QSUT, 240 mijë euro
barna të skaduara

8 Tetor 2013, 03:50| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Abuzimet në qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza” janë nga më habitshmet. Kështu viti 2012 është mbyllur me plot 240 mijë euro barna të skaduara, pasi nuk kanë mundur të përdoren. Kjo jo se nuk ka pacientë, por sespe janë medikamente për sëmundje shumë të rralla. Por, sipas skemës së re të qeverisjes Socialiste, duke filluar që nga janari i këtij viti që po vjen, kur hyn në fuqi edhe buxheti i ri, nuk do të ketë më tenderime të kësaj natyre. Kryeministri Edi Rama, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, dhe drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirlliu, kanë shpalosur dje përpara shefave të shërbimeve, skemën se si do të transformojnë QSUT-në, e cila është qendra më e rëndësishme spitalore në vend, duke zhdukur korropsionin, keqmenaxhimin dhe duke berë që çdo qindrakë e dalë nga buxheti i shtetit të shkojë në shërbim të pacientit.

Kështu sipas përfaqësuesve më të lartë të qeverisjes socialiste, QSUT ka nevojë për një ndërthyrje të thellë dhe kjo ndërhyrje do të fillojë me ndryshimin e skemës së blerjes së medikamenteve, do të vendoset një çmim tavan për ta, do të ngrihet këshilli kombëtar i shëndetësisë ku do të diskutohen strategjitë e zhvillimit të këtij sektori, si dhe do të nisë menjëherë shlyerja e borxhit prej 22 milionë dollarë që ky spital aktualisht në mënyrë që në vitin buxhetor 2014 ai të hyjë me zero borxhe. Në fjalën e tij kryeministri Rama nuk i ka kursyer kritikat për sistemin aktual të shëndetësisë, por sipas tij, ne ndodhemi në një monent kur kemi më shumë nevojë për të vërtetën e hidhur se sa për gënjeshtrat mashtruese. “Aktualisht QSUT është një nga gjëndrat më të këqija tumorale të të gjitha shërbimeve që ofrohen në vendin tonë.

Mund të themi se këtu shteti ka rënë, dhe nëse ky spital mbahet në këmbë kjo është meritë e një grupi mjekësh që janë ‘jetimët’ e Hipokratit. Të gjithë këta mjekë kishin mundësi që ta bënin karrierën e tyre në spitalet më të  mira të botës, por zgjodhën të vijnë në Shqipëri për ta na bindur të gjithëve se mjekësia nuk është vetëm aparatura dhe teknologji, por është mbi të gjitha mision dhe vizion. Dhe ne i garantojmë se në këto reforma që do të ndërmarrim do të na kenë për krah dhe duam ti kemi në krah. Aktualisht jemi në një gjendje, kur vetëm 2012 është mbyllur me 240 mijë euro barna të skaduara, të premten është prishur edhe skaneri i pediatrisë. Kemi 6 milionë euro aparatura nga të cilat 3.3 milionë euro nuk janë në gjendje pune, dhe 2.7 milionë euro janë prishur.

Nuk mund të vazhdohet më kështu. Unë ju them se ky spital nuk ka nevojë për më shumë lekë, por ka nevojë për sistem. Ne do të ndryshojmë mënyrën se si do të tenderohen medikamentet. Po ashtu unë ju them se do të ndërmarrim nisëm e vendosjes së një çmimi tavan, ndoshta jemi i vetmi vend ku barnat shiten 3 herë më shtrenjtë se sa vendi i origjinës. Ka perënduar koha kur bliheshin ilaçe që si duheshin spitalit, kur 70 % e barnave zhduket në drejtim të paditur, kur paguhet për të kaluar radhën apo ku aparaturat prishen me qëllim ka marrë fund. Do të vendosen kritere performance për çdo individ dhe për çdo shërbim. Spitalet do të kenë më shumë autonomi dhe do të shkohet drejt skemës së spitaleve ndërmarrje, ku ata të vendosin vetë për medikamentete që iu duhen, në mënyrë që të mos mungojë asgjë”, - ka deklaruar kryeministri Rama.
 
Shkrimi u publikua sot (08.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?