"Klani i të divorcuarve",
mesazhi i regjisores Gjoni

28 Tetor 2012, 17:19| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Ata që zgjedhin të divorcohen, në pamundësi për të zhvilluar jetën në harmoni në çift, sa vinë e bëhen më të shumtë. Është një nga ngjarjet më të shpeshta të viteve të fundit, edhe në shoqërinë shqiptare dhe ndoshta çiftet nuk kanë gjithmonë të drejtë ta bëjnë këtë. Regjisorja Inis Gjoni duket se ka ndjesinë e një refleksioni të fortë ndaj kësaj dukurie dhe për të shprehur mesazhin që e shqetëson, ajo do të ngjis së shpejti në skenë komedinë "Klani i të divorcuarve".

Regjisorja Gjoni premton se "kjo premierë që sjell në skenën teatrore do t'i përcjellë publikut mundësinë të shijojë një shfaqje e cila vjen edhe me një mesazh të madh për shoqërinë". Vepra do të interpretohet nga aktorët Romir Zalla, Jonida Vokshi, Adriana Tolka dhe Orsi Vagjeli.

Si regjisore Inis Gjoni rikthehet pas suksesit teatror që ka pasur dhe me vepra të tjera që ajo ka vënë më parë në skenën teatrore, si "Salla e banjës", vepër që mori jo pak duartrokitje. "Klani i të divorcuarve" është shkruar nga autori i njohur Alil Vardari dhe është përkthyer nga Ylljet Aliçka. Nata e parë të premierës do të jetë më datë 1 nëntor për të vijuar deri më datë 9.

Regjisorja tashmë është në provat e fundit për të sjellë në skenë shfaqjen që është një komedi intime, ashtu siç ishte komedia "Salla e banjës" e realizuar vitin e kaluar. "Këto komedi flasin për jetën reale, atë të prekshmen ku publiku pa shumë sforco me anë të gjuhës dhe zhargonit që gjen në komedi shikon jetën me të cilën ballafaqohet çdo ditë", thotë regjisorja.

Ideja për të sjellë në skenë këtë vepër ka qenë prej disa kohësh tek regjisorja Inis Gjoni, e cila gjatë kohës që ka nisur të punojë për këtë vepër ka hulumtuar shumë për të parë se ku ndodhet shoqëria jonë, por edhe ajo mbarëbotërore. Vepra ka mbështetjen e "Digitalb" dhe skenografia e veprës është realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografia nga Bukuroshe Sinanaj, formulimi muzikor nga Ermir Shaphasa dhe producente Julia Sinanaj.

NGJARJA
Tri gra që nuk njihen me njëra-tjetrën, fati i ka bashkuar në një shtëpi pas ndarjes martesore. Ngjarja zhvillohet në apartamentin e tyre dhe këtu krijohet klani i të divorcuarve. Komedia "Klani i të divorcuarve" ka në qendër të saj tre personazhe, Stefania, Brixhilda dhe Meri. Stefania dhe Meri kanë zgjidhur martesat e tyre me koshiencë.

Ndërsa nga ana tjetër kemi dhe femrën e braktisur nga bashkëshorti, që është Brixhilda, e cila arrin ta përballojë divorcin, të shikojë përpara dhe të gjejë shpresën pas një dhimbjeje të madhe siç është dhe ndarja. Mes aktorëve Adriana Tolka dhe Jonida Vokshi, aktori Romir Zalla do të vijë këtë herë në skenën teatrore në rolin e një femre.

“KLANI I TE DIVORCUARVE”
Autor: Alil Vardari
Përktheu: Ylljet Aliçka
Regjia: Inis Gjoni
Skenografia: Beqo Nanaj
Kostumografia: Bukuroshe Sinanaj
Formulimi muzikor: Ermir Shaphasa
Producente: Julia Sinanaj
Interpretojnë: Romir Zalla, Jonida Vokshi, Adriana Tolka dhe Orsi Vagjeli
Shfaqet: 1 deri më 9 nëntor 2012

Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?