balkanologjike çeke.

Natyrisht, kam dëshirë dhe plan të përkthej autorë shqiptarë, sepse, në këtë drejtim, shoh se mund të angazhohem mjaft. Por, si kudo, as tek ne nuk është e lehtë të gjesh një shtëpi botuese, që ia ofron mundësinë autorit dhe përkthyesit. Ndiej se shtëpitë tona botuese nuk e njohin letërsinë shqipe dhe kanë dyshime nëse investimi i tyre eventual mund t’u kthehet nga shitjet e librave.

Letërsia shqipe, shpesh, merret me çështjet politike dhe historike, që janë të panjohura për një lexues çek. Prandaj, dua të përqendrohem  në ato vepra, që janë më universale ose që trajtojnë fenomene analogjike, që lexuesi çek njeh nga përvoja e tij. Kështu, mendoj se tema aktualisht e përhapur në letërsinë shqipe, trajtimi i jetës në diktaturë dhe në kohën e ndryshimeve shoqërore dhe ekonomike, mund të jetë e përshtatshme tek ne. Kam disa propozime konkrete për përkthim, por, siç thashë, vështirësia më e madhe është, që të bind ndonjë botues.
 
Somario..
Në Shqipëri dallohet një bashkëjetesë midis feve, që mund të jetë shembull, jo vetëm për vendet e tjera të Ballkanit…
 
Mbaj mend, kur, fëmijë, zbulova në bibliotekën e Pragës romanin e famshëm të Kadaresë, Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, të cilin e lexova disa herë. E lexova, gjithashtu, fshehurazi gjatë mësimit në shkollë. Ky roman thelloi pasionin tim për shqiptarët, për traditat dhe historinë e tyre…
 
Në shtëpi kam një bibliotekë të pasur me letërsinë bashkëkohore shqipe, vetëm koha për ta lexuar më mungon…

…Me kalimin e kohës, kuptova se këto romane [të Kadaresë] duhen shikuar si vepra letrare dhe jo historike…

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?