Qeveria jep 385 mln euro për ndërtimin e Porto Romanos: Financimi domosdoshmëri, përshpejtohen procedurat

23 Shkurt, 14:49| Përditesimi: 23 Shkurt, 17:39

  • Share

Tirane- Me rishikimin që ka pësuar buxheti i shtetit qeveria përpos se ka shtuar me 7.9 miliardë lekë pritshmëritë për të ardhurat dhe me 6.7 miliardë lekë shpenzimet, ka specifikuar edhe mënyrën e financimit të projektit për ndërtimin e ‘Portit të ri tregtar - Porto Romano, Durrës’.

Ky investim që pritej të bëhej me fonde të huaja, do të financohet nga buxheti i shtetit me një faturë të ndarë në 3 vite (2024-2025-2026), me vlerë 39.2 miliardë lekë (afro 385 mln euro).

“Për këtë projekt, i cili në ligjin fillestar të buxhetit 2024 ishte planifikuar me financim të huaj, është kërkuar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të financohet me burime të brendshme, përkatësisht në vlerën 9.8 miliardë lekë (me TVSH) për vitin 2024 dhe nga 14.7 miliardë lekë për secilin vit buxhetor 2025-2026”, thuhet në relacion.

Në argumentet e dhëna për këtë ndryshim të burimit të financimit, qeveria thotë se shkak është rëndësia strategjike të këtij projekti madhor i cili do të garantojnë plotësimin e kërkesave të Shqipërisë dhe vendeve të Rajonit sa i takon transportit detar.

Po ashtu vlerësohet se ky port i ri do të ndikojë në rritjen e mëtejshme ekonomike për zonën Tiranë - Durrës dhe trajtimin e ngarkesave tranzit në port.

“Porti i ri tregtar do të vendosë Shqipërinë si nyje në rrjetet infrastrukturore rajonale, duke sjellë rritje dhe përmirësime në aspektin e zhvillimit ekonomik e social të vendit”, vijon më tej relacioni.

Për këto arsye qeveria ka gjykuar se financimi i projektit me fonde të buxhetit të shtetit, përshpejton procedurat për fillimin dhe avancimin e punimeve.

Porti tregtar po zhvendoset në Porto Romano, për shkak se në Durrës do të ndërtohen porti turistik, ndërkohë pritet që në portin e ri do të përpunohen 2 milionë kontejnerë në vit, si dhe do të priten rreth 1 milionë pasagjerë.

Ora 15:49
Porti i ri në Porto Romano, Partia e Lirisë: Do të financohet nga taksat e qytetarëve, nuk sjell përfitime ekonomike

 

Partia e Lirisë e konsideron të papranueshme financimin me fonde të buxhetit të shtetit të ndërtimit të portit të ri tregtar në Porto Romano. Sipas Sekretarit të Përgjitshëm, Tedi Blushi, ky projekt nuk do sjellë përfitime për qytetarët përsa kohë po bëhet me taksat e tyre. Blushi thekson se SPAK duhet të hetojë për këtë aferë të nisur me projektin strategjik të Portit të Durrësit.

“Qeveria ka planifikuar të shpenzojë për Portin e Durrësit rreth 430 milion euro nga Buxheti i Shtetit, financim që do të mbulohet 100% nga taksapaguesit shqiptarë. Pra nga premtimi për “zero investim nga Buxheti i Shtetit”, u pretendua investimi me skemën PPP në 390 milion euro, dhe së fundmi në investimin direkt nga Buxheti i Shtetit të 430 milion euro. Sigurisht që vlera përfundimtare do të jetë shumë herë më e madhe dhe parashikohet të kapë shifrën marramendëse të rreth 1 miliard euro. Shpenzimet për ndërtimin e portit të ri ishin destinuar fillimisht në buxhet si financim i huaj, por duke qenë se as NATO dhe asnjë bankë nuk e konsideroi projektin fizibël, paratë po jepen nga buxheti. Qartazi, asnjë përfitim ekonomik për shtetin dhe shqiptarët, përkundrazi një katastrofë ekonomike dhe plaçkitje flagrante e taksave të tyre. Partia e Lirisë i bën thirrje SPAK të reagojë dhe të mos mbyllë sytë para këtyre fakteve në dritë të diellit, që provojnë se afera e Portit të Durrësit, nuk është gjë tjetër vetëm vjedhje dhe korrupsion i pastër”- u shpreh Blushi ndër të tjera.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Timi: 24/02/2024 08:24

    A ka qeveri me bujare se kjo jona. Nga xhepi i vet nxjerr miliona euro per ne. Prish ekzistuesin per ta bere hotele kazino dhe hedh leket andej. Mire korrupsioni qe ben mu po ku kane kete eksperience ne ndertim porti. Keta jane specialiste vetem per llac e tulla

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?