"Drejt Punës", Jauri: Në Shqipëri
ka punë...por duhen profesionistë

21 Janar 2016, 08:40| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Shqipëria punon - Shqipëria ka punë. Nuk është një slogan publicistik, as një fushatë, por një realitet i prekshëm dhe i qëndrueshëm. Kështu do ta cilësonte nismën e “Employment Albania” në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit Ministri i Mirëqenies Blendi Klosi, duke kritikuar veprimtarinë e zyrave të punës ndërsa ka paralajmëruar se gjatë këtij viti në vëmendje do të jetë riorganizimi i tyre. Ermal Jauri, Presidenti i Shoqatës së Agjencive Private të Punësimit dhe Formimit Profesional na tregon hap pas hapi të gjithë nismën dhe qëllimet që kanë si shoqatë, ku parësor është orientimi i të rinjve drejt kurseve profesionale në bazë të kërkesave që ofron tregu në Shqipëri. Balancat punëdhënës-punëkërkues do të jetë dhe qëllimi parësor që ka jo vetëm “Employment Albania”, por edhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit. 
 
Të gjitha agjencitë private të punësimit dhe qendrave të formimit profesional janë grupuar në një shoqatë të vetme të quajtur “Employment Albania”. Ku konsiston kjo shoqatë? 
Trendi global ekonomik dhe globalizimi ka ndikuar ndjeshëm sikurse në çdo fushë tjetër, dhe në fushën e rekrutimit. Shumë korporata të ndryshme kërkojnë stafe në numra të konsiderueshëm të cilat një agjenci e vetme e ka të pamundur t’i plotësojë. Nga ana tjetër, të gjitha këto ndryshime shkojnë paralelisht dhe me nevojën e ndryshimeve përkatëse në legjislacion, ku sërish, një agjenci e vetme e ka të vështirë ti kërkojë pasi do të konsideroheshin si iniciative apo nevojë individuale në një sipërmarrje të caktuar dhe jo një grupi interesi.

Nga ana tjetër, në analizat vjetore të agjencive të punësimit, doli në pah që sfida kryesore dhe problematika kryesore në intervistat e punës të zhvilluara gjatë vitit 2015 ishte mungesa e profesionistëve. Qendrat e formimit profesional në Shqipëri organizojnë e zhvillojnë kurse profesionale të ndryshme pa një plan konkret. Studente apo kursantë të ndryshëm marrin pjesë në këto kurse pa pasur një objektiv apo qëllim real, por thjesht të pasurimit të cv së tyre. Të gjithë kanë tentuar të arsimohen duke zgjedhur profesione që nuk kanë të bëjnë aspak me nevojën e tregut të punës, por sipas pëlqimeve paraprake apo ideve se me një kurs apo një tjetër do të gjendet një punë.

Për këtë arsye, që të këtë një orientim real mbi nevojat e sipërmarrjes për fuqi punëtore dhe burime njerëzore, por nga ana tjetër orientimin e këtyre qendrave të formimit profesional që të organizojnë e mbajnë kurse profesionale sipas nevojave të sipërmarrjes, pozicioneve vakantë që planifikohen për 2016 dhe për më tepër, nevojës realë të sipërmarrjes dhe efektivitetin e një kursi profesional sipas profesioneve të kërkuara, u ndërmor nisma e grupimit të të gjitha agjencive private të punësimit dhe qendrave private të formimit profesional, në një organizëm të vetëm siç është “Employment Albania”
 
Cili është qëllimi juaj përsa i përket tregut të punës? 
Misioni  i “Employment Albania” është, pikërisht lidhja ngushtë dhe orientimi i formimit profesional në nevojën e sipërmarrjes shqiptare dhe të huaj për burime njerëzore e profesionistë. Sot, Agjencitë Private të Punësimit, nuk kanë për qëllim organizimin e sa më shumë intervistave punë ndërmjet një punëdhënësi dhe një punëkërkuesi, por kanë për qëllim punësimin real të tyre. Një shembull konkret suksesi  i Employment Albania, është pikërisht bashkëpunimi i ‘Europe Agency’ me Shërbimin Kombëtar të Punësimit nga e cila janë punësuar jo pak punëkërkues nga e gjithë Shqipëria. Ne mendojmë që punëkërkuesi, punëdhënësi si dhe sipërmarrja konkretisht, nuk ka kohë për të humbur duke intervistuar numra dhe jo cilësi.

Employment Albania, duke prezantuar rreth 6500 pozicionet vakante të punës për vitin 2016 brenda dhe jashtë vendit, duke orientuar qendrat e formimit profesional në organizimin e kurseve profesionale sipas kësaj kërkese, do të përmbushë me sukses misionin e saj. Employment Albania, është e hapur për të gjitha ata që kanë për mision bashkimin e profesionistit me mundësinë e punës, të gjithë ata që kanë për qëllim ti gjejnë punës njeriun dhe jo njeriut punë.
 
Është ky një bashkim orientimesh ku të rinjtë të mos thonë ‘do ikim jashtë’...? 
‘Në Shqipëri ka punë, në Shqipëri duhen profesionistë’. Ky nuk është një slogan për një fushatë të caktuar, ky është një realitet. Sikurse ne si shoqatë na ka sfiduar sipërmarrja vendase për plotësimin e pozicioneve të tyre vakante të punës me punëkërkues të Employment Albania, ashtu sfidojmë dhe ne çdo punëkërkues.

