Qese, mbetje e kafshë të ngordhura, bregdeti i Godullës kthehet si ‘landfill mbetjesh’! Eksperti: Problem prishja e rregullave sociale të jetesës me mjedisin

26 Mars 2022, 10:34| Përditesimi: 26 Mars 2022, 10:40

  • Share

Vija bregdetare me gjatësi 7 km pranë grykëderdhjes së Ishmit është e ndotur masivisht. Pamjet që vijnë nga kjo zonë nuk i përkasin ndonjë landfilli mbetjesh, por bregdetit të Godullës në Kurbin. Brezi e rërës është i mbuluar me mbetje plastike, qelqi e deri te kafshët e ngordhura.

Mbetjet depozitohen nga lumi në bregdet, ndërsa nga ndotja e madhe që është krijuar kanë nisur të ngordhin edhe gjallesat ujore.

Situata e krijuar është dëshmi e dështimit të institucioneve në menaxhimin e mbetjeve, të cilat nuk zbatojnë ligjet e vendosura për mjedisin thotë eksperti Zef Imeraj.

“Ky është një problem emergjent dhe po jep një ndikim të jashtëzakonshëm në dëmtimin e florës dhe faunës që kanë qenë tepër të pasura. Sot kemi struktura shtetërore, ligje dhe rregulla dhe situata është alarmante’, tha Imeraj, ekspert mjedisi.

Sipas Imerajt diçka e tillë është krizë sociale e mënyrës së jetesës së njeriut me mjedisin.

“Nuk është më problem i një krimi mjedisor, por një prishje e rregullave sociale të jetesës me mjedisin, çdo gjë është transformuar tashmë. Lumenjtë marrin me vetë çdo gjë organike dhe jo organike dhe këtu ka vend . Këtu ka një vend të jashtëzakonshëm për ndërhyrje, ligji është në kufirin ekstrem”, shtoi eksperti

Deri në vitin 2010 në bregdetin e Gudullës në Kurbin bëhej plazh dhe zona ishte mjaft e frekuentuar nga vendas e pushues të ardhur nga qytete të tjera të Shqipërisë. Por ndotja e madhe e krijuar dhe degradimi i rrugës i largoi pushuesit, e madje dhe peshkatarët në këtë zonë. 

I.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?