Qerim Vrioni boton fjalorin
e munguar të fotografisë

27 Nëntor 2013, 08:58| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Sapo ka dalë nga shtypi libri “Fjalori i Fotografisë” i Qerim Vrionit. Qerim Vrioni prej vitesh njihet si një nga studiuesit më pasionuar pas artit të fotografisë. Kërkues dhe këmbëngulës në punën e tij, ai pasi iu heq pluhurin arkivave zhbiron njerëzit dhe ngjarjet që kanë kushtëzuar momentin e pozimit përpara aparatit fotografik. Në fillim e nis punën me librin e tij të parë “Një grusht diell, ku përfshiu historinë e fotografisë shqiptare që nga Marubi e Gjon Mili gjer te Thimi Raci, Vangjo Ilo, etj, etj., duke hequr një paralele edhe me zhvillimin e fotografisë botërore dhe me autorët.

Pasi ka shkruar me dhjetëra analiza e studime mbi fotografinë shqiptare dhe atë të huaj, të cilat janë botuar në vend si dhe në shtypin shqip në Republikën e Kosovës, SHBA, Rumani, Itali, Greqi, Maqedoni, Mal i Zi, etj, Qerim Vrioni ka ndier nevojën e botimit një “fjalori të fotografisë ku të përfshihen terma, gjini e rryma artistike, botime, revista e gazeta, konkurse, çmime, procese teknologjike, aparatura e pajisje. Pra me këtë libër Vrioni duket se i lë një portë të hapur studimit të mëtejshëm të fotografisë, për ta zgjeruar këtë fushë. Vrioni është një studiues aq këmbëngulës, saqë me kalimin e viteve, pasionin për artin fotografik e ktheu në profesion.

Kur pa se kjo fushë ishte harruar, ai rendi i pari ta eksplorojë e ta nxjerrë në dritë artin e fotografisë shqiptare. Që nga libri i parë për fotografinë, që u botua në 2005-n dhe u titullua “Një grusht Diell”, Qerim Vrioni nuk e ndalur rrugën e studimeve dhe botimeve në këtë fushë. Në 2007-n ka qenë bashkëpunëtor në përgatitjen e albumit fotografik “50 Years of the University of Tirana in 100 photos”, botuar me rastin e 50-vjetorit të Universitetit të Tiranës.
Në vitin 2008 ka organizuar në Tiranë, Vlorë, Prishtinë dhe Grand Rapids (Michigan, SHBA) veprimtarinë 150 vjet fotografi shqiptare, dhe vijon kështu i vetëm, pa i thënë askush duke kryer ndërkohë një detyrë atdhetare dhe një mision të munguar akademik.

Një vit më pas, në 2009-n, hodhi në qarkullim botimin “150 vjet fotografi shqiptare”, që përbën librin e parë mbi historinë e fotografisë. PO atë vit 2009, Qerim Vrioni ka përfaqësuar me fotografi Shqipërinë në ekspozitën “Il Lazio tra Europa e Mediteraneo” të hapur në Romë (Itali) me pjesëmarrjen e fotografëve nga të gjitha vendet mesdhetare.

Pra, përvoja e gjatë me studimin e fotografive e rikthen studiuesin Qerim Vrioni me librin “Fjalor i fotografisë”. Ky është një fjalor interesant që plotëson enciklopedinë e zhvillimit të rrugëtimit historik dhe të zhvillimit të një arti të lënë në hije, ku sot për sot njihet vetëm një protagonist në fushën e studimeve, Qerim Vrioni. “Puna për përgatitjen e këtij fjalori ka nisur qysh kur botoja librin 150-vjet fotografi shqiptare 2009, në fund të cilit do të përfshija një fjalorth me termat të fotografisë siç ndodhi në të vërtetë”, thotë Vrioni, dhe pasi tregon përpjekjet e tij në hartimin e një fjalori kaq të domosdoshëm, citon fjalët e gjuhëtarit anglez Samuel Johnson: “Fjalorët janë si orët, më i keqi është më i mirë se asgjëja dhe, nga më i miri, mos prit kurrë të jetë krejt i përpiktë”, që më nxitën vazhdimisht në këtë sipërmarrje. Gjithsesi, ky fjalor, si i pari, do ketë edhe ndonjë mangësi e pasaktësi që do të plotësohen e saktësohen në një ribotim të mundshëm”, shprehet me modesti studiuesi Vrioni.    
 
  Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?