Qosja: Nisa ta shkruaja librin
pas vrasjeve të 21 Janarit

18 Prill 2013, 21:09| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Akademik Rexhep Qosja ka promovuar librin e ri në Tiranë “Shqipëria dhe Kosova si do të duhej të jenë”. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Toena”. Promovimi u bë në sallën e Muzeut Historik Kombëtar ku pati një dyndje të madhe të të ftuarve dhe dashamirësve të veprës së tij në Tiranë. Nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Jorgo Bulo, e ka cilësuar dje librin e Rexhep Qosjes si “shprehje të ndërgjegjes intelektuale në vorbullat e ndryshme të kohës”. “Vorbulla që ne shqiptarëve, jo rrallë, na vijnë prej vetvetes”, tha Bulo.

“Kam filluar ta shkruaj librin më 21 janar,kur janë vrarë katër protestuesit”, ka rrëfyer akademiku Rexhep Qosja në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, ndërsa ka kujtuar një varg problematikash që ka sjell politika shqiptare pas protestave të 21 janarit. Qosja u shpreh dje se duke kërkuar historinë dhe ditarët dhe arkivat e huaja, “jam tronditur kur kam gjetur e lexuar në një gazetë në arkivat austriake që shkruante se “shqiptarët më shumë vriten mes veti sesa nga të huajt”. Bulo përmendi disa qëndrime të Rexhpe Qosjes ndaj angazhimit për gjuhën e njësuar, “të fabrikuar nga standardi i atyre që nuk arrijnë të shohin përtej xhamisë dhe bajrakut të tyre”. Më tej, Bulo theksoi se në këtë libër “Qosja jep mesazhin se mendësia e nënshtrimit mund të çojë në çburrërimin e tharmit të këtij kombi”.

Për temën e ndryshimit të gjuhës dhe historisë, vetë Rexhep Qosja është shprehur më gjerë edhe në intervistën e marrë nga “Shqiptarja.com”.

Profesor Qosja, a i keni ndjekur ju problemet e fundit për ndryshimet në Drejtshkrim?

Unë nuk di se çfarë kanë vendosur. Ju shkruani se po bëhen ndryshime në Standard, por unë kam qenë në Kongresin e Drejtshkrimit dhe ne atëherë i kemi thënë Gjuha Letrare Kombëtare. Nuk besoj se do mund të vendosin dot. Nuk do të lejohet nga shqiptarët një gjuhë e fabrikuar nga standardi i atyre që nuk arrijnë të shohin përtej xhamisë dhe bajrakut të tyre. Ata duhet të diskutojnë dhe ata mund të shohin nëse mund të bëhen përmirësime aty ku mund të jetë e nevojshme. Megjithatë unë mendoj se këto diskutime që sa vjet kanë filluar kanë një frymëzim tjetër, kryesisht frymëzim politik.

Njëri prej akademikëve i mëshon më shumë tezës që ne të shkruajmë disa fjalë ashtu si flasim, pra të afrohet shqiptimi me drejtshkrimin...

Nuk mund të ndodh kjo. Ajo që mua kësaj radhe nuk më ka pëlqyer është se ata tani i kanë shpallur një luftë ë-së së pazëshme në radhë të parë, që kjo luftë do të çojë diku tjetër, në ndarjen e shqiptarëve veri-jug. Ata po duan të heqin përjashtimet, që ata që kanë bërë gjuhën standarde i kanë theksuar, por nuk bëhen përjashtimet rregulla. Ata duan të rrënojnë rregullat duke bërë përjashtime të rregullave. Nëse ne themi “aleanc”, ë-ja e pazëshme e fjalës aleancë nuk duhet të hiqet. Le ta themi ne ashtu.

Cili është mendimi juaj për drejtuesit e akademive Shqipëri-Kosovë. E kanë ata statusin e duhur për të drejtuar?

Mendoj se Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka një drejtues dhe kryetar i cili është zgjedhur prej pushtetit në radhë të parë. Kam respekt për të, por do të ishte më fatlume sikur të ishte zgjedhur në radhë të parë prej akademisë dhe jo të lihej në dorën e pushtetit e qeverisë, një kjo. Së dyti, Akademia e Shkencave e Arteve të Kosovës ka rënë në nivelin më të ulët. Ka një kryetar që përfaqëson nivelin më të ulët të Akademisë, fatkeqësisht drejtohet prej një grup klani lokalistësh prej 20 vjet.

Çfarë mund të na thoni për debatet e ndryshimit të historisë së pushtimit turk në Kosovë?

Shkurt turqit ishin pushtues, por të hiqen fjalët që përmbajnë urrejtje. Për 500 vjet perandoria otomane ka qenë pushtuese e trojeve shqiptare dhe e popullit shqiptar prej disa shekujsh. Ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë flet që të hiqen prej historisë fjalë që përmbajnë urrejtje dhe prej historive të popujve në përgjithësi të hiqen fjalë që përmbajnë urrejtje.

