"Historia e Dibrës" 30 vjet në
duart e Kristo Frashërit

7 Nëntor 2012, 18:14| Përditesimi:

  • Share
Historia e Dibrës, e përftuar nga laboratori i njërit prej studiuesve më në zë, më prodhimtarë e të rëndësishëm të historiografisë së sotme kombëtare, vjen si një pasurim burimor në fushën e historiografisë dhe si një plotësim në historishkrimin shqiptar.
Kjo vepër e Akademik Prof. Dr. Kristo Frashëri, e shtuar në fushën e historiografisë kombëtare për një trevë, e cila për arsye të shumta ka qenë në qendër të zhvillimeve, në vrullet e ngjarjeve, është njëkohësisht edhe në vallen, sofrën e historisë kombëtare, është një pjesë qendrore në mozaikun e historisë kombëtare "... sepse janë përfituar përmes një procedure të planifikuar, sistematike të shqyrtimit të të gjitha të dhënave, të kontrollit ndërsubjektiv etj., d.m.th. përmes një metode", e cila bën edhe "dallimin ndërmjet një pohimi teorik shkencor dhe një pohimi joteorik dhe joshkencor", i cili "nuk qëndron aq në përmbajtjen, por në mënyrën si është arritur dhe bazuar"(H.Ferraj, 2002:224)

Kjo është edhe e veçanta dhe baza e kompetencës së një historie të shkruar nga Kristo Frashëri, i cili na sjell "Historinë e Dibrës" në kohën kur ai ka akumuluar maksimumin e mundshëm në jetën e tij shkencore, jetë e pakrahasueshme si nga shtrirja kohore, tematikat e trajtuara dhe produktiviteti, me të asnjë studiuesi tjetër në vendin tonë; në zenit të njohjes e zotërimit të metodave dhe teorive shkencore që procedojnë dhe realizojnë produktin shkencor në fushën e historisë, si disiplinë shkencore.

Duke qenë një nga historianët që ka trajtuar të gjithat periudhat e historisë së Shqipërisë, Kristo Frashëri, në ndryshim nga shumë të tjerë historianë, zotëron një pamje të plotë, më të gjerë e të thellë të historisë sonë kombëtare, si në vështrimin diakronik, ashtu edhe tematik. Në hartimin e veprës "Historia e Dibrës", në linjat kryesore mbi të cilat mbahet struktura e saj, janë zhvilluar të gjitha periudhat, nga prehistoria; periudha ilire; periudha mesjetare; periudha e pushtimit të gjatë të perandorisë osmane, ku spikat figura e Skënderbeut me Dibrën dhe dibranët në sfondin e kësaj periudhe të lavdishme me betejat e heroit, periudha e Rilindjes Kombëtare me luftërat, përpjekjet e kontributi fondamental i trevës së Dibrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, periudhën e Pavarësisë dhe të konsolidimit të shtetit shqiptar, duke mbyllur këtë vepër me pragun e pushtimit italian të Shqipërisë, mars 1939.

Akademiku Kristo Frashëri i zotëron të gjitha mjeshtërit e shkencëtarit për të kaluar nga vështrimi i përgjithshëm, tek e pjesshmja, pa zbehur apo defunksionalizuar të pjesshmen si element i së tërës, duke dhënë e marrë me të tërën si pjesë plotësuese e saj, si element i një sistemi. Shkrimin e një historie për Dibrën akademiku Kristo Frashëri nuk e ka realizuar si një qëllim në vetvete, apo si një ego të tijën, por te shkrimi i kësaj historie autori ka ardhur në mënyrë të natyrshme gjatë mbledhjes, përpunimit e trajtimit të lëndës së historisë kombëtare në laboratorin e tij.

Momenti vendimtar që e lidhi shkencëtarin Kristo Frashëri me trevën e Dibrës është puna e gjatë, shumë e madhe që ai ka bërë në promovimin dhe mbrojtjen e hipotezës së origjinës së Kastriotëve nga Dibra, duke e kurorëzuar atë me një monografi, nga më të plotat dhe të bazuara shkencërisht, për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin (SKËNDERBEU). Ky është edhe shtegu prej nga Kristo Frashëri ka ardhur tek shkrimi i një historie për Dibrën.
Vepra nuk është përmbushje e një porosie të ardhur nga jashtë, nuk është "mall i porositur", siç shkruhen sot rëndom histori personale, fisesh apo katundesh, por vjen së brendshmi nga vetëdija që udhëheq shkencëtarët e vërtetë në punën e tyre, vepra ngjizet në laboratorin e tij, e prirë nga vetëdija dhe vullneti i tij. Një vepër, një histori e ardhur në këtë mënyrë për Dibrën, është mirësi dhe fat i madh, jo se vepra thotë fjalën e fundit, por sepse ata që duan ta shpien më tej këtë projekt, kanë një bazë të mirë për përpjekjet e tyre.

