Foto ilustruese

Qeveria miraton pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura në operacionin e NATO-s në detin Mesdhe

24 Janar, 20:54| Përditesimi: 24 Janar, 20:57

  • Share

Qeveria miratoi sot pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e NATO-s “FOCOPS”, në detin  Mesdhe.

Me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi: Dërgimin me mision të 1 anijeje të klasit “Iliria”, e përbërë nga 21 efektivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e NATO-s “FOCOPS”, në detin Mesdhe.

Misioni i anijes është kryerja e patrullimit detar në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, Standing NATO Maritime Group-2 (SNMG2), në pjesën lindore të Mesdheut, në kuadër të operacionit të NATO-s “FOCOPS”, në detin Mesdhe.

Sipas këtij vendimi, komandimi operacional i anijes gjatë periudhës së angazhimit në operacion kryhet nga komandanti i grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, SNMG2. Për çdo rast, anija ruan varësinë në nivelin kombëtar, duke raportuar në mënyrë periodike për mbarëvajtjen e operacionit.

Kohëzgjatja e këtij misioni është deri në 21 ditë, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes në operacion.

Ministria e Mbrojtjes përballon shpenzimet për personelin pjesëmarrës në këtë operacion dhe për anijen, për: dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 lekë në ditë, përveç pagës mujore; sigurimin e jetës; ushqim; sigurimin e anijes; sigurimin e pajisjeve të komunikimit të sigurt me NATO-n; siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit; siguracion shëndetësor për ditët e udhëtimit; transport; mbështetje shëndetësore; shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;karburant, lubrifikante;  transportimin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;riparimin e nivelit II, pas kthimit të anijes nga misioni; taksa portuale dhe shërbime portuale; aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare gjatë kohës së kryerjes së misionit; çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?