OPINIONET E PJESEMARRESVE PER LIBRIN E PROF.QOSES

Pëllumb Xhufi: “Libri, padi dhe mallkim ndaj atyre që vranë për pushtet”

Leximin e librit “Shqipëria dhe Kosova si do të duhej të jenë”, historiani dhe politikani Pëllumb Xhufi e përcakton si një udhëtim të bërë “në një shoqëri të keqe”. “Shpirti i këtij libri është jeta e vrarë e katër shqiptarëve të ekzekutuar barbarisht më 21 janar 2011, të ekzekutuar nga pretorianët e një pushtetit të korruptuar, të pashpirt e antishqiptar në thelbin e tij”, tha Xhufi. Sipas Xhufit, libri është një analizë e hollë dhe pamëshirshme e realitetit shqiptar në për më shumë se 20 vjet të post-tranzicionit komunist. “Sjellja me shtetin si një gjë private, apo siç parapëlqen ta thotë Rexhep Qosja “Topallizimi i pushteteve”...e ka shpërfytyruar shoqërinë shqiptare. Ka sjellë zvetënim shpirtëror, moral, dëshpërim masiv”, tha Xhufi, duke theksuar se “Ky libër është para së gjithash një padi dhe mallkim ndaj atyre që vranë për të trembur, vranë për të treguar se pushteti i tyre vlen më shumë se jeta e sovranit”. Xhufi përmendi se libri ka personazh kryeministrin Sali Berisha, “njeriu që ka shitur dhe plaçkitur vendin, ka mbjellë përçarjen, ka ulur dinjitetin, ka larguar Europën dhe ka vrarë dhe si për të vulosur të keqen e tij, guxoi në këtë 100-vjetor të pavarësisë të përmbys dhe historinë, të rrëzojë dhe luftëtarët dhe të lartësojë tradhtarët dhe kolaboracionistët, t’i ngrejë një përmendore shëmbëlltyrës së tij Mbretit Zog, që ashtu si ai, vrau dhe preu shqiptarë dhe u shit e u qurravit tek armiku i Shqipërisë, te serbi, te greku apo italiani”.

Edi Rama: “U kritikova nga Qosja, tani nuk mbaj më as duart në xhepa, as gjë në xhep”

Edi Rama, kryetar i PS-së ka qenë i pranishëm në promovimin e librit të Qoses dhe ka përshëndetur me pak fjalë veprën më të fundit të tij. “Unë dëshiroj të flas dy fjalë si i kritikuar nga Rexhep Qosja dhe do të ndaj me ju një moment që s’ia kam thënë as profesor Rexhepit lidhur me kritikat ndaj meje”, tha Edi Rama duke kujtuar historinë e një shkrimi kritik që i ka bërë akademik Qosja. “Njëherë në një takim gjatë vizitës në një shkollë, nuk e di për çfarë rrethanash, por i kisha duart në xhep dhe dola në TV me duar në xhep. Dhe mbas ca kohësh, lexoj një artikull të profesor Rexhepit “Opozita me duar në xhepa” dhe ishte një fillesë krijuese që pastaj ishte kthyer në një artikulim të hollë dhe shumë gërvishtës për faktin që opozita del me duar në xhepa etj, etj. Pavarësisht se kritikët e mi janë të bindur se ato mua nuk më bëjnë përshtypje, në qoftë se gjeni dot një tjetër pamje timen me duar në xhepa para kamerave apo para fotografëve, jeni të sfiduar ta nxirrni. Që atëherë kurrë më duart në xhepa, dhe që atëherë asgjë në xhep. Kështu që ky është një rast për të treguar modestisht se influenca e kritikës së profesorit në raport me mua është e plotë. Sigurisht do të dëshironim të gjithë që këtë influencë ta kishte edhe mbi ata që kanë më shumë përgjegjësi dhe më shumë rol në fatet vendit sot”, tha ndër të tjera Edi Rama.

Qosja: 21 Janari dhe motivet e shkruarjes së librit...

Akademik Rexhep Qosja ka rrëfyer motivet e botimit të librit “Shqipëria dhe Kosova si janë dhe si do të bëhen”. “Kam filluar ta shkruaj më 21 janar,kur janë vrarë katër protestuesit... Jemi mësuar të na vrasin protestuesit në Kosovë, të na i vrasë policia dhe ushtria serbe dhe jugosllave, por s’kam pritur se do të vriten edhe në Shqipëri dhe do të vriten në një kohë kur në Europë njerëzit hyjnë edhe në institucione të shtetit, hyjnë edhe në parlament dhe nuk i vret kush”, tha mes të tjerash Rexhep Qosja, duke rrëfyer edhe konceptet e tij për mungesën e demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë. “Demokracia është tolerancë, është transparencë dhe pse në gramatikën politike këtu shtetin në Shqipëri sot e përbëjnë urrejtja modulimi dhe gënjeshtra... Por gënjeshtrat fyejnë njerëz, fyejnë dinjitetin. Europa ka 500 vjet që e ndëshkon si vepër penale gënjeshtrën. Te ne më mirë gënjejnë zyrtarët më të lartë. Gënjen kryeministri i Shqipërisë pa u lodhur aspak dhe ende s’ka dal askush ta ndëshkojë para gjyqit për ato gënjeshtra, si është e mundshme kjo. Si është e lejueshme. Për këtë arsye unë librin e kam filluar me shkrime, përcjelljet, mendimet, veprimet idetë, gjithë thëniet, fyerjet, kërcënimet dhunën, kam krijuar emrin që unë në libër e kam quajtur dhunëtar. Ky dhunëtari sundon Shqipërinë 22 vjet. Gjatë! Shumë gjatë.”, tha Qosja duke përfunduar se “E kam shkruar librin si kontribut të përpjekjeve për këto ndryshime, për këto rilindje shoqërore, morale, morale, morale, dhe të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në përgjithësi”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?