Pse është me kredibilitet të lartë një histori për Dibrën, e shkruar nga akademik Kristo Frashëri?
Veç faktit se ai është nga figurat më të mëdha të historiografisë shqiptare, Prof. dr. Kristo Frashëri udhëhiqet nga një skrupulozitet i lartë shkencor, i cili nuk bënë asnjë kompromis apo lëshim në përdorimin e faktit historik. Ai di ta inkuadrojë mjeshtërisht faktin në një diapazon të gjerë e funksional si nga ana kohore (diakronik/sinkronik), ashtu edhe nga mjedisi social-politik e historik, ku ky fakt ka ndodhur. Kristo Frashëri, nuk udhëhiqet nga bindjet dhe simpatitë e tij personale në trajtimin e fakteve historike të mbledhura (gjetura, qëmtuara, ndodhura) në truallin etnokulturor të trevës së Dibrës apo që lidhen dhe evidentojnë Dibrën, por vetëm nga objektiviteti dhe kriteret e rrepta shkencore të kërkimit dhe interpretimit të faktit historik. Ai ka një qasje origjinale, krejt të veçantë me realitetin dhe lëndën historike të trevës së Dibrës. Nga njëra anë ai ka pasur shumë kontakte dhe bashkëpunime me trevën dhe banorët e saj, gjë që e ilustron më së miri fotoja e tij e djalërisë së vet, i veshur me kostumin popullor të krahinës së Dibrës në 25 vjetorin e pavarësisë dhe, nga ana tjetër ai është një Frashërlli, nga dera famëmadhe e lavdiplotë, baballarëve të kombit shqiptarë, Abdylit, Samiut e Naimit..., aq sa Profesor Kristo shprehet se "Abdyli e ka pasur Dibrën dhe Iliaz Pashë Qokun, shtëpinë dhe vëllazërinë e vet, në luftë e përpjekje të kohës së ndritur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit".

Pra, mund të themi se udhën për tek Dibra, Kristo Frashërit ia kishin hapur paraardhësit e tij, prijtarët e mëdhenj të çështjes e të bërjes së kombit shqiptar... Ai nuk është i temperuar nga vala e lidhjes së rrethit të ngushtë farefisnor, e të gjakut me Dibrën dhe dibranët, por nga vlerësimi dhe çmimi që gjen historiani në veprat dhe qenien dibrane... Kristo Frashëri është i çliruar nga barrierat, nga kufizimet që të ngre shkrimi i historive të porositura apo të turbulluara nga simpatitë e pasionet që pengojnë metodat dhe arsyen për të arritur një produkt të besuar e të referueshëm. Ai nuk e ka pasur një porosi shkrimin e historisë së Dibrës, por ajo është shkruar natyrshëm prej tij, duke punuar pa u lodhur për më se 30 vjet si pjesë të misionit të tij prej shkencëtari në fushën e historisë, ndaj vepra e shkruar prej tij mund të konsiderohet një margaritar që vjen nga zemra e truallit dibran.

Kristo Frashëri u ka bërë nder dibranëve, duke iu dhënë të shkruara në këto rrethana një histori për trevën e tyre, në të cilën ka vënë jetën e tij kërkimore e duke shënuar e orientuar me këtë gur themeli një projekt më të madh shkencor të plotësimit të mëtejshëm të kësaj historie edhe me gurët e tjerë, të periudhave që vijnë. Guri i parë dhe më i madhi, është monografia për Skënderbeun, që e vuri atë saktësisht në truallin shqiptar.

Një shërbim tjetër që bëhet me këtë vepër është edhe modeli që ai ofron për kërkuesit e historianët e rinj të trevës, të cilët do të gjejnë në këtë libër si linjat e kërkimit të mëtejshëm, po ashtu edhe mjeshtërinë e përdorimit të teknikave të kërkimit e të interpretimit të faktit historik. Në këtë vështrim, vepra e Kristo Frashërit është një projekt shumë dimensional, gjë që shihet qartë në tryezën e lëndës së veprës së tij "Historia e Dibrës", njëherësh front i gjerë pune për historianët e kërkuesit e shqiptarë... Ata që do të dëshirojnë dhe do të kenë fuqinë e nevojshme për të përballuar vështirësitë e shkencës, do të gjejnë tek vepra e Kristo Frashërit një referencë dhe një "parmak" ku të mbahen për t'u ngjitur të sigurt në shkallët e shkencës së historiografisë.

(Shkrimi u publikua në suplementin RILINDASI të gazetës SHQIPTARJA.com)

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?