Albin Kurti

Qeveria e Kosovës urdhëron zbatimin e vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit

13 Mars, 12:27| Përditesimi: 13 Mars, 17:31

  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronat e Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mospajtimesh me diplomacinë perëndimore rreth kësaj çështjeje.

Zbatimi i vendimit me të cilin manastirit mesjetar, i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Andaj sot i kemi thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja e punëve të Jashtme Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës. Me 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit atje, nga mesi i prillit është Asambleja e Këshillit të Evropës dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës, që vendos për anëtarësimin tonë”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë së tij të mërkurën.

Vendimi u mirëprit menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po qëndron për një vizitë në Prishtinë, tha se "aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte i domosdoshëm".

Edhe kryeministri Edi Rama e përshëndeti vendimin. Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama, inkurajon lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët për të demonstruar se Kosova është partner i besueshëm.

Ora 17:30
Vendimi i qeverisë së Kosovës për Manastirin e Deçanit, SHBA: Hap i domosdoshëm!

1709576610_jeffreyhovenier.JPGSHBA ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për urdhrin ndaj Agjencisë Kadastrale ku i kërkon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i njeh Manastirit të Deçanit të drejtën e pronësisë për 24 hektarë tokë.

Hovenier shprehet se vendimi tregon përkushtimin e Kosovës për të ruajtur sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyësorit.

“Siç tha sot në mëngjes zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit ishte një hap i domosdoshëm dhe falënderojmë liderët kosovarë për përpjekjet e tyre për ta çuar këtë përpara”, shkroi ambasadori amerikan në rrjetin social “X”.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?