Qeveria miraton Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare

6 Dhjetor 2023, 17:20| Përditesimi: 6 Dhjetor 2023, 17:54

  • Share

Kwshilli i Ministrave miratoi sot Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, e hartuar nga një grup pune ndër-institucional nën drejtimin e MEPJ.

“Strategjia synon të pasqyrojë, në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse, sfidat dhe kërcënimet kryesore për Sigurinë Kombëtare të vendit tonë, si edhe përgjigjet institucionale ndaj tyre në harkun kohor 2023-2028.  Ky dokument i rëndësishëm strategjik pason atë të vitit 2014, i cili, për vetë zhvillimet gjeopolitike të viteve të fundit, nuk i përgjigjet më sfidave të sigurisë me të cilat përballët aktualisht vendi ynë” deklaroi zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino.

Tipar themelor i dokumentit të miratuar sot, është pasqyrimi i qartë i përkatësisë politike ndërkombëtare të vendit tonë, si anëtar i NATO-s dhe kandidat i BE-së, si dhe orientimi i qartë drejt veprimit në përputhje me analizën që i është bërë mjedisit strategjik të sigurisë, në nivel global, rajonal dhe kombëtar.

Kjo qasje pasqyrohet në vendosjen e 19 “Domosdoshmërive Strategjike”, të cilat do të orientojnë veprimtarinë e institucioneve shtetërore të RSH-së, ndërkohë që zbatimi i këtyre domosdoshmërive është me rëndësi themelore për të përcaktuar përgjigjet institucionale të Republikës së Shqipërisë ndaj kërcënimeve për sigurinë e saj kombëtare në të tre nivelet dhe në harkun kohor 2023-2028.  

Hartimi i dokumentit të ri është bërë duke pasur në konsideratë influencën e faktorëve të cilët pasqyrojnë natyrën në zhvillim të kërcënimeve të sigurisë në ditët e sotme.

"Natyrshëm, në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare pasqyrohen zhvillimet dinamike ndërkombëtare të cilat lidhen kryesisht me efektet shumëdimensionalë të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe fakti që situata aktuale e sigurisë ndërkombëtare ka krijuar një akumulim sfidash dhe kërcënimesh të cilat shtrihen nga dimensioni klasik i riaktualizimit të mbrojtjes ushtarake, terrorizmi, cënimi i demokracisë në shkallë globale, përdorimi dëmprurës i teknologjive në zhvillim, siguria ushqimore, e deri tek efektet e ndryshimeve klimatike.  

Si të tilla, këto kërcënime shumëdimensionale sjellin me vete një pa-parashikueshmëri të lartë si dhe vështirësi objektive për përballimin e tyre efektiv në nivel thjesht kombëtar”

Hartimi i strategjisë është bazuar mbi një proces bashkëpunimi ndërinstitucional, aktiv dhe gjithëpërfshirës si dhe ka pasur kontributin e partnerit tonë strategjik.

Gjatë këtij procesi janë analizuar me hollësi të gjithë elementët përbërës të sigurisë së RSH-së. Në këtë proces të rëndësishëm është marrë parasysh dimensioni i avantazheve krahasuese të RSH-së, dobësive të saj institucionale, mundësive që ofrohen vendit nga mjedisi strategjik aktual dhe rreziqeve që i kanosen atij, duke i vendosur ato në një projeksion dhjetëvjeçar, sa parashikohet të jetë jetëgjatësia e vetë strategjisë.

Më aprovimin përfundimtar të dokumentit të Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare, vendi ynë ka një dokument strategjik bashkëkohor i cili do të shërbejë për të përcaktuar përgjigjet institucionale të Republikës së Shqipërisë ndaj kërcënimeve për sigurinë e saj kombëtare në nivelet globale, rajonale dhe kombëtare, në harkun kohor 2023-2028. 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?