Nuk ka asnjë profesionist shumë të mirë të një fushe të caktuar i cili është i papunë. Shpesh herë të rinjtë shtyhen nga oferta shumë të mira punë jashtë vendit duke zgjedhur ndonjë herë dhe mundësitë më të shpejta. Kjo nuk është një iniciative që të frenojnë të rinjtë që mos të bëhen pjesë e një eksperience ndërkombëtare pune, pasi nëse do të marrim janë shembull: Një i ri i punësuar jashtë vendit, krahas që përmirëson ndjeshëm njohuritë e tij/saj në gjuhën e huaj, përmirëson ndjeshëm dhe fiton një super eksperiencë ndërkombëtare pune, përfiton një kosto financiare relativisht shumë të mirë e gjitha kjo nuk është përfitimin vetëm për këtë të ri, por realisht për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Pasi, përvoja e tij do të kthehet në Shqipëri si një vlerë e shtuar për sipërmarrjen sikurse dhe financat e tij do të kthehen në Shqipëri për investime të ndryshme.

Pra, gjithçka që fitohet jashtë, pas një periudhe të caktuar, kthehet sërish në Shqipëri. Por kjo është një iniciative për tu thënë të rinjve që mbushin përditë baret e lokalet e Shqipërisë që, krahas opsionit që kanë zgjedhur të harxhojnë kohën e tyre duke u perfeksionuar në çhat e facebook, mund të bëjnë një kurs profesional sipas nevojës së tregut të punës, dhe të fillojnë një punë cilado qoftë ajo. Pasi, askush nuk është bërë supervizor, menaxher, drejtor e me radhë, pa qenë një herë praktikant, punëtor i thjeshtë apo specialist i një fushe të caktuar.
 
Si pritet të funksionojë shoqata për sa i përket gjetjes së vendit të punës për të rinjtë, por jo vetëm? 
Tashmë të gjitha agjencitë private të punësimit dhe qendrat private të formimit profesional në Shqipëri, që janë të licensuara, të rregullta në bazë të legjislacionit vendas dhe ndërkombëtar, mund të ndajnë mes tyre mundësitë e punësimit që ofrojnë duke orientuar dhe qendrat e formimit profesional ne organizimin e kurseve sipas nevojës së punës që kanë, dhe në bashkëpunim dhe me Shërbimin Kombëtar të Punësimit, të ofrojnë këto mundësi për punëkërkuesit shqiptar të cilët duhet të kuptojnë që, misioni i Employment Albania është që ti ulë në një tavolinë me punëkërkuesin, misioni i tyre është që ta fitojnë atë kontratë.

Ne kemi në plan që në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit, të dalim në një fushatë rekrutimi në mbarë vendin ku të identifikojmë realisht fuqinë punëtore si dhe në bashkëpunim dhe me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, të identifikomë nevojën e sipërmarrjes dhe të bëjmë orientimet e udhëzimet përkatëse për arritjen e qëllimit final të përbashkët të punësimit.
 
“Employment Albania” me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, shpërndau dhe kontratat e para. Është një motiv që të rinjtë të gjejnë hapësira në treg? 
Përfitoj nga rasti që në radhë të parë të falënderoj në veçanti Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Z. Klosi për iniciativat dhe bashkëpunimin me Employment Albania, pasi i ka konsideruar Agjencitë Private të Punësimit dhe Employemtn Albani në çdo moment si një partner me një qëllim të përbashkët. Sikurse, falënderoj dhe Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z. Nikolin Jaka për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tij, duke na bërë të mundur të njohim realisht nevojën e sipërmarrjes shqiptare, dhe për me tepër, falë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, eksperienca e të rinjve Shqiptar që kanë punuar apo punojnë jashtë vendit, po kthehen në sipërmarrjen shqiptare si një vlerë e shtuar për to dhe jo vetëm.

Më shumë se një motiv, ai është një shembull konkret ku një i riu i cili ndjek udhëzimet e Employment Albania, I cili kupton nevojën reale të tregut të punës dhe impenjohet e angazhohet në maksimum për të përshtatur njohuritë dhe përvojën që ka në atë çka realisht ofrohet, punësimi është thjeshtë një procedurë. Të gjithë të rinjtë që morën kontratat e punës në konferencën e punësimit që Europe Agency organizoi, tanimë, janë pjesë e kompanive të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
 
Si një njohës i mirë i fushës së punësimit, mund të na thoni cilat janë disa nga problemet e tregut të punës dhe cilat janë disa nga profesionet që kërkojnë punëdhënësit?
Sistemi arsimor ndër vite në Shqipëri ka tentuar të diplomojë profesioniste të ndryshëm pa një orientim real në tregun e punës. Ka tentuar të diplomojë studentë me master, doktoraturë, etj por, pa një orientim real apo minimalisht paraprak mbi nevojat e tregut të punës në konceptin afat shkurtër, afat mesëm apo afat gjatë. Pikërisht kjo ka qenë dhe problematike. Sipërmarrja kërkon profesione dhe jo doktor shkencash. Sipërmarrja kërkon inxhinierë, ekspertë. Menaxherë, specialist, shofer, saldatore, murator, elektriçist etj…dhe ata që janë të papunë dhe nuk kanë një profesion, por dhe ata që kanë një diplomë, por janë të papunë, mos të presin të gjejnë punën që janë diplomuar, por të përshtatin kualifikimet e tyre duke i shtuar ato dhe gjetur veten në tregun e punës.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)      

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?